Krerët e diplomacisë së SHBA-së dhe Rusisë, Antony Blinken dhe Sergej Lavrov do të mbërrijnë të mërkurën e ardhshme në Shkup, ku do të marrin pjesë në Këshillin e Ministrave të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), njofton media maqedonase duke cituar burime nga qeveria.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi pas seancës së sotme se Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Mbrojtjes do të bëjnë një deklaratë shtesë lidhur me dhënien e lejes për fluturimin dhe uljen e avionit rus gjatë takimit të 30-të ministror të OSBE-së në Shkup, i cili pritet të sjellë Lavrovin.
Ministritë përkatëse të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes do të marrin një vendim shtesë për dhënien e lejes për fluturimin dhe uljen e një avioni rus gjatë takimit të 30-të ministror të OSBE-së në Shkup, në periudhën nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor 2023, thuhet në njoftimin e qeverisë, përcjellin mediat maqedonase.
Sipas mediave, Lavrov duhet të vijë në Maqedoninë e Veriut me fluturim nëpërmjet Bullgarisë ose Greqisë, anëtarë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, të cilat, ashtu si Maqedonia e Veriut, duhet të heqin përkohësisht ndalimin e avionëve rusë që fluturojnë mbi territorin e tyre gjatë periudhës së ardhshme. Takimi i OSBE-së mbahet nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor.
Sipas informacioneve jozyrtare, Lavrov po vjen në Maqedoninë e Veriut me një delegacion prej më shumë se 80 personash, mes të cilëve më shumë se 20 gazetarë.
Po aq i shumtë pritet të jetë edhe delegacioni i Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken.
Ardhja e Lavrov, theksohet, mund të konsiderohet historike, pasi do të jetë vizita e tij e parë në një vend evropian që kur Rusia sulmoi Ukrainën.
Lavrov anuloi vizitën e tij në Beograd në qershor 2022 pasi shtetet fqinje të Serbisë refuzuan të lejojnë një fluturim mbi territorin e tyre. Pastaj Maqedonia e Veriut mbylli hapësirën e saj ajrore për Lavrov, së bashku me Bullgarinë dhe Malin e Zi.
Sipas njoftimit të organizatorëve, përkatësisht Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, në Këshillin e 30-të Ministror të OSBE-së do të marrin pjesë 76 delegacione nga shtetet anëtare dhe partnerë të organizatës, ndërsa në delegacione priten gjithsej rreth 1000 mysafirë.
Diskutime rreth kësaj post