Dita e premte do të ketë aktivitet të ngjeshur politik pasi përveç mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste do të zhvillohen dhe mbledhja e Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Fillimisht, Kryesia me 20 anëtarët e rinj të zgjedhur do të kryejë mbledhjen e parë pas zgjedhjes në orën 14:00, ndërsa në orën 17:00 Këshilli Kombëtar Demokrat me 295 anëtarë do të zgjedhë 2 nënkryetarët, Sekretariatin dhe Gjykatën e Partisë.
Për sa i përket garës për dy funksionet e mbetura në parti, deputeti i Durrësit, Oerd Bylykbashi ka shpallur kandidaturën për nënkryetar, ndërsa ka gjasa që të sfidohet për këtë post nga deputeti i Elbasanit, Luçiano Boçi. Sipas statutit të ndryshuar të PD në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021, njëri prej nënkryetarëve drejton grupin parlamentar të deputetëve ndërsa tjetri automatikisht merr dhe funksionin e zëvendësuesit të Edi Palokës në krye të Këshillit Kombëtar të partisë. Nuk dihet ende nëse do të ketë kandidatura të tjera për detyrën e dy nënkryetarëve. Për sa i përket postit të Sekretarit të Përgjithshëm të PD, deputeti i Kukësit Flamur Noka do të sfidojë deputetin e Tiranës dhe ish-kryetarin e FRPD, Belind Këlliçin.
Megjithatë, për dy detyrat e nënkryetarëve në media u përfolën se do të kandidonin 4 deputetë: Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçi, Agron Shehaj dhe Luçiano Boçi. Të gjitha këto funksione do të zgjidhen me votim të fshehtë të Këshillit Kombëtar demokrat. Risi për PD do të jetë dhe Gjykata e Partisë, e cila do të përbëhet nga 5 anëtarë. Në këtë situatë, demokratët priten të shkarkojnë n/kryetaren e PD, Jorida Tabakun, kryetarin e grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeajn dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Gazment Bardhin. Ndërkohë, Komisioni i Rithemelimit të PD u shkri pas zgjedhjes së Kryesisë së PD në 28 maj.
Diskutime rreth kësaj post