Nga Mero Baze
Bujar Nishani i është bashkuar zërave që kundërshtojnë qendrimin e kryeministrit të Shqipërisë në takimet me palën serbe, ku ai ka folur edhe për Kosovën. Qëndrimi i presidentit të Shqipërisë, është dhënë në një televizion lokal të Kosovës, dhe është, as më shumë, as më pak, ajo çfarë thonë kritikët e Edi Ramës nga Kosova, si dhe ajo që tha disa ditë më parë Berisha.
Përfshirja e presidentit në këtë debat është dhe gjëja më joserioze e këtij debate, dhe e vet shtetit shqiptar.
Presidenti i Shqipërisë e përfaqëson zyrtarisht shtetin shqiptar dhe nëse ai mendon se Edi Rama si kryeministër ka krijuar problem kombëtar, duhet të mbledhë institucionet e shtetit shqiptar, Këshillin e Sigurimit Kombëtar apo qeverinë, për të unifikuar qëndrimin e shtetit shqiptar për Kosovën.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili foli gjatë për këtë çështje, e konsideroi normal qëndrimin e Edi Ramës dhe i konsideroi debate të kota. Edhe nëse deklaratat e Thaçit janë taktike dhe fshehin ndonjë pakënaqësi politike, së paku ruajnë seriozitetin e kryetarit të shtetit dhe janë formalisht korrekte.
Presidenti i Shqipërisë nuk përfaqëson në qëndrimin e tij, as opinionin publik shqiptar dhe as vet qëndrimin real të PD, përveç një shfryrje të Berishës, i cili nuk kupton më as vetë se çfarë thotë.
Më së paku, përfshirja e Nishanit në këtë mënyrë në këtë debat, e bën shtetin shqiptar më joserioz se vet debati që ka nisur. Edhe në kohët më të këqija të krizës politike në Shqipëri, qëndrimi për Kosovën ka qenë i unifikuar dhe askush nuk ka dalë kundër. Përkundrazi, në kulm të krizës politike dhe frymës së mosbesimit ndaj njëri- tjetrit, Berisha ka dalë në krah të Mejdanit në mitingje nën sloganin “një komb, një qëndrim”.
I vemti rast kundër, ka qenë koha kur Berisha ishte i izoluar dhe në Rambuje mbahej konferenca për Kosovën, si dhe momenti kur Berisha në vitin 1996 deshi të përdorte ndezjen e konfliktit të armatosur në Kosovë për të shpëtuar krizën e pushtetit të tij në Shqipëri. Në të dy rastet ka dështuar.
Ky është i vetmi rast, kur në opozitë me qëndrimin zyrtar të shtetit shqiptar ka dalë presidenti, i cili me gjasë ka harruar se çfarë përfaqëson formalisht, si përfaqësues i unitetit kombëtar.
Për më tepër, është jo serioze që presidenti t’i bashkohet një fushate e cila tashmë është banalizuar, duke i “treguar” kufirin njëri- tjetrit dhe të mirat apo të këqijat që i kemi bërë njëri- tjetrit.
Nga pikëpamja zyrtare, presidenti i Shqipërisë, duhet të inkruajojë dialogun Kosovë- Serbi, si rrugën e vetme të pavarësimit të vërtetë të Kosovës nga Serbia dhe integrimit të saj në BE. Ai duhet të rrezatojë qëndrimin e shtetit shqiptar në këtë pikë, që është qëndrim i rakorduar me faktorin perëndimor, dhe që i gjithë procesi i stabilizimit të raporteve mes shqiptarëve dhe serbëve, po bëhet si investim i Perëndimit, para hyrjes së rajonit në BE. Duke dalë kundër kësaj fryme, presidenti formal i Shqipërisë, bëhet jo vetëm qesharak, por dhe regresiv, si një faktor destabilizues në rajon.
Ne që e njohim dhe që e dimë se si funksionon Bujar Nishani, nuk mund t’i vëmë faj, por presidenti i Shqipërisë, nuk guxon të përfaqësojë vetëm urrejtjen e tij personale ndaj kryeministrit, por duhet të përfaqësojë unitetin kombëtar të Shqipërisë. Dhe nëse ka një gjë që në Shqipëri është tërësisht e pranuar, është ajo që ka bërë Edi Rama në Forumin e Beogradit. Ai ka marrë për të dhe mbështetjen e kritikëve të tij të egër në shtyp. Bujar Nishani përfaqëson me këtë gjest vetëm urrejtjen e tij dhe natyrisht deklaratën e çakërdisur të Berishës, i cili kur u ndalua në kufi në vitin 2000, dhe kur Ibrahim Rugova nuk i hapte as telefonin, mendonte ndryshe nga ajo çfarë thotë këto ditë. Dhe kjo është tipike për një politikan, i cili e do Kosovën për ta përdorur politikisht për pushtetin e tij, në vend që ta përdorë politikën e tij për të ndihmuar Kosovën.
Diskutime rreth kësaj post