Nga Mero Baze
Kriza e Maqedonisë dhe përleshjet e përgjakshme në parlamentin e Shkupit, kanë kthyer seriozisht vemendjen e Perëndimit nga rreziqet që po prodhon në Ballkan injorimi I rregullave të lojës së demokracisë nga politikanë të korruptuar.
Ajo që ndodhi në Maqedoni në dukje është një betejë e nacionalistëve maqedonas ndaj shqiptarëve, por në fakt nuk është ashtu. Ajo është betejë e një klike të korruptuar, që nuk pranon të ik nga pushteti edhe pse nuk ka vota. Është një përpjekje e hapur për të injoruar rregullat e lojës në një shtet demokratik, duke tentuar të mos përfillin rregullat e pranuara. Dhe kjo në fakt është e përbashkëta e krizës maqedonase me atë shqiptare.
Në Shqipëri kriza politike e cila po menaxhet me kujdes nga Perëndimi, ka në thelb të njëjtën arsye. Një parti politike e ikur nga pushteti me vota, dhe këmbngulëse për të mos u reformuar, por për të sjellë sërisht në krye njerëzit që janë larguar nga pushteti me votë, nuk pranon të hyj në zgjedhje se humbet, dhe po bën përpjekje për të degraduar sistemin, për të shkaktuar krizë artificiale dhe për të marrë pushtetin në tavolinë.
Të dyja partitë, si ajo e Gruevskit, ashtu dhe ajo e Berishës, po përdorin shantazhin e dhunës si mjet kryesor për të mposhtur kundërshtarin. Zajevi futi një bandë rrugaçësh në Kuvend për të goditur kandidatin për kryeministër dhe një parlamentar shqiptar, ndërsa Berisha kërcënon se nuk të lejoj qytetarët të votojnë më 7 maj dhe 18 Qershor, duke futur banditë në qendër të votimit, për të thyer kutitë e matrealeve zgjedhore.
Në Maqedoni, Gurevski po përdor pushtetin që ka ende për të motivuar banditët, në Shqipëri opozita po përdor ish zyrtarët e korruptuar dhe banditë ordinerë, për të shantazhuar institucionet.
Tani që gjithë perëndimi ka vemendjen në Shkup, dhe po inkurajon shumicën e re të formoj institucionet, Partia e Berishës në Tiranë, është në një gjatësi vale me Gruevskin lidhur me shkaktërt e kësaj krize.
Gazeta zyrtare e Partisë Demorkatike RD, shkruan në një koment të saj, se shkaktarë për trazirat në Maqedoni nuk është linja pro ruse, siç thonë pasi sipas gazets “për këtë nuk ka fakte”, por është Edi Rama që ka futur hundët në punët e Maqedonisë. (Gazeta RD, data 9 Prill.)
I vetmi ndryshim thelbësor është se Perëndimi ka marr situatën nën kontroll në Shqipëri. Ai ka monitoruar krizën, ka konstatuar arsyet artificiale të saj, I ka ofruar opozitës një plan për ta rikthyer në institucione dhe pasi është refuzuar ajo, I ka dhënë të drejt shumicës dhe partive të tjera të hyjnë në zgjedhje.
Partitë Popullore Evropiane, ku bën pjesë PD, po shikojnë mundësinë e komunikimit direkt me deputët e Partisë Demokratike, për tu treguar atyre se kryetari formal i tyre Lulzim Basha do të jetë një “person non grata” për të partitë popullore evropiane dhe se pas përjashtimit të Viktor Orban nesër në Maltë, do të rishikohet dhe statusi I Partisë Demokratike në këtë organizatë.
Në këto kushte Partia e Berishës , Partia e Gruevskit në Maqedoni, Partia e Orban në Hungari etj, I bashkohen “Internacionales së autokratëve të korruptuar” të cilët refuzojnë rregullat dhe politikën e perndimit në vendin e tyre dhe po përpiqen të krijojnë një rend të ri “demokratik”, të cilin nuk e dikton vota, por dhuna.
Shqipëria është duke e përballuar këtë rrezik, duke izoluar Partinë Demokratike dhe ndoshta duke e nxjerr atë nga historia pas bojkotimit të zgjedhjeve. Perëndimi në Tiranë, ndryshe nga në Maqedoni është më I qart dhe më I sigurt për ti prerë rrugën kësaj tendence të re antisistem. Dhe duket se kjo ka rritur nervozizmin e Sali Berishës, I cili është në mes të rrugës në planin e tij për ti vënë flakën Shqipërisë. Dhe në mes të rrugës ka për të mbetur.
Diskutime rreth kësaj post