Gjykata Revolucionare Islamike në perëndim të Iranit e ka dënuar gazetaren Zina Modares Gorji me 21 vjet burgim, për shkak se ajo i ka mbështetur publikisht të drejtat e grave.
Organizata kurde për të drejtat e njeriut, Kurdpa, raportoi se gjykatësi Mohammad Karami ia shqiptoi Gorjit një aktgjykim të kombinuar me burgim. Ajo u dënua me 10 vjet burgim për “krijimin e një grupi të jashtëligjshëm, me qëllim për ta rrëzuar nga pushteti regjimin”, si dhe me 10 vjet të tjera burgim për “bashkëpunim me grupe dhe qeveri armiqësore”.
Gorji u dënua edhe me një vjet shtesë burgim për “propagandë kundër regjimit”.
Sipas ligjit iranian, kur një i pandehur merr dënime të shumëfishta në rastin kundër tij, atëherë zbatohet dënimi më i gjatë, që nënkupton se ajo do t’i vuajë 10 vjet burgim. Megjithatë, gjykata tha se ajo duhet ta vuajë edhe një dënim me 10 vjet mërgim më pas.
Diskutime rreth kësaj post