Nga Mira Kazhani
Më mjaftoi shkrimi i Kel Demit për të dhenë një përgjigje/sqarim sot për lexuesit e tiranapost.al, pasi sinqeritetit dhe besimit të tyre ju detyrohem në çdo rast, në të mirë dhe në të keq!
Dje është shpërndarë një artikull i imi i disa viteve më parë, për Agron Shehajn biznesmen. Djali që erdhi në Shqipëri nga Italia dhe u bë i pasur me idenë e duhur. Disa më paskan sharë, disa kritikuar, disa mund të jenë edhe keqkuptuar se pse unë para disa vitesh ju kam thënë njihuni me Agronin biznesmen dhe sot kam shfaqur rezerva për Agronin politikan. Dikur kam thënë ky djali ka ditur si të bëj lek, sot kam mbajtur një qëndrim duke mos e miratuar mënyrën e tij të mbajtjes së fjalimit në Kuvend, i cili në fakt jo aq nga përmbajtja por nga interpretimi me kapadaillëk krijoi ilaritet në sallën e Parlamentit dhe më pas online!
Unë kam bërë profile pafund ne median e shkruar që prej vitit 2007 ,nga gazeta Shqip, Standard, Shqiptarja.com, Mapo dhe Dita. Rubrika Lunch u bë për hir të së vërtetës pa modesti e klikuar dhe e kërkuar. Kam shkruar për shumë personazhe të jetës shqiptare, biznesmenë, politikanë, artistë. Samir Mane, Ilir Meta apo Ndriçim Xhepa. Spartak Ngjela, Mustafa Nano (me të cilin kemi pasur edhe një replikë publike në atë kohë) Henri Çili, Erjon Braçe, Saimir Tahiri, Andi Bushati dhe për ambasadorë, amerikan, evropian, asnjë arab! Diku nga numrat e fundit të rubrikës sime Lunch që është përmbyllur në gazetën Mapo ka qenë edhe një për biznesmenin Agron Shehaj, për të cilin kam vetëm një peng se kur e rigjeta në kohë zgjedhjesh pashë që e kisha shkruar dobët. Ndodh! Gabriel Garcia Markez u përgjigj kur e pyetën se pse nuk po shkruante një roman, (gjatë një periudhe mungese): Do e shkruaja, sepse teknika nuk më mungon, por njerëzit e dinë gjithmonë kur nuk e vë zemrën.
Menjëherë pas shpalljes së listave të gjithë u turrën të flisnin për të parin e Vlorës dhe në tiranapost.al u kujdesa vetë bashkë me Geljanon, redaktorin, me të cilin bashkuam disa informacione nga unë dhe disa nga mediat italiane (Lajmi në link).
Pa paragjykuar siç bënë disa të tjerë me foton e tij me Erion Veliajn. Tek e fundit ishte një foto e bërë në një kohë apolitike, ai biznesmeni që priste në një kompani me mbi 2 mijë të rinj të punësuar ministrin e Punës. Ku qëndron e keqja këtu?! Aq më tepër kur vetë kryetari i Agronit kish foto si shok i ngushtë me kundërshtarin e tij Edi Rama.
Unë e kam njohur Agronin në 2013 dhe kemi pasur për disa muaj një bashkëpunim për PR, kryesisht për Call Center por edhe për atë si individ. Janë bërë disa materiale, një reportazh për të rinjtë që gjendet në Youtube, një artikull personal në rubrikën Lunch, një intervistë në emisionin pasdite në Top Channel (drejtohej në atë kohë nga Ulpiana Lamaj) dhe të gjitha këto kundrejt pagesës nga ana e biznesmenit. Ku qëndron problemi këtu?! Jetojmë në shekullin e PR, reklamës, like-ve, ndjekësve apo followers-ave. Gazetarët në shumicë dërrmuese janë edhe njerëz PR-i! Alfred Lela sot kujdeset për imazhin e Agronit politikan. Unë dje jam paguar për Agronin biznesmen për të cilin do mendoja gjithmonë njëjtë. Sipërmarrës i zoti, i pasur dhe me ambicie. Tani nëse Erjon Braçes i teket të bëhet futbollist, pa asnjë dyshim të gjithë bashkë do qeshim me të! Dhe për ta mbyllur me aq sa e kam njohur në ato 4 apo 5 muaj bashkëpunimi, Agron Shehaj nuk është tipi që ka nevojë për avokatinë e Facebook. Po të më kërkonte sërish bashkëpunim do e këshilloja të ndryshonte stil! Po seç kam një bindje që e ka bërë miku im Lela tashmë!
Diskutime rreth kësaj post