Në ka një emër më të lakuar për lidhjet e tij me krimin nga ana e opozitës, ai është padyshim Qazim Sejdini. Mirëpo duket se nuk është njësoj qëndrimi i partive opozitare kur është fjala për votat në Këshillin Bashkiak.
Kështu dje në mbledhjen e Këshillit është miratuar me unanimitet të plotë projekt-buxheti i vitit të ardhshëm. Kjo ka qenë mbledhja e dytë në lidhje me këtë temë, pasi në të parën këshilltarët demokratë kishin kërkuar më shumë kohë.
NJOFTIMI I BASHKISË SË ELBASANIT:
Ka përfunduar me unanimitet të plotë të votave të të gjithë këshilltarëve , Projekt-Buxheti i Bashkisë Elbasan, për vitin 2018. Kjo është arritur në mbledhjen e dytë të Këshillit Bashkiak , ndërsa herën e pare, këshilltarët e Djathtë do të kërkonin më tepër kohë , për tu njohur me Projekt-Buxhetin e vitit të ardhshëm.
Pikërisht në këtë mbledhje , ku votimi i Buxhetit u spostua në një mbledhje të dytë , kreu i Bashkisë z.Qazim Sejdini , ka mirëkuptuar kërkesën e grupit të këshilltarëve të PD-së dhe e ka konsideruar të drejtë kërkesën e tyre. Mbledhja e sotme , me praninë e të gjithë këshilltarëve , ka vazhduar me diskutime të shumta rreth pikave më nevralgjike të Projekt-Buxhetit.
Në emërues të përbashkët ka qene sensi i diskutimeve , lidhur me shqetësimet qytetare dhe për të administruar sa më mirë fondet e parashikuara në dobi të komunitetit të madh të kësaj Bashkie. Më së shumti , sugjerimet kanë qenë nga këshilltarët e Djathtë , të cilat janë mirëpritur nga kreu i Bashkisë , Z.Sejdini.
“Unë mirëpres çdo propozim tuajin , sepse e shoh që është në të mirë të banorëve të këtij qyteti dhe Njësive Administrative dhe besoj në konsensusin tuaj për këtë votim të Buxhetit”- është shprehur kryebashkiaku , Sejdini.
Ndërkohë , grupi i këshilltarëve të Djathtë ka kërkuar edhe një pushim të shkurtër, për tu mbledhur veçmas në lidhje me vendimin që do të merrte për votimin ose jo të Projekt-Buxhetit. Seanca e dytë e mbledhjes së Këshillit Bashkiak ka nisur direkt me fjalën e përfaqësuesit të grupit të këshilltarëve të PD-së , Gent Isaj.
“Në mbledhjen, që sapo bëri grupi i këshilltarëve , që përfaqësoj dhe pasi u njoh nga afër me detajet e këtij Projekt-Buxheti , ne japim votën tonë , pa asnjë kundër për miratimin e këtij Projekt-Buxheti”- ka deklaruar Gent Isaj. Në mbarim të fjalës së tij , hedhja në votim ka mbetur thjeshtë një procedurë e zakonshme , pasi duartrokitjet e gjithë këshilltarëve , treguan për një konsensus të plotë. Hedhja në votim , nuk ka marrë asnjë votë kundër. Kësisojë Bashkia e Elbasanit, nis vitin 2018 me një Buxhet të miratuar njëzëri nga të gjithë përfaqësuesit e votuar të këtij komuniteti në Këshillin Bashkiak.
“ Gjej rastin të përshëndes të gjithë këshilltarët për këtë votim unanim dhe kjo nuk është hera e parë që Buxheti i kësaj Bashkie kalon me konsensus të plotë. Kjo tregon për vizionin qytetar të të gjithë këshilltarëve dhe përgjegjësinë e tyre para zgjedhësve , sepse bëhet fjalë për një Buxhet, që është në shërbim të qytetarëve dhe gjithë Bashkisë së Madhe “- ka deklaruar kyetari i Bashkisë , z. Qazim Sejdini.
Ky i fundit ka ururar të gjithë këshilltarët për festat e fundvitit duke shpresuar e besuar se bashkëpunimi me “Parlamentin” e qytetit, ka qenë dhe do të jetë i përhershëm , përderisa duam të gjithë një Elbasan më të mirë për të gjithë.
Diskutime rreth kësaj post