Kryetari i Komisionit Hetimor të ngritur nga Parlamenti për shkarkimin e Presidentit Meta, Alket Hyseni, është shprehur mbrëmjen e sotme se Meta e ka shkelur Kushtetutën me të dyja këmbët.
Hyseni tha se Komisioni Hetimor ka mbledhur të gjitha faktet që Meta ka ndërhyrë në zgjedhjet e 25 prillit dhe ka intimiduar institucionet.
Deklarata e Hysenit:
“Ja bëj me dije opinionit publik se rastet janë të ndryshme, dy komisionet për shkarkimin e Presidentit. Kërkesa e parë kishte të bënte me verifikimin e vlefshmërisë dhe një hap që mund të çonte në shkarkim, kjo kërkesë kishte të bënte direkt me shkarkim.
Ne nuk kemi qenë komodë për të nisur procedurën për shkarkimin e tij. Presidenti i ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet me të dyja këmbët, në mënyrë të qëllimshme. A është hetuar në raport me shkeljet në fushën e sjelljeve. Deklaratat duhet të jenë të matura për çdo President. Komisioni e ka faktuar se ai ka shkelur Kodin Zgjedhor. Të jesh President nuk do të thotë që ke gjithë pushtetin. Presidenti nuk ka pushtet mbi ekzekutivin, mbi legjislativin, apo mbi gjyqësorin. Ndërkohë ne e kemi të faktuar, në formë të shkruar apo me deklarata, që Presidenti ka intimiduar institucionet, që është një akt i rëndë. Ka intimiduar Gjykatën Kushtetuese, që është organi garant i Kushtetutës.
Është një tërësi thirrjes, deklaratash me thirrje e me shkrim, që Presidenti i bën presion Gjykatës Kushtetuese. Është një shkresë, që nuk i drejtohet as vetë Gjykatës Kushtetuese si institucion, por 7 anëtarëve të saj, duke i kërkuar llogari pse e ka marrë një vendimmarrje të caktuar, për një çështje që Presidenti nuk kishte asnjë rol. Aq më tepër që, kur Gjykata Kushtetuese flet, gjithë të tjerët heshtin. Përtej intimidimit, pra duke iu thënë se kanë vepruar gabim, duke iu bërë thirrje të heqin dorë, madje ka shkuar deri aty sa i ka ndarë gjyqtarët në dy grupe, një pjesë të mazhorancës, dhe që iu bën thirrje të shkojnë pas Presidentit, dhe pjesa tjetër që janë me Presidentin. Në asnjë mënyrë, Presidenti nuk mund t’i drejtohet një institucioni për ta intimiduar. Akte të tilla të Presidentit janë bërë publike, dhe pikërisht kjo është rrezikshmëria”, tha Hyseni.
Diskutime rreth kësaj post