Shifra tragjike, por jo zyrtare për sa u takon shqiptarëve që mund të kenë humbur jetën në Greqi për shkak të zjharreve. Për Balkanweb, gazetarja Ira Londo raporton se janë 5 shqiptarë që kanë humbur jetën. Tre burra dhe dy fëmijë.
Një makinë me targa shqiptare ka rezultuar e djegur nga zjarret që kanë përfshirë Greqinë. Mjeti është me targa të Tepelenës, por nuk dihet numri i targës dhe fakti nëse brenda tij ka patur njerëz.
Në një lidhje live për News 24, korrespondentja për Greqinë, është shprehur se kjo zonë është shumë e populluar nga shqiptarët dhe gjatë këtyre orëve ajo ka pasur kontakt me disa prej tyre.
Gazetarja tha se brenda makinës së një shqiptari është gjetur një viktimë, por ende nuk dihet nëse është trupi i një të riu nga Tepelena.
Ndërkohë, ajo është shprehur se nga dëshmitë që ka pasur nga shqiptarët që kanë mundur t’u shpëtojnë flakëve, i është pohuar se favori që ata kanë pasur, ka qenë njohja e mirë e zonës, pasi jetojnë aty edhe gjatë dimrit, dhe kjo i ka ndihmuar që të largohen përmes rrugicave dhe të dalin më shpejt në det.
Pjesa më e madhe e viktimave janë gjetur të shkrumbuar në makina, duke mos pasur mundësi të largohen.
Ndërkohë, “Report Tv” ka marrë një dëshmi nga një emigrant shqiptar, Mondi Sinaj, i cili në një lidhje telefonike nga Athina shprehet se në zonën që ka rënë zjarri kishte shumë shqiptarë që punonin në banesat që janë djegur, ndërsa nga informacionet e para janë 13 të lënduar.
Përsa i përket shqiptarit që dyshohet se ka humbur jetën, ai është nga Tepelena dhe sipas Sinajt, nuk arriti që të dalë nga makina, pas zjarrit.
“Në fakt në zonën e zjarreve ka pasur shumë shqiptarë të cilët punojnë nëpër shtëpitë e grekëve. Kemi informacion se 13 shqiptarë janë lënduar nga flakët. Kam folur me shumë prej tyre. Flitet edhe për një djalë nga Tepelena që dyshohet se është djegur në makinën e tij, por nuk e dimë 100% të saktë”, tha ai.
Ndërkohë, Opinion.al është përpjekur disa herë të lidhet me ambasadën shqiptare në Athinë në numrin e publikuar prej tyre për të marr më shumë informacion mbi ngjarjen, por në këtë numër askush nuk është përgjigjur.
Diskutime rreth kësaj post