Arben Ristani, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, tha në studion e Syri.net se me LSI janë në një bashkëpunim opozitar dhe jo në një ndarje pushteti. Sipas tij, të bashkohesh kundër Edi Ramës dhe pushtetit të tij, që është e keqja e madhe që kemi përpara, nuk ka asgjë të keqe.
Në lidhje me ish-ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri, Ristani tha se ai është shëmbëlltyra e Rilindjes dhe çështja e hetimit të tij nuk është si ato që mund të mbyllen duke thënë se çudia më e madhe 3 ditë zgjat.
“Ata erdhën duke uzurpuar dhe zhbërë policinë e shtetit, sollën të gjithë të larguarit, përfshi këtu edhe ata që ishin larguar nga vetë qeveritë e PS-së më parë, rikthyen në detyrë llumin e llumit, me një ministër pa përvojë, me një njeri që ka tentuar vetëvrasjen në rininë e tij”, tha Ristani.
Sipas tij, pikërisht ky llum bëri që të çonte Policinë në atë drejtim për kanabizimin e vendit, aq sa u çmend Europa nga tonelatat që dilnin nga Shqipëria.
“Droga nuk mbillej në Shqipëri pa shtruar rrugën më parë, që policia nuk do të luftonte fenomenin apo nuk do të kishte bashkëpunim me mafian italiane”, tha Ristani.
Në vijim ai tha se opozita ka një alternativë të përpunuar dhe padyshim që është më e mira, duke mos i kërkuar shqiptarëve timon apo tepsi, por duke i dhënë zgjidhje problemeve.
“Rama do të largohet vetëm me vullnet popullor, shqiptarët kanë dëshirë të mos kthehen më në diktaturë dhe ajo që nis nesër do të vazhdojë deri në largimin e Edi Ramës”, tha Ristani.
Diskutime rreth kësaj post