Pas dosjes së një ministri socialist që pritet të shpërthejë shumë shpejt, mësohet se Prokuroria e Posaçme është në fazat përfundimtare të një hetimi të thelluar për një tjetër politikan të lartë, të cilin e akuzon për korrupsion, lidhje me botën e krimit dhe pastrim parash. Sipas informacioneve, ky hetim është ndihmuar nga autoritetet britanike, të cilët kanë ofruar prova kyçe lidhur me transaksione të dyshimta dhe asete të paligjshme që dyshohet se janë vendosur në institucione financiare jashtë Shqipërisë. Në përputhje me këtë, SPAK pritet të lëshojë një urdhër arresti së shpejti, ndërkohë që ka nisur procesin e sekuestrimit të aseteve, duke përfshirë prona të shumta dhe llogari bankare që mendohet se janë përfituar përmes veprimtarive të paligjshme.
Sinjalet nga takimet e Dumanit
Thuhet se gjithçka është finalizuar në takimin e kryeprokurorit Altin Dumani disa ditë më parë me përfaqësues të lartë të Prokurorisë Mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar. Sarah Dineley, zëvendësdrejtuesja e Prokurorisë Mbretërore britanike dhe Marion Langford, drejtuese e Njësisë së Divizionit Ndërkombëtar u takuan me Dumanin, ku rikonfirmuan mbështetjen e tyre ndaj SPAK dhe paralajmëruan shkëmbim të informacioneve në luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë si dhe pastrimit të parave.
Këtu përfshihen dhe provat nga Londra që pretendojnë se politikani shqiptar ka abuzuar me pozitat e tij për të përfituar nga kontrata publike, duke shkaktuar dëme të mëdha financiare për shtetin shqiptar, por edhe fakte për lidhjet e tij me botën e krimit. Autoritetet britanike janë angazhuar të ndihmojnë në hetimin e rastit, duke ofruar informacione dhe dëshmi që janë të dobishme për SPAK. Altin Dumani, gjithashtu zhvilloi në datat 4 dhe 5 korrik 2023 një vizitë pune në Mbretërinë e Bashkuar ku pati takime me përfaqësues të lartë të Home Office, National Crime Agency, Croën Prosecution Service dhe Foreign Office. Mësohet se në këto takime u zgjeruan hetimet për pasuritë e politikanëve të korruptuar.
Bashkëpunimi i SPAK me ndërkombëtarët
Shkëmbimin e informacioneve të SPAK me ndërkombëtarët për pushtetarët e korruptuar e tregoi dhe arrestimi i ish-presidentit Ilir Meta. Vetë Altin Dumani falënderoi autoritetet e zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Austrisë, Italisë, San Marinos, Qipros për ndihmën dhe bashkëpunimin e treguar. SPAK ka bërë të ditur se është angazhuar për të zbardhur të gjitha rastet e dyshuara dhe për të siguruar përgjegjësinë ligjore për ata që abuzojnë me detyrat e tyre. Altin Dumani do të shkaktojë tërmet tek “VIP”-at e korrupsionit, pasi do të ketë goditjet e reja, ku ato pritet të fokusohen në disa sektorë kyç, përfshirë ndërtimin, shëndetësinë dhe administratën publike, ku janë raportuar aktivitete të dyshuara korruptive.
Bashkimi Evropian ka treguar në raportet e fundit se do të mbështesin Shqipërinë që të hetojnë nivelet më të larta të politikës. “Reformat në fushën e parandalimit dhe goditjes së korrupsionit janë të nevojshme, pasi ato pritet të mbështesin progresin e vazhdueshëm në hetime, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare, duke përfshirë konfiskimet dhe të trajtimin e pengesave legjislative dhe rregullatore në fushat e konfliktit të interesit, sponsorizimeve dhe financimit të partive. Prioriteti duhet të jetë rritja e cilësisë së hetimeve, rritja e numrit të ndjekjeve penale dhe dënimeve, sidomos në nivelin e lartë, pasi kjo do të jetë pjesa e vlerësimit të KE”, thuhet në një raport të fundit të Brukselit për vendin tonë.
Diskutime rreth kësaj post