Besiktasi në gjurmët e Jahmir Hykës. Ky është lajmi i bujshëm nga Zvicra, ku gazeta prestigjoze “Blick” shkruante se mesfushori i Kombëtares Shqiptare është një prej lojtarëve që ka tërhequr më tepër vëmendjen te Luzerna. Për shërbimet e 28-vjeçarit përflitet se ka një interesim konkret nga Superliga turke, më saktësisht nga gjigandët e Besiktas. Duke qenë se kontrata e kuqeziut te Luzerna përfundon në fund të sezonit, me paraqitjen e një oferte në tryezën e bisedimeve, klubi zviceran do të ishte gati ta shesë futbollistin menjëherë.
Kjo lë të hapur mundësinë që Jahmir Hyka të largohet prej merkatos së Janarit, si mënyra e vetme që Luzerna të mos e humbasë mesfushorin me parametër zero në fund të sezonit. Nëse transferimi te Besiktasi do të realizohej, klubi turk do të bëhej stacioni i katërt i rëndësishëm në karrierën e lojtarit. Në sezonin 2005-2006 Hyka iu bashkua norvegjezëve të Rosenborgut, pa mundur të lëjë gjurmë në skuadër, për dy sezone lojtari militoi te gjermanët e Mainz-it, me të cilët luajti edhe në Bundesligë dhe u largua në vitin 2010, për tu transferuar për një sezon te Panionios në Superligën greke.
Jahmir Hyka ka qenë një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Luzernës në këtë sezon, duke realizuar 6 gola në 15 ndeshje të Superligës zvicerane. Në 12 raste mesfushori shtatshkurtër ka qenë titullar, duke dhënë kontributin që skuadra të pozicionohet e katërta në renditje, vend që siguron biletën e fundit drejt kupave të Europës.
Diskutime rreth kësaj post