Gjithçka rezulton ashtu edhe siç imagjinohej. Ministria e Shëndetësisë nuk ka më asnjë lidhje me interesin publik dhe shpresat e 23 Qershorit 2013, por është kthyer në një qendër okulte që gjeneron vetëm abuzime, duke përvetësuar paratë e qytetarëve shqiptarë me të gjitha manovrat dhe marifetet e mundshme. Gazeta “Sot” ka publikuar pjesë nga një dosje voluminoze prej rreth 200 faqesh me abuzimet e degëve të Ministrisë së Shëndetësisë. Ky raport është tashmë në duart e prokurorisë së Tiranës, e cila shumë shpejt pritet që të firmosë dhe urdhër arreste. Bëhet fjalë për një raport të hartuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit mbi auditime të kryera në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, institucion në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, ku më pas ka bërë dhe një padi për shkeljet e shumta, sidomos me rimbursimin e barnave. Sipas këtij raporti, rezulton se në sektorin e shëndetësisë ka një grup të caktuar personash që kanë abuzuar në mënyrë masive me taksat e qytetarëve shqiptarë. Nga mënyra e trashë e vjedhjeve lë të nënkuptohet se ky grup personash nuk do t’ia dijë që në Shqipëri ka prokuror, gjykata dhe burg. Abuzimet fillojnë që nga biletat e udhëtimit me avionë, tenderat, apo kurimi fiktiv i pacientëve.
Abuzime me biletat
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në auditimin e bërë në Fondin e Detyrueshëm të Kontrollit Shëndetësor, kryetar i bordit të së cilit është ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka vërejtur shkelje sa i takon blerjes së biletave të avionëve për udhëtime jashtë vendit. “Në të gjitha likuidimet e kryera nëpërmjet bankës për biletat e avionit për udhëtime jashtë vendit në vlerë gjithsej 3.860.476, ato janë kryer duke mos iu nënshtruar rregullave dhe procedurave të prokurimit publik”, është shprehur KLSH. Sipas këtij organi, duke mos zhvilluar tendera, janë favorizuar agjenci private në mënyrë fare të padrejtë dhe janë ngjallur dyshime për abuzime. Po ashtu është vënë re se ka pasur shumë herë më tepër udhëtime dhe shpenzime në 2014 se në vitin 2013, me një kosto prej rreth 15 milionë lekësh të vjetra. Abuzime janë vërejtur dhe me biletat e autobusëve. KLSH ka konstatuar se janë rimbursuar bileta të fotokopjuara dhe jo origjinale. Sipas raportit, rreth 4 milionë lekë janë dhënë për bileta jo origjinale, kjo në kundërshtim me ligjin. Po ashtu janë vërejtur dhe shpenzime të përsëritura për riparime pajisjesh elektronike.
Abuzime me automjetet
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se FSDKSH, në varësi të plotë të Ministrisë së Shëndetësisë, ka abuzuar jashtë mase me kontrollet dhe riparimin e automjeteve. Madje është konstatuar se riparimet kanë kushtuar më shumë se vetë makinat. Përgjatë vitit 2014 janë shpenzuar në total 20 milionë lekë për automjetet. “Ishin kryer riparime për të gjithë automjetet që disponon Fondi, ku për katër automjete ishin krye riparime të përsëritura dhe se riparimet e defekteve sipas institucioneve, pothuajse arrinin vlerën e mjetit”, thuhet më tej. Po ashtu është deklaruar se Fondi ka mbuluar dhe shpenzimet për dy automjete që janë transferuar në drejtoritë rajonale dhe s’ishin më pjesë e tij. “Riparimet janë kryer pas datës së transferimit nga Fondi. Po kështu konstatohet se shërbimet të kryera sipas situacioneve janë të përsëritura dhe të kryera para periudhës së garancisë 6 mujore, gjë e cila vërtetohet se nuk ka asnjë procesverbal ku të vërtetohet se automjetet kanë pësuar defekt e për rezultat ka ndodhur nevoja e shërbimit”, theksohet më tej.
Kurimi i pacientëve
Ministria e Shëndetësisë ka lidhur kontrata me klinika dhe spitale private në vend apo jashtë shtetit për të kryer kurimin e pacientëve kur nuk ekziston mundësia në spitalet publike, dhe bën mbulimin e shpenzimeve për pacientët. Por KLSH ka konstatuar abuzime të shumta dhe favorizime në këtë aspekt. Çfarë ka ndodhur? Sipas raportit, rimbursimet e mjekimit që u janë bërë pacientëve të kuruar jashtë nuk kanë qenë konform rregullave të përcaktuara me VKM, si dhe janë bërë jashtë çdo afati të përcaktuar nga qeveria. Nga ana tjetër, KLSH ka konstatuar se janë mbuluar shpenzime mjekësore për klinika private në vend që nuk ia ofrojnë shpenzimet e përcaktuara në fatura. “Fatura tatimore nr. 76 datë 01.12.2014 nga klinika “A. D”, në shumën 50 mijë lekë, mbi shërbimin e kryer për laser kirurgjikal dhe laser tradicional, ku nga verifikimet në QKR rezulton se klinika nuk ofron shërbime të tilla”, thuhet në raportin e KLSH. Gjithashtu theksohet se janë shpenzuar rreth 8 milionë lekë për kurime, por pa theksuar se për çfarë ekzaktësisht. Nga ana tjetër, KLSH ka gjetur shkelje dhe me mjaft tendera të dhënë nga FSDKSH.
CityNews
Diskutime rreth kësaj post