Në studion e “Për Shqiptarët” u përjetuan emocione të forta me një histori frymëzuese.
Një histori që ka në qendër dy prindër, të cilët nuk u dorëzuan kurrë për të shpëtuar jetën e vajzës së tyre.
Shpresa dhe Emini janë bashkë prej 23 vitesh. Të njohur në shkollë në moshë shumë të re, 18 dhe 19 vjeç, ata janë martuar e kanë krijuar një familje të madhe. Janë prindër të 5 fëmijëve, Jasmina 22 vjeç, Ditori 18, Diona 16, Dioni 12 dhe Kida 6 vjeç.
Vajza e tyre e madhe Jasmina ka qenë nxënëse shumë e rregullt, me sjellje dhe nota shumë të mira. E ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme me sukses dhe është regjistruar në dy fakultete, për mjekësi dhe stomatologji.
Ka qenë gjithmonë e shëndetshme dhe kurrë nuk i është dashur të shkojë në spital. Rrallë herë e kapnin virozat e stinës.
Por, në fundin e vitit 2022, një javë para ditëlindjes Jasmina nisi të ndjente dhimbje shpine, plogështi dhe lodhje. Prindërit menduan se ishte një virozë e thjeshtë, por me kalimin e ditëve dhimbjet u shpeshtuan dhe ata nuk humbën më shumë kohë për ta dërguar në spital. Që nga ky moment për ta nuk pati asnjë ditë qetësi.
Kanë nisur analiza të njëpasnjëshme sepse doktorët nuk kuptonin se çfarë problemi kishte, ndërkohë që dhimbjet vazhdonin të ishin shumë të mëdha. Shkonin nga një spital në tjetrin, nga një pavion në tjetrin dhe Emini me Shpresën ende vazhdonin të mbeteshin pa një përgjigje. Analizat ishin me parametra jashtë normales dhe vetëm pas një kontrolli në Shkup, zbuluan se Jasmina kishte leuçemi akute të shkallës së rëndë. Për Eminin dhe Shpresën ishte lajm që i shokoi. Jasmina bënte shpesh ushtrime fizike dhe kujdesej për veten, s’kishte pasur kurrë asnjë shqetësim, e papritur kishte një sëmundje që i rrezikonte jetën.
Doktorët i thanë se vajzën e kishin të vdekur, mos të mundoheshin as ta dërgonin jashtë sepse nuk kishte shpëtim, por kjo gjë e nxehu edhe më shumë Eminin i cili u përgjigj duke iu thënë se ata nuk ishin Zoti i vajzës së tij dhe se do të luftonte deri në fund për Jasminën.
Me shumë vështirësi Emini ka përgatitur dokumentet për ta dërguar në Turqi. Avioni nuk e merrte përsipër sepse kishin merak se ajo mund të humbiste jetën rrugës, por këmbëngulja e Eminit se vajza do ia dilte sepse ajo ishte e fortë, bëri që të shkonin dhe ta shtronin në një nga spitalet e Turqisë. Palca e Jasminës ishte e dëmtuar 70 për qind, ajo sa vinte e përkeqësohej dhe doktorët thoshin se një fije e hollë e ndante mes jetës dhe vdekjes. Pas të gjitha analizave doktorët u përpoqën të gjenin një dhurues që kishte përputhshmëri të lartë me të sepse nuk donin të rrezikonin. Emini nuk dinte më se çfarë të bënte. Thoshte se ishte i gatshëm edhe zemrën ta hiqte dhe t’ja jepte vajzës së tij. Shpenzimet ishin shumë të mëdha, por falë fondacionit Firdeus ata e bënë transplantin dhe çdo gjë shkoi mirë.
Për 8 muaj, Jasmina ka bërë 63 doza kimioterapie. Për 8 muaj Shpresa nuk iu nda vajzës asnjë moment. Emini shkonte çdo javë në Pejë te 4 fëmijët e tjerë dhe kthehej përsëri te Jasmina. Fëmijët në Pejë ishin shumë të mërzitur. Vajza e vogël gjatë gjithë kohës i shkruante Jasminës mesazhe, duke i kërkuar të shërohej e të kthehej shpejt në shtëpi. Emini e kuptonte se sa e vështirë ishte për ta, sepse ishin shumë të vegjël e po kalonin shumë, prandaj mendoi se duhet të gjente diçka që fëmijët të humbisnin mendjen dhe të hiqnin mërzitjen. Për t’i qetësuar iu ka marrë një mace sepse kishte dëgjuar që ajo ishte gjëja më e mirë për qetësinë shpirtërore.
Në Janar 2023, pas kimioterapive Jasmina ka humbur flokët. E gjithë familja kishte vendosur që të presë flokët njësoj si ajo për t’i treguar që nuk është vetëm, por Jasmina nuk i lejoi. Vetëm Emini e bëri dhe bënte shaka me vajzën e tij që të dy tashmë ishin pa flokë. Ai përpiqej me çdo mënyrë që t’i ngrinte moralin.
Gjatë gjithë kësaj kohe Jasmina ka humbur shumë peshë, ka shkuar pothuajse 20 kg natën kur ka bërë transplantin.
Që prej fillimit, Jasmina ka qenë burim force për të gjithë familjen. Ajo është treguar e fortë, nuk është dorëzuar kurrë dhe nuk është demoralizuar në asnjë moment. Ka pasur besim se do bëhej mirë dhe do ia dilnin të ishin përsëri bashkë si familje.
Bashkë ata provuan se edhe në stuhitë më të errëta, dashuria e një familjeje mund të ndriçojë rrugën për të ecur përpara.
Diskutime rreth kësaj post