Gjykata Themelore në Ferizaj, sot shpalli aktgjykimin ndaj të pandehurit Musa Ademi, i cili në bazë të aktakuzës, akuzohet për veprën penale rekrutim për terrorizëm i parashikuar me nenin 139 të Kodit Penal të Kosovës, për të cilën gjykata vendosi dënimin me burg në kohëzgjatje prej pesë vjet.
Ademi u dënua me 5 vjet burg.
Në anën tjetër, edhe një kosovar tjetër sot u dënuar për terrorizëm, por jo në Kosovë, po në SHBA. Bëhet fjalë për Ardit Ferizin, të cili një gjykatë në SHBA e dënoi me 20 vjet heqje lirie për terrorizëm, shkruan lajmi.net.
Pra, brenda ditës, dy kosovarë morën 25 vjet burg për shkak të terrorizmit.
I pari, Musa Ademi në bazë të aktakuzës, duke filluar nga gushti i vitit 2013 në Kosovë, vazhdimisht u ka bërë thirrje personave të tjerë për pjesëmarrje në aktivitetet e organizatës së ashtuquajtur ISIS, dhe njëkohësisht prej burimeve të ndryshme ka siguruar fonde materiale duke blerë biletat e aeroplanit për në Siri.
Kryetari i Trupit Gjykues, Ibrahim Idrizi, gjatë leximit të aktgjykimit tha se gjatë muajit gusht 2013 personat Blerim Heta dhe Faton Ivaj, në të njëjtën datë kanë udhëtuar nga aeroporti i Prishtinës për në Stamboll, e pastaj u janë bashkuar organizatës terroriste ISIS, në Siri. Blerim Heta me datë 24 mars 2014 ka kryer akt vetëvrasës terrorist në shtetin e Irakut duke vrarë edhe 52 persona të tjerë, ndërsa Faton Iavaja ende ndodhet në Siri, si pjesëtar i aktiviteteve të grupit terrorist atje.
Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë muajit maj Ademi, ka organizuar shkuarjen në Siri të personave Fitim Lladrovci dhe Nexhdet Berisha, i cili në momentin e fundit e ka ndërruar mendimin dhe nuk ka shkuar në këtë organizatë, kurse Fitim Lladrovci si pjesëtar i ISIS-it në Siri ka qëndruar rreth 5 muaj dhe i njëjti tani gjendet në vuajtje të dënimit për aktivitetet terroriste në këtë organizatë. Ai tha se më këto prova të cilat janë gjetur për Ademin, dëshmohet se ai ka kryer veprën penale “rekrutim për terrorizëm”, dhe për këtë dënohet me pesë vjet burg.
I dyti, Ardit Ferizi, hakeri nga Gjakova, i cili dyshohej se i kishte ndihmuar grupit terrorist ISIS duke iu siguruar emrat e më shumë se 1.000 punëtorëve të qeverisë dhe ushtarëve amerikanë si objektiva të mundshëm, është dënuar më 20 vjet burg.
25-vjeçari i lindur në Kosovë, ishte arrestuar vitin e kaluar në Malajzi. Prokuroria ka kërkuar për një dënim maksimal prej 25 vjet, dhe mbrojtjen e gjashtë vjet burg, transmeton lajmi.net.
Ai u bë personi i parë në Amerikë që u dënua për të dyja akuzat – hakim të kompjuterëve dhe për terrorizëm.
Ferizi e hakoi një kompani private dhe i nxori emrat, fjalëkalimet e e-maileve dhe numrat e telefonit të më shumë se 1.300 njerëzve me .gov dhe .mil. Më pas shteti Islamik i kishte publikuar këto emra me kërcënimin për të sulmuar.
Diskutime rreth kësaj post