Drejtuesit e institucioneve arsimore shqiptare dhe Shkolla e Magjistraturës kanë përzgjedhur dje dy kandidatët nga radhët e pedagogëve që do të garojnë për të qenë anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit.
Pas votimit në një seancë që zgjati rreth 6 orë, drejtuesit e institucioneve arsimore kanë përzgjedhur juristin Gent Ibraimi si kandidat për të qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Ilir Pandën si kandidat për të qenë anëtar në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit
Të dy juristët ligjorë të përzgjedhur kanë qenë pjesë e grupit të nivelit të lartë, të cilët kanë hartuar Reformën në Drejtësi dhe ligjet e posaçme. Gjatë debatit për Reformën në Drejtësi, opozita vendosi si kusht që ekspertët e nivelit të lartë duhet të përjashtoheshin nga procesi i vetingut, duke e vendosur këtë pikë në ligj. Nuk dihet qëndrimi që do të mbajë Partia Demokratike për këtë propozim, pasi ata i kanë cilësuar ekspertët si të njëanshëm dhe partiakë. .
Seanca degjimore
Drejtuesit e institucioneve kanë pyetur kandidatin Gent Ibrahimi nëse sistemi i drejtësisë do të ndahet ndonjëherë nga politika. Dhe Ibrahimi është përgjigjur: “Ky është rasti më i mirë. Ky është një proces që diktohet në masën 90% nga njerëz jashtë politikës. Është maksimumi që mund të bëhet për të garantuar pavarësinë tonë nga politika. Po s’ia dolëm dhe kësaj radhe, nuk do t’ia dalim ndonjëherë”.
Ai ka thënë se nuk e tremb puna në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, edhe pse nuk ka qenë asnjëherë pjesë e këtij sistemi. “Nuk më tremb aspak fakti që nuk kam eksperiencë në Prokurori. Do të më trembte nëse puna ime do të kishte të bënte me thelbin e hetimit, apo me interpretimin e Kodit Penal. Por puna për të cilën unë kandidoj ka të bëjë me administrimin e personelit. Me përpjekjen për të rekrutuar më të mirët, për t’i vlerësuar ata profesionalisht, për t’i ndëshkuar, në rast se është vendi”, ka thënë ai.
Ndërsa kandidati Ilir Panda ka deklaruar se objekti më i shtrenjtë që ka blerë ndonjëherë ka qenë një penë me bojë, të cilën e ka paguar 70 dollarë në Amerikë. “Objekti më i shtrenjtë ka qenë një penë që kam blerë në një dyqan librari në SHBA, bashkë me kallamarin e bojës, që kushtonte 70 dollarë”, ka thënë ai.
I pyetur se çfarë vlere ka makina e tij, Ilir Panda është përgjigjur se: “Nuk kam automjet. Më pëlqen shumë transporti publik”. Ai ka deklaruar se banesën e tij nuk e ka shitur personalisht, por me anë të një operacioni juridik, si dhe ka pranuar se ka qenë ministër Drejtësie. “Kam qenë ministër i Drejtësisë në një periudhë specifike, në një pozicion specifik, sepse nuk kam qenë brenda mandatit. Unë nuk kam qenë as anëtar i partisë politike që kishte pushtetin në atë kohë dhe as i angazhuar në asnjë lloj strukture politike. Jam përzgjedhur nga profesionistët”, ka thënë Ilir Panda.
Diskutime rreth kësaj post