Nga Ardit Rada
Të gjithë kanë besuar në fajësinë e Saimir Tahirit deri ditën e sotme. Me gjasë edhe të vetët. Prokuroria Shqiptare e përfaqësuar nga tre emra në Komisionin e Mandateve dha shfaqjen më të shëmtuar të Drejtësisë shqiptare, duke e kthyer ish-Ministrin e Brendshëm në një Gjergj Dimitrov ku nga i akuzuar, Tahiri u kthye në akuzues. Përfundimi i ballafaqimit të mbledhjes së parë në Kuvend duket se ia lehtësoi barrën që deputeti socialist e përmendi aq shumë se po i rëndonte këto 72 orë.
Ka dy faktorë tejet banal të organit të akuzës që vërtetojnë lehtësisht pretendimet e Saimir Tahirit. Ose më saktë, nxjerrin zbuluar se e gjitha është ngritur si pasojë e luftës politike dhe jo mbi bazën e një hetimi të gjerë të një aktiviteti kriminal. Mungesën e hetimit në fakt e pranuan edhe tre emisarët e Adriatik Llallës duke insistuar vetëm në “dyshimin e arsyeshëm”.
Përpara komisionit të Mandateve, Prokuroria presupozohet se ka paraqitur prova sekrete të cilat nuk mund të na i thotë ne, apo edhe vetë Tahirit si i akuzuar. Dhe këtu qëndron farsa e parë. Prokuroria nuk pranoi të njohë të akuzuarin me sekretet hetimore, por ua tha ato sëpaku 5 shokëve e shoqeve të tij. Organi i akuzës e luajti këtë film për të krijuar një shije ndryshe të asaj çfarë u pa prej orësh nga ambientet e Kuvendit. Provat sekrete me siguri nuk janë as përgjime ambientale, as fotografime dhe filmime. Sepse nëse do kishte materiale të tilla, sëpari do t’ia servirte Sali Berishës në formën e “prokurorit dixhital”.
E dyta dhe më bajate është dëshira për të vendosur Saimir Tahirin në pranga. Tre prokurorët pranuan se nuk janë ata që e arrestojnë ish-ministrin e Brendshëm, por Gjykata. Me pak fjalë, ndryshe nga çfarë i shkruanin një ditë më parë Kuvendit, prokuroria ishte ftilluar. Prokuroria ka paraqitur si provën më të madhe hyrje-daljet e sistemit TIMS për të cilat Kuvendit i shkruante se Tahiri ka qenë në makinë me Artan Habilajn. Ndërsa sot, nuk e pranon këtë formulim të sajin.
“Prova” më e madhe mbetet përmendja e emrit në një përgjim të palës italiane, por kjo çështje nuk i është referuar nga homologët përtej detit. Akuza pranon se hetimin e nisi vetëm nga lajmet në media bazuar në një dosje në formën e kopjes elektronike. Por përse kjo është farsë dhe a është i nevojshëm arrestimi i Tahirit? Aq më tepër nxitimi i opozitës për t’i mbyllur mbledhjet, hetimet dhe arrestimet brenda 24 orëve? Sigurisht që nuk ka asnjë urgjencë për prangosjen e ish-ministrit më jetëgjatë të Punëve të Brendshme sepse ai nuk paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore. Pra nuk ka asnjë dyshim të arsyeshëm (me fjalët e Prokurorisë) që Saimir Tahiri të arratiset sonte për gjithë natën. Apo të kryejë vepër penale të lehtë a të rëndë.
Kësisoj, zbardhet dëshira e errët e akuzës së nxitur nga kushedi se kush. I vetmi qëllim është që në arkivat e kronikës së zezë të ekzistojë edhe një fotografi e Tahirit me pranga në duar. Një fotografi reale, jo si ato të qytetarit dixhital ku Berisha përmes montazhit heq kokën e Stresit dhe vë atë të Saimir Tahirit.
Gjërat kanë vajtur shumë larg këtë të premte. Me pak vëmendje do e kuptonit se Sali Berisha, Lulzim Basha, Oerd Bylykbashi dhe Enkelejd Alibeaj kanë akuzuar Drejtësinë italiane si të korruptuar. Por e thënë në mënyrë pësore dhe jo veprore. Pra: Rama ka dërguar njerëz që të manipulojë provat në Itali. Dhe jo: Drejtësia italiane po manipulon provat me njerëzit e Ramës…
JavaNews*
Diskutime rreth kësaj post