Ajo që ndodhi në 6 muajt e vitit famëkeq 1997, por që faktikisht nisi qysh në 6 nëntor të vitit 1996, nuk ishte rastësi, por pasojë e rënies së firmave piramidale. Viti tragjik 1997 erdhi si pasojë e falimentimit të rreth 25 firmave piramidale të cilat u zhvatën shqiptarëve afro 1.2 miliardë dollarë. Ka mjaftuar kjo katastrofë sociale-financiare me pasoja të rënda, që populli i përfshirë me depozita në këto firma,të rebelohej kundër pushtetit, duke humbur kontrollin e duke shkatërruar gjithçka. Firmat piramidale ishin një “parajsë” 3 vjeçare ekonomike-financiare për shqiptarët, të cilët braktisën punën, bizneset dhe interesin për punën, duke menduar se fitohej pa punuar. Mbyllja e firmave piramidale, krijoji kaosin deri me hapje të depove ushtarake dhe armatosjen e popullit, duke precipituar situata në plaçkitje e në luftë civile mes shqiptarësh.
Protestat e para
Protesta e parë që u zhvillua për zgjidhjen e krizës, ishte ajo e 16 janarit në Vlorë. Më 19 janar zhvillohet në Tiranë një protestë e kreditorëve të “Sude”-s. Më 24 janar, filloi “de fakto” rebelimi. Me mijëra banorë të Lushnjës, shpartallojnë forcat e policisë dhe djegin bashkinë e qytetit. Një ditë më vonë, më 25 janar, Tritan Shehu, kryetar i PD, shkon në Lushnjë për të zgjidhur situatën. Pas mbërritjes atje, ai kapet “rob” i mbahet për disa orë peng në stadiumin e qytetit. Ndërhyrja e FRPD së qytetit, shpëtoi vendin nga një atentat me pasoja të rënda. Ndërkohë gjatë paradites në qytet, u plaçkitën, shkatërruan dhe dogjën institucionet në qytet. Më 26 janar, digjet bashkia e Vlorës, kurse më 27 janar digjet bashkia e Peshkopisë. Protestat në fillim ishin ekonomike, por më pas ato u drejtuan kundër qeverisë dhe kundër presidentit Sali Berisha, sidomos në qytetin e Vlorës. Më 4 shkurt fillon shpërndarja e një pjese të parave të humbura. Shpërndarja e tyre në sportelet e Bankës Kombëtare Tregtare e zotëruar nga shteti, krijoi efektin e rënies së firmave të tjera, pasi njerëzit filluan të besonin se paratë i kishte vjedhur qeveria. Në 5 shkurt 1997, falimenton firma “Gjallica”, ndërsa në 6 shkurt 1997 rifillojnë protestat e dhunshme në Vlorë. Në 9 shkurt 1997 në Vlorë, sulmohet Komisariati i Policisë, ndërsa një ditë më vonë po në Vlorë, 50 efektivë të forcave speciale sulmohen dhe shpartallohen barbarisht. Ditët në vazhdim, ishin ditë tragjike për Vlorën dhe më pas për krejt jugun e vendit.
Marsi 1997, “plaga” e jetës shqiptare
Muaji mars 1997 do të mbetet në historinë e Shqipërisë, si muaji i tragjedisë më të rëndë të vendit, për vetë faktin që gjatë këtij muaji në vitin 1997, Shqipëria dhe shqiptarët përjetuan dramën e tyre më të madhe njerëzore dhe ekonomike. Ndërsa u dogj krejt vendi prej rebelimit popullor për shkak të piramidave mashtruese financiare të ndërtuara prej pushtetit të Sali Berishës, u vranë dhe afro 3000 shqiptarë. E gjithë kjo tragjedi e madhe ekonomike e njerëzore që pllakosi vendin, pati si pikënisje dhe nxitje piramidat mashtruese qeveritare, por vazhdoi prej qëndrimit absurd e çmendarak të ish-presidentit Sali Berisha, i cili nuk pranonte të largohej nga super-pushteti i tij absolut edhe pse populli po vritej dhe Shqipëria po digjej. Revolta popullore nisi në Vlorë dhe përfshiu krejt jugun dhe vendin, aq sa shteti ra përtokë, ndërsa populli u fut në luftë civile, duke mbetur jashtë kontrollit të shtetit. Pushteti “Berisha” veproi dhunshëm mbi popullin, duke arritur deri në atë pikë, sa vërsuli dhe avionët luftarakë kundër tij. Me një ligj parlamenti, Berisha pasi u vetëshpall president për herë të dytë në gjendje lufte, dekretoi si gjeneral të ushtrisë, të policisë e të gjithë komandës së vendit, ish-shefin e SHIK, shërbëtorin e tij kriminal Bashkim Gazidede. Nën komandën e tij, SHIK, ushtria dhe policia e degraduar dhe shkrehur e pushtetit “Berisha”, nisi luftën kundër shqiptarëve që kërkonin largimin e Sali Berishës nga pushteti dhe të bandës së tij qeveritare dhe shtetërore e cila e çoi vendin në luftë civile dhe në zjarr, duke e bërë shkrumb e hi.
Lëvizja popullore kundër piramidave
Lëvizja popullore kundër pushtet-sundimit piramidal të Sali Berishës e krijoji bazën e saj të rebelimit anti-qeveritar në jug të vendit, konkretisht në rrethet Tepelenë, Vlorë, Gjirokastër, Sarandë, Delvinë, Përmet. Në 180 ditët e kaosit dhe tmerrit që përfshiu këtë zonë dhe krejt vendin në muajt janar-qershor 1997, pushteti nxiti dhunën policore e ushtarake kundër popullit të rebeluar prej piramidave, ndërsa shteti e humbi kontrollin në çdo qelizë të funksionimit të tij. Askush nuk e mendonte, se pas 6 vitesh pushtet absolut të Sali Berishës deri me kontroll mbi çerdhet e fëmijëve, Shqipëria do të gjendej përballë një lufte civile mes shqiptarësh, të ndarë gjatë rebelimit në “transhe” politike, me objektiv mbarëpopullor, anti-pushtet të Sali Berishës. Shqiptarët nuk e kishin menduar në asnjë moment, se “paratë e tyre të pastra” siç i cilësoi themeluesi i piramidave financiare Berisha, do të zhdukeshin prej “bankierëve” të rinj të pushtetit të Sudes, Xhaferrit etj. Ishte një çmenduri popullore e cila pati një fund tragjik, që tashmë e dimë të gjithë: qeveria vodhi nëpërmjet firmave, firmat mashtruan shqiptarët, këta të fundit të mbetur edhe “pa brekë”, u ngritën e iu vërsulën qeverisë, pushtetit, shtetit, ekonomisë kombëtare e gjithçkaje që u dilte përpara, madje edhe njeri-tjetrit me urrejtje, hakmarrje e përleshje të armatosura. Kjo pamje ishte prezente dhe në rrethin e Tepelenës, i cili ishte një nga tre epiqendrat kryesore të revoltës popullore kundër pushtet-sundimit të Sali Berishës. Tepelenasit u ngritën jo thjeshtë dhe vetëm për piramidat që u zhvatën edhe mullarët e barit, por edhe kundër pushtet-represionit policor, politik, ekonomik, financiar e krahinor që kishte instaluar dhunshëm sundimtari despotik Sali Berisha në vitet 1992-1996. Të revoltuar prej humbjes së lekëve, tepelenasit u ngritën kundër pushtetit, duke shpërthyer depot ushtarake e duke u armatosur deri edhe tek fëmijët e shkollave fillore. Ndërsa një pjesë e banorëve të këtij rrethi, u armatos për vetëmbrojtje duke mbushur banesat me armë e municione deri mitrolozë, ata që nisën rebelimin, u vetë-shpallën “Komitet i Shpëtimit” dhe u strukturuan si ushtri, polici e zyra pushteti. Në fillim të muajit mars 1997, në Tepelenë nuk ekzistonte më pushteti dhe shteti i Sali Berishës. Zyrat ishin djegur, plaçkitur e pushtuar. Gjykatat, policia, prokuroria, burgu, bankat, shkollat, kadastra, hipoteka etj, po ashtu u bën gërmadhë. “Komiteti Shpëtimit”, vendosi kontroll të plotë mbi gjithçka. Në rrugë ishte “policia dhe ushtria” e rebelëve. Qarkullimi i njerëzve dhe mjeteve, bëhej me leje dhe me kontroll të rreptë të “Komitetit të Shpëtimit”. Rrugët u mbushën me postblloqe të armatosura. Të dilje nga rrethi i Tepelenës për të udhëtuar drejt Ballshit, apo Gjirokastrës e Përmetit, duhej të pajiseshe me “fletë-leje” nga komiteti. Shtabet qendrore të “Komitete të Shpëtimit”, në mungesë të shtetit, emëruan shefa komisariati, kryeprokurorë, drejtorë burgjesh, drejtorë spitalesh, kryetarë komunash e bashkie, drejtorë shkolle, komandantë repartesh ushtarake etj, të gjithë nga njerëzit e “Komiteteve”. Në Tepelenë, në luftën civile të muajve janar-qershor 1997, janë plagosur 367 persona, janë zhdukur 18 persona, janë vrarë 47 persona, janë kapur e janë torturuar 290 nëpunës shteti e oficerë policie, ushtrie e SHIK-u dhe studentë ushtarakë, janë regjistruar 560 raste grabitjeje në rrugë, janë djegur 53 institucione shtetërore, janë plaçkitur 640 zyra të pushtetit lokal e qendror, janë plaçkitur 11 shkolla, janë plaçkitur e janë djegur 15 depo qendrore ushtarake, 140 biznese private. Rezultati: Tepelena u bë shkrumb e hi, qindra familje përjetuan humbjen e të afërmve të tyre, si pasojë e hakmarrjes politike dhe luftës civile mes tepelenasve.
Profili i firmave piramidale shqiptare në pushtetin “Berisha”
Firma “Sudja”
Kjo firmë u krijua në 29 mars 1993, nga Maksude Kadëna, një rome që kishte punuar në fabrikën e këpucëve. Kjo firmë ekzistoi në gjysmë-ilegalitet deri në vitin 1996, kur dy javë para zgjedhjeve u regjistrua tek e njëjta gjykatë dhe gjyqtare ku u regjistruan Xhaferri dhe Populli. Loja e parë mashtruese e “Sude”-s e quajtur “Fitorja” është pranuar si iniciativë personale e Rapush Xhaferrit. “Sudja” nuk kishte llogari bankare, prandaj me falimentimin e saj humbën edhe paratë e futura aty. E çuditshme është, se kur u arrestua Sudja u gjet duke ngrënë bukë me gjizë në një apartament të shkatërruar. Falimentimi i saj nxiti disa protesta në Tiranë, ku ishte edhe zona e saj e veprimit.
Firma “VEFA”
Firma piramidale “VEFA Holding” ishte firma kryesore piramidale. Ajo u krijua në 29 mars të vitit 1994 nga Vehbi Alimuça dhe u shtri në gjithë vendin. VEFA investoi në fusha të ndryshme të ekonomisë, si hotele, karburante, dyqane dhe fabrika. I njohur është atentati me bombë disa javë para zgjedhjeve të 26 majit 1996, tek supermarketi i “VEFA” në qendër të Tiranës. Firma piramidale “VEFA” ishte “skeduar” si firma rentiere e PD. Ajo falimentoi në vitin 1998, ndërsa presidenti i saj, përfundoi në burg.
Firma “Gjallica”
Firma rentiere Gjallica u krijua nga 3 ish-efektivë të Sigurimit të Shtetit, me origjinë nga Kukësi. Presidente e kësaj firme ishte Shemsie Kadria. Gjallica e kishte qendrën e saj në Vlorë. Firma falimentoi më 29 mars 1997, duke nxitur protestat e dhunshme në Vlorë, që më pas u kthyen në rebelim kundër qeverisë “Berisha” që i lejoji dhe i legalizoi këto firma piramidale..
Firma “Demokracia Popullore-Xhaferri”
Kjo firmë u krijua në vitin 1995 dhe filloi të shtrinte veprimtarinë e saj në fshatrat e Lushnjes, Fierit dhe Beratit. Zyrtarisht, ajo ishte një “fondacion”, por në fakt u bë një nga firmat më të ashpra piramidale të vendit. Drejtuesi i saj, Rrapush Xhaferri u arrestua më 22 janar 1997, gjë që nxiti demonstratat e dhunshme të 24-25 janarit në Lushnjë.
Firma “Populli”
Kjo firmë u krijua më 30 mars 1996 dhe u shtri në të njëjtat zona si edhe firma “Xhaferri”. Presidenti i saj ishte Bashkim Driza, ish-agjent i Sigurimit të Shtetit. Ai bashkëpunoi thellësisht me partitë politike shqiptare majtas e djathtas, duke financuar fushatat dhe gazetat e tyre. Gjatë trazirave të vitit ’97, ai u largua me një helikopter amerikan.
Lista e plotë e firmave piramidale shqiptare
1. Hajdin Sejdia
2. Gjallica
3. VEFA
4. Populli
5. Demokracia Popullore-Xhaferri
6. Kamberi
7. Cenaj
8. Silva
9. Malvasia
10. Kambo
11. Grunjasi
12. Dypero
13. Bashkimi
14. Beno
15. Pogoni
16. B&G
17. Kobuzi
18. Arkond
19. Adelin
20. A.Delon
21. Agi
22. Çashku
23. M.Leka Company
24. Global Limited Co.
25. Sudja
Diskutime rreth kësaj post