Viti 2016 është viti, kur kombëtarja kuqezi do të debutojë në finalet e një kompeticioni prestigjioz, siç është ajo e kampionatit Europian të Futbollit “Francë 2016”.
Lidhur me këtë arritje, tekniku Shpëtim Duro, është shprehur me vlerësime maksimale për ecurinë e kombëtares dhe besim plotë për ecurinë e saj në kompeticionin në fjalë, që pritet të nis në muajin qershor dhe që do të zgjase diçka më shumë se një muaj.
“Vlerësimi për ekipin kombëtar është maksimal në sensin pozitiv sepse është arritur një objektiv historik me pjesëmarrje në një Europian. Jam i bindur që paraqitjet e ekipit tonë në Francë do jenë pozitive sepse kemi një organikë të mirë lojtarësh”, tha Duro gjatë intervistës për ATSH-në.
Tekniku Duro gjithashtu theksoi se skuadra kuqezi nuk ka ndonjë lojtar që bën diferencën, por sekreti i kuqezinjve është grupi dhe entuziazmi që japin dhe marrin nga publiku besnik që e ndjek gjithnjë.
“Përkrahja dhe mbështetja do jetë e madhe nga tifozeria mbarëshqiptare dhe në aspektin psikologjik nuk jemi të ngarkuar duke patur parasysh se kemi arritur një objektiv madhor, duke marrë pjesë në këtë kompeticion të rëndësishëm. Tek skuadra jonë nuk ka lojtar që bëjnë diferencën, por ajo mbështetet në funksionimin e lojës në grup që është një armë dhe element shumë i rëndësishëm ku duhet të bazohemi”, vijoi Duro.
Ai gjithashtu uroi kombëtaren shqiptare për të arritur rezultate sa më të mira. “Nuk kam sugjerim por një urim për De Biazin dhe skuadrën tonë për paraqitje sa më pozitive në Europian”, tha ai. Kujtojmë qe Kombëtarja Shqiptare e Futbollit është pjesë e grupit A, në finalet e Europianit “Francë 2016”, së bashku me Zvicrën, Francën dhe Rumaninë.
Diskutime rreth kësaj post