Partia Agrare Ambjentaliste ka shpërndarë një deklaratë për mediat në mbrëmjen e së enjtes kur mbeten vetëm 24 orë nga afati për të zyrtarizuar listat e kandidatëve për deputetë në KQZ. Partia e Dukës ka negociuar me Partinë Demokratike për një marrëveshje të përbashkët, por mesa duket palët nuk kanë gjetur ende një marrëveshje. Megjithatë PAA thotë se është e gatshme të dalë edhe vetëm në zgjedhje.
“PAA prej rreth 8 muajsh ka prezantuar në çdo qark kandidatët e saj për deputetë dhe sot ajo është e gatshme të jetë pjesë garës elektorale në të gjitha format dhe kushtet: më vete, por edhe nën siglën e Partisë Demokratike, përkrah të cilës zhvilluam betejën e madhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme” –thuhet në njoftim.
“Partia Agrare Ambientaliste nuk synon të bëhet pjesë e një procesi në të cilin të konsiderohet si numër, qoftë ky votash apo mandatesh, por i një procesi cilësor në pjesëmarrjen dhe përfaqësimin nëpërmjet garancive të dhëna. Partia Agrare Ambientaliste është duke negociuar me aleaten e saj, Partinë Demokratike, vetëm mbi bazën e këtyre termave: garancisë së përfaqësimit dhe garacitë për mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe çështjeve që ne mbrojmë” –thuhet në njoftim.
Diskutime rreth kësaj post