Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka u shpreh në një prononcim për medie, se mbështet një bashkim opozitar në zgjedhjet lokale. Ai tha se ndërkohë që opozita nuk ka nisur ende organizimin, Partia Socialiste e ka nisur fushatën.
“Kam ndjekur me vëmendje qëndrimin e demokratëve të Mirditës, të shprehur nga Alfred Duka, i cili nuk sintetizon vetëm vullnetin e tyre për bashkim përpara zgjedhjeve vendore brenda radhëve të Partisë Demokratike, por edhe një kambanë alarmi për opozitën në të gjitha grupimet e saj, pasi zgjedhjet vendore janë pak muaj larg dhe koha nuk pret. Përtej pakënaqësive midis palëve brenda PD-së, është jetike për vendin që ky ngërç të tejkalohet sa më parë në forcën kryesore të opozitës, sepse ndërkohë që ne nuk kemi nisur ende organizimin, Partia Socialiste e ka nisur fushatën”, u shpreh ai.
Sipas Dukës, përsëritja e gabimeve të së shkuarës do të ishte edhe më fatale, pasi qytetarët më shumë se kurrë, kanë nevojë të përfaqësohen nëpërmjet opozitës në institucionet e pushtetit vendor. Ai tha se kjo mazhorancë nuk ka asgjë për të ofruar.
“Përsëritja e gabimeve të së shkuarës do të ishte edhe më fatale, pasi qytetarët më shumë se kurrë, kanë nevojë të përfaqësohen nëpërmjet opozitës në institucionet e pushtetit vendor, sepse është e qartë për të gjithë që kjo mazhorancë nuk ka asgjë për të ofruar dhe vetëm çorganizimi ynë, lejon qëndrimin e saj në pushtet. Ndaj mbështes qëndrimin e demokratëve të Mirditës dhe urojë që ky vullnet i mirë, të përhapet në gjithë Shqipërinë. Inkurajoj gjithashtu të gjitha forcat opozitare të organizohen një orë e më parë, për të gjetur pikat e bashkëpunimit, të bazuara mbi vlerat e përbashkëta dhe ambiciet për të përfaqësuar sa më mirë qytetarët shqiptarë, duke i dhënë fund monopolit antidemokratik të mazhorancës aktuale. Si një politikan me një përvojë të gjatë, që në asnjë moment nuk kam vendosur interesat për pushtet mbi qëllimet e përbashkëta, ndiej përgjegjësinë qytetare që të hedhë një hap në drejtim të bashkimit të opozitës në funksion të zgjedhjeve vendore, duke mbështetur rezolutën e demokratëve të Mirditës si një platformë që i vlen të gjitha partive opozitare”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post