Ben Blushi nuk ka mundur të sigurojë asnjë mandat parlamentar nga 20 mijë votat në rang vendi, që ka marrë partia e tij LIBRA, por për herë të parë në jetën e tij politike, Blushi ka marrë një përgjegjësi publike: atë të humbjes.
Ndërsa ka pranuar se përgjegjësia është vetëm e tij, paradoksalisht, ndonëse e ndien veten humbës, Blushi premton se do bëjë çdo gjë të jetë e mundur që LIBRA të vazhdojë si projekt, duke lënë të kuptohet se do të vijojë të jetë kryetar i saj.
Paradoksalisht, sepse ndër mend të vijnë deklaratat e Blushit për doreheqjen e Ramës në 2009, me pretendimin se kishte humbur zgjedhjet dhe e kishte lënë PS në opozitë.
Këtë parim që e mbronte me aq zell në kohën kur i shpalli luftë të hapur Ramës, Blushi me sa duket e ka harruar. Në fakt, kjo nuk është hera e parë kur Blushi shkel idetë dhe kërkesat moraliste për të cilat ka bërtitur më shumë vetë, brënda dhe jashtë PS.
Ishte Blushi ai që kërkonte zgjedhje të lira për kryetar në PS dhë në anë tjetër u vetëzgjodh kryetar I LIBRA-s pa zgjedhje.
Ishte Blushi ai që akuzonte Ramën se e kishte shndërruar PS në një ndërmarrje private, të varur nga autoritarizmi i tij dhe në anë tjetër, 5 themelues të LIBRA-s e braktisin atë para fushate, duke e akuzuar për autoritarizëm në vendimarrje.
Ishte Blushi ai që shpalli mortin e demokracisë brenda PS dhe në anë tjetër, u akuzua nga të larguarit e LIBRA-s, se në listat për deputetë vendosi njerëz meskinë, injorantë prapaskenikë.
Mosdhënia e dorëheqjes nga LIBRA, tregon për të disatën herë se moralizmi politik që ai përdori, herë si megafon kundër Ramës, herë si kartë elektorale, ka qënë vetëm një falsitet politik.
Dorëheqja do të ishte akti më i lartë moral i një politikani, që siç deklaron Blushi për veten, “e ndien veten përgjegjës”.
Diskutime rreth kësaj post