Banorët e Bërxullës, kanë filluar protestën sërish për kompensimin e drejtë të pronave të tyre dhe mbi të gjitha, për transparencë të projektit që po kryhet, pasi askush nuk i ka informuar se çfarë po zhvillohet në zonë.
“Ne kemi vendosur të rrimë e të jetojmë në këtë zonë, në këtë vend të bukur dhe të ushqejmë familjet tona me ato prona që kemi. Mirëpo dhe këto pronat na i morën, – tha njeri prej tyre. – Unë kam bërë një kallëzim në Policinë e Vorës për shkelje prone. U bënë 6 muaj, asnjë lloj përgjigjeje. Absolutisht! Këtu mund të ketë shumë të fshehta që ne nuk i dimë sepse nuk na tregohet gjë. Këtu s’vënë një tabelë që të thotë “ky aks ka këto parametra, ka këtë shpejtësi, ka këto e këto që i kërkohen firmës, por firma e ka mbyllur ”çelësin” , e ka mbyllur hesapin me qeverinë.
“Qeveria nuk ndihet fare. As do ta dijë dhe del pa pikë turpi fare Kryeministri në parlament dhe tha që do t’ua bëjë nga 3 milionë e ca rrogat atyre pushtetarëve që janë aty në parlament, deputetëve. Deputeti të vijë këtu e ta marrë miratimin e popullit sa rrogë duhet t’i japë populli atij, se nuk është parë me sy asnjëhërë. As njeri, as tjetri! Prandaj kjo është komplet mbrapsht! Mjerë për këtë popull!”, – tha ai.
Një banor i fshatit Arrameras shtoi se në fshat po vazhdojnë punimet, po ndërtohet një urë e madhe në rrugën kryesore.
“ Është e bllokuar, tabelë s’ka dhe unë që dua të hyj në shtëpinë time, nuk kam nga të hyj se e kam rrugën të bllokuar. As na ka lajmëruar njeri, asgjë. Ok duan ta bëjnë, le ta bëjnë, por ta bëjnë në mënyrë ligjore, jo të paligjshme. Se çfarë kanë nënkotraktuar ata ne nuk e dimë, rrugën kryesore po e bëjnë, po ne nuk jemi të informuar për asgjë. Duam të hyjmë në shtëpi, s’kemi nga hyjmë”, tha njëri nga banorët.
Diskutime rreth kësaj post