Sidoqoftë, popullariteti i «Sputnjikut» është vetëm një shqetësim më shumë në kuadër të drojës së Bashkimit Europian kundrejt ndikimit të Moskës – dhe implikimeve të tij në destabilizimin e rajonit – në Ballkanin e trazuar. Theresa May, kryeministre e Mbretërisë së Bashkuar, u ka vërë thirrje krerëve të Bashkimit Europian që «të bëjnë më shumë për t’iu kundërpërgjigjur fushatave dezinformuese destabilizuese ruse dhe për vënien në pah të zotimit perëndimor» ndaj Ballkanit. Donald Tusk, president i Komisionit Europian, ka deklaruar se «ndikimet e huaja të pashëndosha» kanë nxitur tensionet dhe ka «shtete destabilizuese».
Strategjia e Rusisë në vitet e fundit ka përfshirë edhe përdorimin e «Sputnjikut» – dhe më shumë se njëzetë mediume të tjera pro-Kremlinit – për «destabilizimin e rajonit dhe për diskreditimin e Bashkimt Europian dhe të ambicieve të Serbisë për anëtarësim», ka theksuar Jelena Miliq, drejtoreshë e CEAS-it, grup i pavarur mendimi që mbështet politikat pro-NATO-s. Moska ia ka dalë me sukses ta portretizojë veten si partnere në vëllazërinë pansllave të vjetër shekuj me radhë, thekson ajo. Sipas saj Moska ia ka dalë të shesë edhe pretendimin se është mbrojtëse e interesave të Serbisë, duke folur zëshëm në favor të pretendimit serb për Kosovën dhe me bllokimin e rezolutës së Kombeve të Bashkuara për masakrën e Srebrenicës më 1995.
Si rezultat i kësaj, ka përkrahje në rënie për anëtarësim në Bashkimin Europian në mesin e serbëve, kanë treguar anketimet e fundit. Megjithëse shkalla e papunësisë është në rënie në vendin me shtatë milionë banorë, një e pesta e fuqisë punëtore është aktualisht e papunë. Shumëkush mbivlerëson investimin dhe qarkullimet tregtare ruse krahasuar me lidhjet ekonomike me Perëndimin. Çereku i serbëve beson se Rusia është donatori më i madh i vendit – në fakt, Moska nuk është as në mesin e pesë donatorëve më të mëdhenj.
Ka shenja të reagimit perëndimor. Kompania amerikane e investimeve KKR – që në mesin e partnerëve të saj ka edhe ish-drejtorin e përgjithshëm të CIA-së, David Petraeus – gjithashtu ka në pronësi një kanal televiziv dhe ka kompaninë më të madhe të internetit dhe sistemin kabllor. BBC-ja ka bërë të ditur gjatë muajit se planifikon ta rihapë kanalin e saj në gjuhën serbe në Beograd më 2018 – shtatë vite pas mbylljes së shërbimit në gjuhën serbe. Buxheti i saj – fonde të Qeverisë britanike – do të jetë fillimisht modest : rreth gjashtëqind mijë sterlina në vit.
Shërbimi serb i BBC-së do të punësojë fillimisht 20 persona për stafin lokal, krahasuar me «Sputnjikun» që i numëron 30 sosh, e që refuzon të deklarojë të hyrat dhe vizitorët më të veçantë. Në një shkrim të publikuar së fundi serbisht në «Sputnjik», lavdërohej presidenti turk, Rexhep Taip Erdoan me pretendimin se akuzonte paqeruajtësit holandezë për vrasjen e tetë mijë boshnjakëve gjatë masakrës së vitit 1995 në Srebrenicë në Bosnjë. Në një shkrim të publikuar në gjuhën angleze në webfaqe thuhet se Perëndimi dëshironte «gjak nëpër rrugët e Shkupit» në kuadër të projektit të Shqipërisë së Madhe.
Por kjo qasje po gëzon besimin e disa gazetarëve lokalë, të cilët thonë se toni i kësaj redaksie është i butë krahasuar me shumicën e tabloideve lokale serbe, të cilat shpesh nxjerrin shkrime me sulme personale dhe me lavdërime heroike për presidentin rus, Vladimir Putin.
Prezantues, si puna e Urosh Bobiqit, ish-gazetar i BBC-së që mbeti pa punë pas mbylljes së programit serbisht më 2011, fitojnë shumëfish më shumë krahasuar me punën që do t’u shpërblehej nëpër gazetat lokale dhe thonë se i kanë duart të lira për të punuar për qejfi. «Ka një mozaik mediesh të polarizuar shumë» e pranon Milorad Vuçeliq, i cili kishte drejtuar emetuesin publik gjatë kohës së ish-presidentit serb, Slobodan Milosheviq. Ai tani e drejton «Peçat», e përjavshme që me entuziazëm mbështet politikat qeveritare dhe që i përshkruan disa prej mediumeve rivale si «llum» për shkak të përmbajtjes që ofrojnë.
«Dallimi është se mediat pro-ruse kanë lexues të abonuar, mirëpo jo edhe mediat pro-perëndimore», thekson Vuçeliq. Ai mendon se lexuesit e tij ngaherë nuk i besojnë BE-së «hiperkritike». Zonja Milinçiq ka deklaruar se «Sputnjiku» është i kënaqur me apetitin lokal për prizmin rus ndaj lajmeve. «Jam e shqetësuar me sjelljen perëndimore se ata duhet të jenë që vendosin për nivelin e ndikimit rus këtu», thekson ajo. «Është në dorë të shteteve të pavarura që të vendosin për këto punë».
Pavarësisht prej krizës së madhe dhe dyshimeve të BE-së për prospektet e anëtarësimit të Serbisë në bllok, një zyrtar i lartë i BE-së ka këmbëngulur se fuqia e joshjes së bllokut do të jetë më e madhe se çfarëdo alternativash ruse. «Sa herë që shtetet e BE-së flasim me një zë, askush nuk mund të na rivalizojë», ka deklaruar diplomati. Kjo nuk i mbush mendjen Vuçeliqit: «E vërteta është se më askush nuk i beson këtij pretendimi».
Diskutime rreth kësaj post