Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka deklaruar se kryeministri Edi Rama ka shkelur Kushtetutën e vendit me dërgimin e draftit drejt Gjermanisë dhe Francës për zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës.
Duke folur në Radio Televizionin Publik Shqiptar, Ngjela tha se Rama ka shkelur ligjin themeltar të shtetit pasi nuk ka mbledhur as Parlamentin për këtë çështje.
Për këtë arsye, sipas Ngjelës Rama duhet të japë dorëheqjen.
“I gjithë problemi këtu është se Rama ka shkelur Kushtetutën, Rama është i zgjedhur me vota në Shqipëri. Nuk është monark absolut. Duhet ta kishte çuar në Parlament.
Kosova është shtet i pavarur. Po një draft për Italinë çon dot ky, po një Francën e çon ky? Ku e gjen këtë të drejtë. Ka shkelur Kushtetutën prandaj është bërë ashtu sikur po i del shpirti. Duhet të japë dorëheqjen”, theksoi Ngjela.
Ngjela shpjegoi se nuk mund të ketë drafte sekrete në demokraci dhe çdo akt që ka të bëjë me interesin e vendit, sipas Ngjelës duhet të merret mendimi i Parlamentit.
“Nuk mund të ketë në demokraci drafte sekrete ndërkohë që ti je i zgjedhur nga Parlamenti shqiptar dhe je i detyruar që çdo akt që ka të bëjë me interesin kombëtar do të duhet ta çosh në Parlament, me përjashtim të atyre takimeve që nuk i jep as mediave dhe i bën në interes të Shqipërisë që mund t’i japë historia.
Ai nuk mund të thotë që kam dërguar një draft dhe ne nuk dimë se cili është drafti. Kush është ky? Luigji i XIV.
Ka bërë gabim të rëndë shumë dhe kjo e ka rritur shumë tensionin. Ka mangësi edhe në funksion të së drejtës ndërkombëtare. Fakti që nuk po e nxjerrin ende se çfarë është, unë them që do të jetë një skandal i madh në dëm të interesit kombëtar”, është shprehur avokat Ngjela.
Diskutime rreth kësaj post