Drejtësia e re, aq e mirëpritur nga qytetarët shqiptarë, kishte për qëllim që të mbante larg duart e politikës nga gjykata dhe prokuroria. Kryeministri Edi Rama, i cili pëlqen të vetëquhet si “promotori i Reformës në Drejtësi”, ka dhënë garanci, si përherë të rrejshme, se, nga tani e tutje, drejtësia do të funksionojë e pavarur dhe e qetë nga politika.
Por, çështja “Tahiri” është një prej rasteve më domethënëse, ku politika, jo vetëm që nuk pranon që drejtësia të jetë e pavarur, por, përkundrazi, të jetë nën sulmin e saj nëse guxon të prekë një prej zyrtarëve të lartë politikë.
Media pranë qeverisë kanë vënë në shënjestër prokurorin e çështjes, Besim Hajdarmataj, i cili vetëm pak ditë më parë u shkarkua në mënyrë të paligjshme nga detyra e drejtuesit të Prokurorisë për Krime të Rënda, me një firmë të Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku.
Këto media, të cilat nuk reshtin së thururi lavde qeverisë, të dielën i janë vërsulur prokurorit Hajdarmataj, dukshëm me një koordinim të zyrës së propagandës së kryeministrit Edi Rama.
Gazeta ‘Dita” ka si kryeartikull: “Shantazhi ndaj Tahirit”. Në të gjithë shkrimin, gazeta nuk është marrë aspak me akuzat për ish-ministrin e Brendshëm, por i ka bërë një “analizë të detajuar” prokurorit Besim Hajdarmataj. Në tentativë për të sfumuar angazhimin e tij në dosjen “Tahiri”, gazeta “Dita” i atashon Hajdarmatajt dështimin për një çështje, e cila në fakt është në dorë të një tjetër prokurori, për të cilin media ka raportuar se është lidhje e Partisë Socialiste.
Gazeta “Tema” është vërsulur kundër prokurorit Hajdarmataj me të gjithë “artilierinë” e saj. kryeartikulli i gazetës është: “Presioni politik jep efekt, Saimir Tahiri ‘burgoset’ në shtëpi”. Kjo gazetë duket shumë e prekur nga masa ndaj ish-ministrit të Brendshëm. Botuesi dhe editorialisti i saj, Mero Baze, e ka përqëndruar shkrimin e tij të së dielës vetëm tek një element-goditje e ashpër ndaj Besim Hajdarmataj.
Gazeta “Shqiptarja.com”, një prej më të afërta me Tahirin kur ishte ministër i Brendshëm, sheh tek masa e sigurisë “Prokurorinë në sulm”. Njëlloj si gazetat më lart, edhe media e Carlo Bollinos mendon se vendimi ndaj Tahirit është një lojë e prokurorisë.
Gazeta “Sot”, megjithëse në sulm kundër prokurorit të çështjes, çuditshëm mban një qëndrim më neutral në titullin e saj kryesor: “Prokuroria kërkon sërish burgosjen e Tahirit. Gjykata vendos arrest shtëpia. Ja prapaskenat”. Edhe kjo gazetë nuk ndryshon nga të tjerat-e gjen fajtorin e arrestit të Tahirit tek Besim Hajdarmataj. Por, ndryshe nga ato më lart, ‘Sot” nuk duket aq e afeksionuar ndaj ish-ministrit të Brendshëm.
Diskutime rreth kësaj post