Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është në një moment shumë të vështirë të karrierës së tij politike. Partia Demokratike ka publikuar vendimin e dënimit të vëllait të tij, Agron Xhafaj, në Itali, për pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Vëllai i ministrit të Brendshëm është dënuar me 7 vjet e dy muaj burgim, me një vendim të Gjykatës së Kasacionit në Romë, në vitin 2012 dhe që është zbardhur në vitin 2013. Deri para pak ditësh, publiku në Shqipëri nuk e dinte se Agron Xhafaj ishte dënuar. Por, në zyrat e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, me shumë gjasë, ky informacion është ditur.
Por, çfarë ka ndodhur tani, që nxiti nxjerrjen nga sirtarët të këtij vendimi? Partia Demokratike deklaroi se e kishte gjetur vendimin nga burimet të saj. Fatmir Xhafaj tha se vendimi mund të gjendej lehtësisht on-line, por ai nuk mbante përgjegjësi për aktivitetin kriminal të të vëllait.
Në fakt, vendimi duket se i është servirur Partisë Demokratike nga njerëz të klanit “Tahiri” që vijojnë të jenë ende në Policinë e Shtetit. Në këtë mënyrë, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i përcolli mesazhin e parë Edi Ramës se, nëse do të vendosë për arrestimin e tij, pasojat do të vijojnë të jenë të rënda për qeverinë dhe vetë Edi Ramën.
Në daljet e fundit publike, Saimir Tahiri i ka përcjellë disa mesazhe të koduara ish-shefit të tij. Për opozitën, kjo mënyrë komunikimi është tipike e kodit mafios. Në fakt, publikimi në këtë moment i vendimit të dënimit për vëllain e Fatmir Xhafës krijon përshtypjen se, më shumë se sa zbulim i Partisë Demokratike, është një lëvizje nën rrogoz e klanit “Tahiri”.
Ky ishte mesazhi i parë. Të shohim kundërpërgjigjen.
Diskutime rreth kësaj post