Lëvizjet nepotike dhe hakmarrëse të “Çetës Imami”
Bardhyl Hoxha ka qenë komandant i Brigadës Logjistike. Ka pasur të gjitha tenderët, fondet dhe bazën material të ushtrisë. Është lëvizur nga detyra, i është dhënë grada gjeneral me meritën se është “dibran”, është emëruar komandanti i Akademisë, ku mëson gjithë të rinjtë akademikë “artin dibran” të drejtimit të ushtrisë.
Bindjet e këtij titullari kanë qenë në fillim me PS-në, por i shpëtoi reformës si “dibran” për ndryshim të bindjeve politike me PD-në.
Gjeneral Hoxha në vazhdën e hakmarrjeve të tij largoi fillimisht nga puna vëllain e gjeneralit Abaz Lleshi dhe ky i fundit i largon gruan Hoxhës nga vendi i punës në shenjë hakmarrje.
Pastaj largohet nga puna major Durim Islami, edhe pse ishte patriot i shefit të shtabit dhe nuk e dërgojnë në Akademi, duke e votuar me minimumin e pikëve, ndërsa shefat lart heshtën për një vendim të tillë.
Shkëlzen Mëhilli dhe Pëllumb Cani janë ndër të besuarit kryesorë të ministrit aktual, shefit të shtabit Gjunkshi, gjeneral Hoxhës dhe të tjerë, ku këta të dy janë përdorur dhe vazhdojnë të kryesojnë në lëvizjet jashtë, emërimet, gradat, dietat etj, duke kryer në mënyrë të mirëfilltë rolin e shërbëtorëve të bindur të kupolës ushtarake të shtetit shqiptar.
Pas shfaqjes në media të demontim-municioneve, shkarkohet nga detyra Mhilli duke e “ndëshkuar” me dërgim për studime në Akademinë Ushtarake në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe më pas “rindëshkohet” dhe me fort duke u emëruar komandant i batalionit të sigurisë.
Po ashtu Pëllumb Cani, krahu i djathtë i të lartëve, menaxhon fuqishëm përfitimet e dala nga municionet, karburanti, emërimet, gradat dhe së fundmi dietat, ku luan fort mirë rolin e sekserit duke marrë 20% in për tu nxjerrë dietat e pamarra që nga 2011 apo akoma më keq kur abuzon me emrin e shefit të shtabit për përfitime të tjera duke cenuar integritetin e Gjunkshit si figurë ushtarake. Zotërinjtë e lartpërmendur, mashat e liderëve aktualë të ushtrisë shqiptare, dhe pse vazhdojnë të shkollohen në Akademinë Ushtarake, ata nuk plotësojnë kriteret e NATO-s.
Luan Shaba, pas shpërthimit të depove të Tepelenës, i gjithë bronzi është shitur për interes të Mëhillit dhe njerëzve të tij lart. Sigurisht si i besuari i dërguar nga lart, duke mos i mjaftuar Tepelena, përsëritet historia në Pashaliman ku ai dhe shoferi i tij plagosen pasi po nxirrnin bronz nga predhat e minave detare, ku u vërtetua nga ekspedita amerikane dhe më pas u shkarkua nga Mediu. Sigurisht pasi u shkarkua, vendin e tij e zunë miqtë e të dërguarve nga lart për të ruajtur sekretet. Mund të përmendet në këtë rast se në mungesë të predhave, ku u nderua Topi si president, dhe në kundërshtim me të gjitha rregullat e ushtrisë, u përdorën minat pasi predhat u çuan për skrap si shumë armatime tjera.
Ndriçim Sollaku, i shkarkuar në kohën e ish-ministrit të mbrojtjes Zhulali, pasi mbrojti interesat e tij, emërohet në ministri familjarisht, kuptohet pasi ndërron bindjet politike, si komandant i misionit në Bosnje dhe më pas në vend të Canit për të vazhduar përfitimet për interesat e të lartpërmendurve gjithmonë.
Në ministrinë e Mbrojtjes dhe në ushtrinë shqiptare lëvizjet nga pozicionet e punës dhe shkarkimet kanë qenë më të paligjshmet e ndodhura ndonjëherë. Të gjithë personat e lartpërmendur, si dhe Z.Nezir Marku, Ahmet Palluçi, Perikli Tiko etj, punojnë për të lartpërmendurit dhe pse nuk plotësojnë kriteret e kohës së qëndrimit në ushtri dhe të gradës dhe dalin në lirim ushtarakë që s’kanë plotësuar kohën e qëndrimit dhe kanë gjithashtu grada dhe merita në ushtrinë shqiptare.
Vetëm në ushtrinë shqiptare paaftësia merr pozicione të larta, flasin vetë lirimet dhe punësimet e “periudhës së shndritshme” të vlerave të ushtrisë shqiptare.
Gjunkshizmi harron dhe katolikët në emërimet e reja dhe në prioritetet e ushtarakëve, mesa duket çorba e Turqisë dhe myslimanizmit i rri ende në stomak e kundërmon bindje antifetare duke qenë si kundër ambasadës amerikane, Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Sandër Lleshit, pasi ai është shkolluar në Amerikë dhe Gjermani.
Lihet pa punë Agron Zeqo, pasi nuk plotëson kriteret e Imamit, Gjunkshit dhe Hoxhës.
Dërgohen në Akademi të Ushtrisë pa vendimin e komisionit, por me vendime familjare si njerëz të besuar: Liza Kamberi, Lul Florini, Rudina Kadriu, Bardha Pali (Palluçi, Marku), Pëllumb Cani etj, persona të cilët janë të lidhur ngushtë me trion Imam, Gjunksh dhe Hoxhë. Lëvizjet e personave të pabindur ndaj shefave të lartpërmendur si: Riza Shiqiruka, Adem Halili, Durim Islami, Selim Troci, Xhevdet Zeneli etj, të cilët janë zëvendësuar me të nënshtruarit e shefave sigurisht.
Në vend të Xhevdet Zenelit vihet ish-shefi i SHIU-t, Ylli Zylaj. Ylli Zylaj dihet dhe mediatikisht që dha dorëheqjen për konflikt interesash dhe riemërohet prapë për kontratë interesash dhe pse në pozicion tjetër.
Artan Meçe, ish-shefi i krimeve, shkarkohet si i pabindur ndaj shefave lart dhe plotësohet me Zylajn, ky i fundit padyshim dibran.
Shkarkohet gjeneral Viktor Bërdaj për mosplotësim të ekuacioneve të interesat dhe zëvendësohet kaladibrançe me Zyber Dushkun.
Shkarkohet gjeneral Agim Lala dhe zëvendësohet me Bardhyl Hoxhën.
Emërohet jashtë kritereve komandant i forcave detare Qemal Shkurti, të cilit shpresojmë që pulëbardhat të mos i sulmojnë shqiponjën edhe pse ruhet nga lart.
Emërohet komandant i forcave ajrore Dhori Spirollari, jashtë kritereve, i cili duke mos qenë pilot, si duket e ka parë qiellin nga toka.
Emërohet Kreshnik Lusha, tropojan, drejtor i shtëpisë pushuese Jalë, nga ushtarak në civil.
Mehmet Mehmeti, tropojan, drejtor në qendrën e shtëpisë së pushimit, nga ushtarak në civil.
Drejtor i MEICO emërohet Granit Leka.
Shkarkohet Perikli Koliçi, dhe pse fiton proceset gjyqësore, nuk fiton gjyqin dibran.
Elez Sakti nuk gradohet gjeneral sepse është jashtë frymës gjunkshiste.
Në vend të z.Ylli Zyla emërohet menjëherë Ilir Balliu.
Ardian Demiri, ish shoqërues i Imamit, emërohet zv.drejtor i SHIU-t.
Nuk mund të lihen pa përmendur dhe imamishtat, gjunkshistat dhe hoxhistat e tjerë si: Edvin Kulluri, Sekretar i Përgjithshëm, Armand Tartari, shef i financës, Nexhmedin Shehu, drejtori personelit, të cilët lehin e heshtin sa herë u shkelin bishtin nga lart.
Kunati i shokut Xhemal!
Kunati i shokut Xhemal emërohet jashtë çdo rregulli nga civil në ushtarak në repartin 4306. Më pas nga ushtarak gradohet më lart dhe dërgohet në misione në Bosnje-Hercegovinë duke i shërbyer besnikërisht kunatit të tij. Nusja e kunatit të shokut Xhemal emërohet infermiere në brigadë logjistike dhe pas tre muajsh laborante në Spitalin Ushtarak. Djali i vëllait të shokut Xhemal “fton të pimë” në lokalin e vet tek 4306, pasi pesë repartet janë të detyruar të rrinë aty. Emërohet mbesa e shokut Xhemal financiere. Nusja e shokut Xhemal është pjesë e minierave në Burrel dhe në Dibër, ndërsa kunati ka oxhaqe.
Pas reagimit të fundit të opozitës, të besuarit e posaçëm bëjnë presione, lëvizje, shkarkime, shqyerje dokumentesh, shkrirje repartesh për të fshehur vjedhje të mëdha, të vërtetat e hidhura janë jo vetëm në armatim dhe municion por edhe në karburant, dieta, pjesë këmbimi, gradime, misione jashtë, etj.
Janë shitur dhe blerë objekte si SHQUP-i, qendra e mobilizimit, punëtoria ushtarake, Rradhima dhe shumë pjesë të tjera me vlerë dhe me dëm të madh për ushtrinë shqiptare.
Fondet minimale në blerjen e uniformave shkojnë deri në 15 miliardë lekë dhe pse uniformat janë jashtë çdo standardi evropian, sikur janë prodhuar në bodrumet e Elbasanit dhe në të njëjtën skuadër nuk mund të gjesh të njëjtën uniformë.
Shprehim ngushëllimet e mëdha për ekuipazhin e helikopterit të dytë, i cili nuk arriti të merrte pjesë në organizimin e lartmadhërisë pasi u dogj, megjithëse kishte kushtuar miliona euro dhe fatkeqësisht avionët e shitur prej aktrimit imamjan fluturojnë dhe sot qiellit të Serbisë.
Komandant Mëhillit i duhet përkëdhelur herë pas here xhepi në misionet që bëhen jashtë me diku tek 2000 euro për të gjithë pjesëtarët e grupit misionar, në të kundërt lista ndërrohet disa herë tavolinave sipas qejfit të shefave lart.
Misioni i fundit i Bosnjës e tregoi fare qartë efektivin e pesë ushtarakëve misionarë, ku të gjithë janë njerëz të shefit të shtabit dhe të Hoxhës, duke përfaqësuar Shqipërinë, dhe pse nuk përmbushin kriteret e misionit që do kryejnë.
Biza 2012
Ndër “sukseset” e mëdha të qeverisë shqiptare, dhe sidomos të ushtrisë, ishte dhe Biza 2012, ku në stërvitje me NATO-n dhe forca speciale ushtarake të vendeve tjera të BE, ishin dhe rreth 1000 ushtarë dhe ushtarakë të ushtrisë tonë. Një performancë e tillë e ushtrisë shqiptare të kujtonte herë pas here largimin e ushtrisë gjermane pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore me makina të shkatërruara, që dhe sot pas më shumë se gjysmë shekulli makinat tona mbeten rrugëve duke prishur dhe qetësinë publike. Ambientet lart ishin mrekulli si në kohët e partizanëve ku femrat dhe meshkujt laheshin në liqen dhe ushqimi ishte i pajisur me fruta dhe gjithçka tjetër vetëm ditën kur erdhën atashetë e vendeve tjera se ne jemi mësuar të hamë bukë thatë përditë e në sytë të mikut pëlcet tavolina. Stërvitja u bë në këmbë, pasi me urdhër nga lart nuk duhej të shpenzohej gjithë karburanti se i duhej shefit të shtabit për katër makinat që ka në shtëpi e që djali bredh rrugëve të bllokut me makinat e tij ku shoku Berisha thotë që do marrin makina me qira apo s’do këtë makina si më parë, mesa duket i paska katërfishuar makinat e bindësve të tij.
Biza ishte një fytyrë false e ushtrisë shqiptare, duke maskuar të vërtetën e problemeve, paaftësive në grada, mbarëvajtjen përgatitore të ushtrisë sonë që mbetet ende e padenjë për pozicionin që mban në NATO.
Diskutime rreth kësaj post