Dorëzohet Nishani, dekreton ministrat
Presidenti Bujar Nishani nuk i shkoi deri në fund bindjes së tij për të mos emëruar dy ministra derisa Parlamenti të vendoste më parë për dy dekretet e shkarkimit.
Të hënën në mesditë, Presidenca njoftoi zyrtarisht nxjerrjen e dy dekreteve të emërimit të Arben Ahmetajt tek Financat dhe të Milva Ekonomit tek Ministria e Ekonomisë.
Ky akt i jep fund krizës insitucionale dhe kushtetuese, e cila nisi të mërkurën, kur presidenti çoi në Kuvend vetëm dekretet e shkarkimit të ministrave.
Siç zyrtarizoi vetë mbrëmjen e së shtunës me kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, kreu i shtetit nuk po e shfrytëzonte afatin 7-ditor për të bërë kontroll formal për emërimet e reja, por shprehu bindjen se pa shkarkime nga Parlamenti nuk mund të ketë emërime nga presidenti.
Deri tani, Nishani nuk ka dhënë shpjegime sesi e krijoi këtë bindje, kur që nga momenti i marrjes së detyrës, 4 vjet më parë, ka firmosur 19 dekrete të shkarkimeve dhe emërimeve të njëkohshme të ministrave gjatë qeverisë Berisha dhe qeverise Rama.
Por, megjithëse presidenti Nishani e respektoi afatin kushtetutes 7-ditor, investimi i tij në Gjykatën Kushtetuese mbetet.
Kjo instancë gjyqësore e mori të hënën në mëngjes kërkesën e presidentit, por burime zyrtare thanë për Top Channel, gati dy orë përpara se të dilnin dekretet, se gjykata nuk sheh asnjë urgjencë për t’u mbledhur dhe për të marrë një vendim të menjëhershëm.
Kjo mund të ketë qenë një arsye përse presidenti u tërhoq nga vendimi i mëparshëm dhe i nxorri dekretet e emërimit brenda afatit kushtetues prej 7 ditësh.
Por mund të ketë edhe një arsye tjetër. Partia Demokratike heshti dhe nuk i doli në mbrojtje investimit të presidentit tek Gjyjata Kushtetuese. Burime zyrtare thanë për Top Channel se ky është një problem mes Presidencës dhe Qeverisë.
Të dyja palët, ende nuk kanë mbaruar punë së bashku për këtë çështje. Kushtetuta detyron edhe një bashkëpunim të fundit. Pas dekretimit, me gjasë të enjten, që të fillojnë nga detyra ministrat duhet të betohen tek presidenti.
/ Top Channel
Diskutime rreth kësaj post