Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha në Helsinki se shqetësimi i Turqisë është legjitim, duke komentuar kundërshtimin e Ankarasë zyrtare ndaj anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në aleancë.
Stoltenberg tha në një konferencë shtypi me presidentin finlandez Sauli Niinistö se asnjë anëtar tjetër i NATO-s nuk ka përjetuar aq shumë sulme terroriste sa Turqia dhe se shqetësimet e saj, si një anëtare e rëndësishme e aleancës, duhet të merren seriozisht.
“Kur një aleat i vlefshëm shpreh shqetësimin për terrorizmin, ne e marrim seriozisht,” tha shefi i NATO-s, sipas Reuters.
Dy liderët thanë se po punonin me Turqinë për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje midis tre palëve.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan akuzon Stokholmin dhe Helsinkin se pranojnë anëtarë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të cilën Turqia e konsideron një organizatë terroriste.
Presidenti finlandez tha të dielën se vendi i tij “nuk i trajton” anëtarët e PKK-së ndryshe nga anëtarët aktualë të NATO-s dhe se për këtë arsye është e vështirë të kuptohet se çfarë pret Turqia nga Helsinki, por se do të vazhdojë ta diskutojë atë.
Niinisto e quajti hyrjen e dy vendeve në NATO një ngjarje “historike” për Finlandën, por edhe për vendet nordike.
Finlanda dhe Suedia kanë aplikuar për anëtarësim në NATO, të shqetësuara për sigurinë e tyre pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Stoltenberg do të mbërrijë në Suedi të hënën për të zhvilluar bisedime me kryeministren Magdalena Andersson, të gjitha dhjetë ditë para samitit të NATO-s në Madrid më 29 qershor, në të cilin janë ftuar dy vendet kandidate.
I pyetur nga gazetarët për të shpjeguar ngadalësimin, duke qenë se pas paraqitjes së kandidaturave të dy vendeve, u fol për një proces të përshpejtuar, Stoltenberg tha se samiti i Madridit nuk u përmend kurrë si një ngjarje për të miratuar aplikimet nga Finlanda dhe Suedia.
Diskutime rreth kësaj post