Gjykata e Posaçme ka caktuar seance gjyqësore të marrjes në pyetje të Sali Berishës ditën e Martë në orën 14:00. Pasditen e së Hënës oficerët e policisë gjyqësore trokitën në apartamentin e ish-kryeminsitrit për t’i dorëzuar zarfin me vendimin e gjykatës që caktoi masën detyrim paraqitje.
Ende nuk dihet nëse Sali Berisha ka pranuar të marrë dijeni për këtë vendim. Ky veprim i oficerëve vjen pas refuzimit që Berisha u bëri në zyrën e tij, në selinë e PD-së.
Dy oficerët kanë qëndruar jo më shumë se dy minuta. Bashkë me ta kanë zbritur dhe dy badigardët e ish-kryeministrit.
Por Sali Berisha ka hedhur poshtë akuzat duke e cilësuar antikushtetuese vendimin e gjykatës. Sipas tij, kufizimi i lirive të deputetit merret me vendim të parlamentit.
Këtë qëndrim mbajti më herët dhe përfaqësuesi i tij ligjor i zotit Berisha para dyerve të SPAK.
“Vendimi nuk është ekzekutuar për shkak se është vendim i paligjshëm dhe si i tillë nuk mund të pranohet. Ky është një proces i parregullt ligjor dhe në momentin që zoti Berisha nuk ka marrë dijeni dhe nuk është ekzekutuar ky vendim ai nuk është pjesë e këtij procesi. Këtë ngërç procedurial duhet ta zgjidhin ato që e krijuan.”
SPAK e akuzon Sali Berishën se gjatë kohës që ishte kryeministër ka kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të Malltezit. Në dosjen e SPAK thuhet se Berisha ka vendosur strukturat e ndryshme të administratës në dispozicion të Malltezit për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.
Diskutime rreth kësaj post