Presidenti amerikan Donald Trump po viziton shtetin kyç juglindor të Xhorxhias të shtunën për të bërë fushatë me dy senatorë Republikanë që po garojnë kundër sfiduesve demokratë në balotazhin e janarit që do të përcaktojë se cila parti do të ketë kontrollin e Senatit në fillim të presidencës së Joe Biden-it.
Ish nënpresidenti Biden, fitoi jozyrtarisht në Xhorxhia me një epërsi prej më pak se 12,000 votash nga rreth 5 milionë vota të hedhura. Por ekipi i fushatës së Presidentit Trump tha se kishte ngritur një padi tjetër të premten në Xhorxhia përmes së cilës kërkonte anulimin e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit në këtë shtet.
Presidenti republikan Trump, udhëton në Xhorxhia ndërsa vazhdon fushatën e tij paszgjedhore për të bllokuar fitoren e rivalit të tij demokrat Joe Biden në këtë shtet, në shtetet e tjera fushë-betejë dhe për të sfiduar rezultatet e zgjedhjeve kombëtare.
Partisë Republikane i duhet një vend më shumë për të ruajtur shumicën në Senat. Senatori republikan David Perdue duhet të mposhtë rivalin e tij demokrat Jon Ossoff në balotazhin e 5 janarit në Xhorxhia, ndërsa senatorja republikane Kelly Loeffler duhet të kapërcejë një sfidë të fortë nga rivali i saj demokrat Raphael Warnock në të njejtin shtet. Nëse republikanët humbin, duke rezultuar në një ndarje të barabartë të vendeve në Senat 50-50, Nënpresidentja demokrate e zgjedhur Kamala Harris do bllokonte ngërçin me votën e saj.
Zoti Trump në mënyrë të përsëritur ka thënë, pa ofruar prova, se ka patur manipulime të përhapura në zgjedhjet e nëntorit, një pretendim i hedhur poshtë shpesh nga zyrtarët federalë dhe shtetërorë. Ekipi i fushatës së Presidentit Trump dhe mbështetësit e tij kanë ngritur dhjetëra padi të ngjashme në shtete të ndryshme, shumica e të cilave janë hedhur poshtë. Ndërsa ekipi ligjor i fushatës ngriti padi të premten në Xhorxhia, zoti Trump pësoi humbje në betejat e tij ligjore në Miçigan dhe Nevada.
Padia në Xhorxhia është përpjekja e fundit ligjore për të përmbysur fitoren e zotit Biden ndaj Presidentit Trump. Ekipi i fushatës së Presidentit Trump tha se padia do të përfshinte deklarata të bëra nën betim nga votuesit në Xhorxhia që pretendojnë se ka patur mashtrime. Por zyrtarët e zgjedhjeve në Xhorxhia, përfshirë sekretarin republikan të shtetit, Brad Raffensperger, kanë thënë disa herë se nuk kanë gjetur prova që tregojnë se ka patur parregullsi të mëdha.
Prokurori i përgjithshëm i emëruar nga Preisdenti Trump, William Barr, tha në fillim të kësaj jave se “deri më sot, ne nuk kemi parë mashtrime në një shkallë që mund të kishte ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve”.
Presidenti Trump denoncoi Guvernatorin e Xhorxhias, Brian Kemp në fillim të kësaj jave për mungesë të veprimit për të anuluar vendimin e Sekretarit të Shtetit Raffensperger për certifikimin e fitores së zotit Biden. Presidenti Trump postoi në Twitter të marten se guvernatori republikan lejoi Xhorxhian të “mashtrohej”.
Fitorja e ngushtë e zotit Biden në Xhorxhia, ku rinumërimi i kërkuar nga ekipi i fushatës së zotit Trump tregoi se Biden ka fituar me një epërsi prej 11,769 votash, nënkupton që çdo mbështetje shtesë që zoti Trump mund të marrë në këtë shtet mund të rrisë shanset e zotit Perdue dhe zonjës Loeffler për fitore.
Disa republikanë janë të shqetësuar se paraqitja e Presidentit Trump në Xhorxhia, megjithatë, mund të dekurajojë pjesëmarrjen e votuesve në balotazh.
“Komentet e Presidentit Trump po dëmtojnë imazhin e Partisë Republikane”, tha donatori republikan Dan Eberhart për agjencinë e lajmeve Associated Press. Ai tha se Trump po “vepron me sportivitet të keq dhe keqbesim” në vend që të punojë për të ruajtur kontrollin e republikanëve në Senat.
Alan Abramowitz, profesor i shkencave politike në Universitetin Emory në Atlanta të Xhorxhias, tha se sulmet e Presidentit Trump ndaj integritetit të zgjedhjeve shtetërore zbehin shanset e zotit Perdue dhe zonjës Loeffler për të fituar balotazhin.
“Sa më shumë që Trump flet për zgjedhjet presidenciale dhe fillon me kritika rreth mënyrës se si u zhvilluan zgjedhjet këtu, aq më i madh është problemi për kandidatët për senat dhe rriten gjasat që ai të zvogëlojë entuziazmin në mesin e një segmenti të elektoratit”, – tha Abramowitz në një intervistë me agjencinë e lajmeve Reuters.
Por një këshilltar i lartë i udhëheqësit republikan të Senatit Mitch McConnell, Josh Holmes, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se republikanët “nuk kanë parë ndonjë provë për mungesë të entuziazmit në garat e Senatit”.
Nënpresidenti Mike Pence po bën gjithashtu fushatë në mbështetje të senatorëve republikanë në Xhorxhia. Pence mbajti një tubim fushate të premten në Savannah dhe u përshëndet nga mbështetësit të cilët brohorisnin “ndaloni vjedhjen”.
Ndërsa ish Presidenti demokrat Barack Obama organizoi një tubim virtual të premten me kandidatët demokratë Ossoff dhe Warnock. Biden tha se ai do të udhëtonte në Xhorxhia për të bërë fushatë për kandidatët demokratë por nuk bëri të ditur një datë të caktuar.
Vizita e Presidentit Trump në Xhorxhia vjen një ditë pasi Kalifornia certifikoi fitoren e zotit Biden në atë shtet, duke i dhënë atij më shumë se 270 votat e Kolegjit Zgjedhor të nevojshme për të fituar presidencën.
Elektorët presidencialë takohen në secilin shtet më 14 dhjetor për të hedhur votat e tyre. Më 6 janar, Kongresi i sapo zgjedhur do të numërojë zyrtarisht votat elektorale dhe do të emërojë zyrtarisht presidentin./VOA
Diskutime rreth kësaj post