26 Maji 1996, dita e zgjedhjeve të dyta parlamentare pas rënies së regjimit komunit (pas atyre të 22 Marsit 1992) ka ngelur në histori si dita e masakrës shtetërore kundër votës së lirë.
Ishte koha kur pushteti i Sali Berishës dhunoi vullnetin e zgjedhësve duke arrirë një rezultat të turpshëm dhe skandal antidemokratik: PD mori 122 vende deputetësh në parlament, nga 140 që ishin gjithsej, 10 mandate deputetësh PS dhe të tjerat partitë e vogla.
Akuzat e opozitës për dhunë, rrahje e manipulim masiv të votës filluan të faktoheshin një e nga një edhe nga media e kohës.
Një dokument i publikuar nga gazeta “Koha Jonë” në 22 Maj të 1997 dëshmon se komisariatet e policisë dhe zyrat doganore, me ligj parlamentar të depolitizuara, përdoreshin nga PD si instrumente për vjedhjen e votës, duke shërbyer si kanale komunikimi mes komisionerëve dhe shtabit elektoral qëndror të PD.
Me numër “extra” protokolli , me vulën e PD e me emrin e numrit një të saj, Tritan Shehu, në katër faqe formati, mësohet se tre ditë para se shqiptarët të shkonin në kutitë e votimit të 26 Majit, strukturat e PD kanë marrë udhëzime tepër sekrete.-shkruante “KJ” në artikullin me titull- “Tepër sekret”: Kështu u vodh 26 Maji!
Dokumenti i poseduar nga “KJ”, adresuar për Kryetarin e PD për rrethin Skrapar z.Qamil Lirza dhe i shpërndarë për gjithë kryetarët e rretheve, tregon se si Tritan Shehu, kryetar i PD, kërkon që rezultatet e numërimeve nëpër komisione të dërgohen nga Dega në shtabin qendror elektoral të Partisë Demokratike nëpërmjet Komisariateve të Policisë dhe Zyrave të Doganave.
“Për herë të parë del i dokumentuar maja e ajsbergut të rolit të policisë në atë që është quajtur vjedhje massive e votës së zgjedhësve të 26 Majit 96. Institucioni i drejtuar nga Gjeneral Agim Shehu, i depolitizuar me ligj të Parlamentit, shihet se ka patur një rol shumë specifik në procesin zgjedhor, jo thjesht të korrierit. Pas akuzave për shtypjen me shkop gome në dorë të protestave të opozitës në 28 Maj në Sheshin “Skënderbej” për herë të parë mësohet për detyrën tjetër të këtij institucioni.Kjo duhet të jetë edhe arsyeja pse Presidenti Berisha nuk pranoi të firmosë vendimin e qeverisë Fino për shkarkimin e vartësit të tij,Shehu, nga posti i kryepolicit.-shkruhet në artikull.
“Komisariatet e policisë dhe zyrat e doganave do ta dërgojnë informacionin përkatësisht në Ministrinë e Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, të cilat do ti dërgojnë më pas në shtabin elektoral qëndror të PD”.- urdhëron Shehu.
PD dhe shtabi qëndror Elektoral i saj, i japin hollësi kryetarëve të degëve se si të japin informacion për rezultatet e konfirmuara të zgjedhjeve. Informacioni do të dërgohet në shtabin qendror elektoral të PD duke vënë në dispozicion 12 numra telefonikë. Në rast se lidhja nuk do të funksiononte, informacioni do të përcillej përmes policisë dhe doganave.
- PD gjithashtu udhëzon abuzivisht që të mos zbatohet ligji “Për zgjedhjet” nga ana e komisionerëve të PD, me numër 8055 datë 01.02.1996 që përcakton prerë në nenin 75 të tij se “Cdo subject electoralka të drejtë të marrë një kopje të procesverbalit”. Kjo pasi Shehu urdhëron: Të përgatiten dy copë procesverbale dhe vetëm nëqoftëse ndonjë nga partitë këmbëngul për të marrë procesverbalin, mund edhe ti jepet”.
- “Kutia e votimit dhe dhoma e fshehtë duhet të kenë një zonë konfidencialiteti.”-shkruan Shehu ndër të tjera.
Ka qënë kjo ndoshta një nga arsyet pse Kryetari i PD nuk e ka protokolluar shkresën që mban datën 23 Maj 1996, e që nuk ka hedhur firmën e tij por ka vendosur vulën e partisë së tij.Ligjërisht kjo shkresë e përjashton liderin demokrat nga përgjegjësia juridike, por nuk besohet që kjo ta shpëtojë atë nga pasoja e ardhur prej zbatimit të këtyre udhëzimeve-denoncon “Koha Jonë”.
Masakra e këtyrë zgjedhjeve faktohet edhe në raportin e ODIHR, i publikuar dy javë pas zgjedhjeve të 26 majit dhe ripërsëritjes së votimeve më 2 qershor, ku flitet për 10, 20, 30, 100 fletë votimi që hidheshin nga individë kriminalë, nga zyrtarë të lartë lokalë e qendror, nga kandidatët e PD për deputetë, madje dhe nga komisionerë e policë të shtetit.
Ndërkaq dokumenti “sekret” tregon se si Sali Berisha e PD, tradicionalisht e ka mbajtur pushtetin me dhunimin e vullnetit të qytetarëve shqiptarë dhe deformimin e proceseve demokratike./
Diskutime rreth kësaj post