CIA ka pasur një listë të qartë me të gjithë ata qytetarë që ishin kundër regjimit komunist në Shqipëri. Në një dokument të deklasifikuar, është treguar me detaje se kush kanë qenë anëtarët e Bllokut Kombëtar Indipendent, që punonte kundër Hoxhës. Ndërkohë jepen detaje dhe se si funksiononte aksioni i propagandës dhe roli që kishte Liri Belishova.
15 shtator 1949
Blloku Kombëtar Indipendent, platforma e objektivave dhe liderët kryesorë
Blloku Kombëtar Indipendent (BKI) e bazon programin e tij politik në dy qëllime kryesore: Të përdorë të gjitha mjetet për të çliruar Shqipërinë nga zgjedha sovjetike dhe të aftësojë popullin shqiptar që të zgjedhë vetë qeverisjen e tij. Me sa kuptohet BKI është një organizatë politike me natyrë të përkohshme, por aq sa dhe grupet e tij përbërëse bashkohen vetëm nga përpjekja kundër regjimit aktual komunist në vend. Rreth tre vjet aktivitetet i përbashkët i ka sjellë tashmë mjaft afër liderët kryesorë të BKI, prandaj mund të supozohet se pasi vendi të çlirohet nga tirania e kuqe, kjo organizatë mund të sjellë një qeveri të bashkuar sipas linjës Perëndimore, duke mbrojtur reformat sociale sipas nevojave të vendit dhe traditave më të mira të popullit. Komunizmi në Shqipëri ka natyrë racore dhe jo sociale, që do të thotë se ai shërben si një kamuflazh për imperializmin sovjetik apo dominimin sllav. Rreziku fatal i dominimit mbarë-evropian sllav, qoftë në formën e carizmit apo bolshevizmit, mbetet gjithmonë e njëjtë për kombin e vogël shqiptar. Vetë Partia Komuniste shqiptare u krijua nga dy agjentët sllavë Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç, të cilët vetëm sa përgatitën terrenin për infiltrimin e gjerë sovjetik. Balli Kombëtar Indipendent përfshin shumicën e emigrantëve shqiptarë të cilët prej lidhjeve familjare, bindjeve politike apo kulturore, janë armiq të betuar të regjimit komunist, si në teori dhe në praktikë. Çfarëdo opinioni që mund të shprehin kundërshtarët e BKI si me dashamirësi apo armiqësi, ata nuk mund të mohojnë natyrën e theksuar antikomuniste të grupeve shqiptare të emigracionit. Kompromiset që është dashur të bëjë dhe shifrat e mëdha të anëtarësisë së BKI janë nxitur vetëm nga rreziku sllav për Shqipërinë. Populli shqiptar është i vogël në numër për t’u mbrojtur i vetëm, dhe gjatë shekujve gjithmonë i është dashur të zgjedhë të keqen më të vogël. Sot liderët e BKI janë të bindur se kërcënimi për shpirjen e Shqipërisë vjen nga Lindja, dhe shikojmë me shpresë nga Amerika, e cila mund të na sigurojë një ekzistencë paqësore në një atmosferë të civilizuar. BKI është akuzuar se ka në përbërjen e tij individë autoritarë apo mbeturina të feudalizmit, por kjo akuzë është e pabazë pasi në përbërjen e BKI ka aq shumë intelektualë dhe përfaqësues të familjeve historike shqiptare, të cilët duhet të ishin në komitetin qendror të qeverisë si për nga kultura dhe fisnikëria. Ky grup është i mbushur me frymën e sinqertë demokratike dhe kjo demonstrohet në programin e BKI për zgjedhjen e lirë të popullit për qeverisjen e ardhshme. Qëndresa heroike ndaj komunizmit sovjetik në Shqipëri nga viti 1944 deri më sot, është puna e bijve e vëllezërve të BKI. Celulat e shumta të partizanëve antikomunistë që strehohen në malet e Shqipërisë kanë për drejtues liderët e BKI. Por për të evituar hakmarrjet e përgjakshme të qeverisë ndaj popullatave të fshatrave që i kanë ushqyer me bukë, këta gueriles nacionalistë kanë qëndruar në heshtje për pak kohë, duke pritur kohën e përshtatshme për veprim. Të gjithë anëtarët e BKI kanë ndjekësit e tyre të burgosur në Shqipëri, që po persekutohen si anti-komunistë. BKI me anë të përfaqësuesve të tre feve në Shqipëri, gëzon vlerësimin e figurave të larta në Vatikan, veçanërisht prej qasjes së moderuar të anëtarëve të saj dhe qetësisë që i karakterizon aktivitetin politik.
Përbërja
Përveç presidentit të BKI, Ismail Vërlaci, figura të tjera të mëdha të lëvizjes janë: Gjon Marka Gjoni, lider i vjetër i katolikëve shqiptarë, anëtar i familjes së vjetër Gjon Marjak, princ të Mirditës dhe ruajtës të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Përfaqësues të familjes Gjon Markaj kanë qenë kumbarë të Napoleonit të I e të III, të cilët kanë dërguar zyrtarë në pagëzimet e tyre. Influenca e princ Mark Gjonit në popullin e Mirditës ka qenë e madhe dhe është rritur më shumë pas humbjes së dy bijve të tij Marko dhe Aleksandër, të vrarë nga forcat e kuqe barbare, i pari në qershor 1947 dhe tjetri në 1949. Të dy ata janë sot objekt këngësh të lavdishme në zonat malore.
Të jerm liderë përmendim: Ndue Marka Gjoni, bir i Gjonit që është tashmë me të në Romë. Dr. Ekrem Vlora, mysliman njeri i letrave, ish senator dhe përfaqësues i Shqipërisë në Athinë e Londër. Spiro Sheko nga Korça, anëtar i besimit grek ortodoks nga familje e madhe tregtare që zotëron financa të mëdha në Itali dhe ndihmon BKI. Profesor Ernest Koliqi, poet, katolik nga Shkodra, autor dhe profesor universiteti. Profesor Namik Resuli, mysliman nga Fieri, njeri i letrave dhe profesor universiteti. Profesor Ndue Paluca, katolik nga rajoni i Shkodrës, figurë e rëndësishme në fushën e arsimit në Shqipëri. Profesor Karl Gurakuqi, katolik nga Shkodra, njeri i letrave dhe profesor universiteti. Profesor Athanas Gegaj, katolik nga Malësia e Madhe, njeri i letrave dhe historian. Profesor Stefan Gazulli, katolik nga Zadrima, vëllai i të cili ishte prift, autor i fjalorit shqip, i ekzekutuar nga komunistët. Ago Agaj, mysliman nga Vlora, ish-ministër. Vasal Allarupi, ortodoks nga Korça, gazetar. Dr. Eduard Liko, mysliman nga Korça, gazetar dhe botues i “L’Albanie Libre”. Dr. Ali Vrioni, mysliman, anëtar i familjes Vrioni në Berat, gazetar e ish-diplomat. Tahir Kolgjini, mysliman nga Luma ish-prefekt. Vehib Runa, mysliman me influencë nga Labëria (Gjirokastër). Nexhmedin Koraliu, mysliman nga Tirana, me origjinë nga familje aristokrate e Egjiptit. Lin Shkreli, katolik nga Shkodra, president i shoqatës së profesorëve universitarë. Dr. Gligor Buzi, ortodoks nga Permeti, gazetar dhe përfaqësues i BKI në Shtetet e Bashkuara. Enver Resilia, mysliman i njohur nga rajon i Vlorës. Pandeli Papalilo, ortodoks nga Përmeti, zyrtar i sigurisë publike. Kolonel Luigj Gargjola, katolik nga Shkodra. Major Safa Vlora nga Vlora. Major Alush Lleshanaku, mysliman nga Elbasani. Kapiten Mahmut Çela, mysliman nga Dibra. Kapiten Gjergji Ruco ortodoks nga Kolonja. Kapiten Xhevdet Blloshmi, mysliman nga Elbasani. Lejtnant Mubarek Toptani, mysliman nga Tirana.
Shtator 1955
Shtypi në Shqipëri përfaqëson pikëpamjet e partisë dhe të liderëve të veçantë, sipas mënyrës së orientimit të propagandës. Edhe vetë anëtarët e Byrosë Politike duhet të dorëzojnë paraprakisht artikujt e tyre për shtyp te Liri Belishova, sekretarja e përgjithshme e agjitacion-propagandës në Komitetin Qendror të Partisë, siç ndodh me të gjitha materialet e tjera për shtyp. Organi kryesor i propagandës është “Zëri i Popullit” i cili printohet në 7000 kopje dhe shitet për pesë lek secila. Ndërsa lajmet e agjencive të tjera shpërndahen në mënyrën e mëposhtme: Publikimet e agjencive ruse apo të vendeve satelite transmetohen tre herë në ditë në buletinët e verdhë të shtypit, që konsiderohen sekret dhe shpërndahen vetëm te anëtarët e komitetit qendror të partisë dhe ministrat. Lajmet e agjencive perëndimore që kanë lidhje me çështjet shqiptare përmblidhen në një buletin sekret që shpërndahet vetëm për disa liderë të caktuar. Media shqiptare e propagandës e merr orientimin e saj nga agjencia sovjetike e lajmeve Tass, e cila jep editorialet nga e përditshmja ruse Pravda, si dhe nga lajmet ndërkombëtare. Çështjet ruse nuk trajtohen gjerësisht në median shqiptare. Artikujt rusë të publikuar në Shqipëri janë përkthime të gazetave dhe nëse ato trajtojnë për shembull çështje pa interes si ndonjë ulje çmimesh në Bashkimin Sovjetik, kryeredaktorët shqiptari thonë gazetarit të shtojë diçka propagandistike si për shembull, rritje e një çmimi të caktuar në vendet perëndimore. Gazetarët zakonisht i kërkojnë anëtarëve të delegacioneve (kulturore, të punës apo të grave) që kanë qenë në BRSS të shkruajnë artikuj mbi vizitën e tyre, të cilat redaktohen më pas nga gazetarët dhe redaktorët. Çdo artikull i Zërit të Popullit mbi lideshipin kolektiv komunist, është botuar paraprakisht nga Pravda apo gazeta të tjera të vendeve komuniste satelite. Organet e medias shqiptare gjithmonë i kanë paraprirë ndryshimeve politike apo të opinionit mbi ngjarje të rëndësishme. Kështu hapi i parë i medias vendase para ndryshimit të politikave me Jugosllavinë, ishte heshtje totale dhe më pas një artikull që përshkruante vizitën e liderëve jugosllavë në varrin e Ushtarit të Panjohur Sovjetik në Beograd. Disa ditë më vonë u shfaq një artikull në lidhje me suksesin e Jugosllavisë në plotësimin e planit bujqësor. Çdo shqiptar vigjilent e kuptoi se asnjë nuk kishte të bënte me planet bujqësore të Jugosllavisë, aq më tepër kur ajo është vend armik.
Procedurat
Nuk duket se ka në koordinim të mirëfilltë mes propagandistëve të radios dhe gazetarëve e redaktorëve të shtypit në Shqipëri. Por uniformiteti i medias në përgjithësi sigurohet nga direktivat e orientimit që kalohen nga zyrtarët e Liri Belishovës, Fadil Pacrami i Zërit të Popullit, deh Nexhmije Hoxha, drejtore e agjitacion-propagandës. Nganjëherë Radio-Tirana i kërkon artikuj Zërit të Popullit por kjo ndodh në mënyrë individuale mes punonjësve. Zakonisht ka vetëm në person që drejton sektorin e lajmeve të jashtme dhe të transmetimet e huaja janë të njëjta në të gjitha gjuhët, si për lajmet shqiptare dhe ato ndërkombëtare. Lajmet për një vend të caktuar mund të kenë disa njoftime për vendin në fjalë që nuk transmetohen në gjuhë të tjera. Kryeredaktorët e gazetave nuk kanë autonomi. Rreth 80 për qind e përmbajtjes së Zërit të Popullit mbushet me planet mujore dhe javore dhe kryeredaktori i organit është në kontakt të vazhdueshëm me Liri Belishovën për interpretimin e ngjarjeve të rëndësishme. Ndërsa artistët dhe intelektualët gëzojnë njëfarë pavarësie, shkrimet e të cilëve redaktohen vetëm për stilin dhe formën dhe jo për përmbajtjen. Normalisht, direktivat e lëshuara nga Liri Belishova i lexohen stafit në redaksinë e Zërit të Popullit nga kryeredaktori Pacrami, dhe secili redaktorët mban shënime për fushën e tij. Direktivat përfshijnë atë që gazetarët duhet të bëjnë dhe subjektet që duhet të mbulojnë. Artikujt e shtypit sovjetik, veçanërisht të Pravda, konsiderohen si modele për shtypin shqiptar. Shpeshherë orientimi për një subjekt të caktuar justifikohet me shprehjen “me direktivë nga lart”, që do të thotë nga Liri Belishova por pa i përmendur emrin. E vetmja gazetë që botohet jashtë Tiranës është e përjavshmja Tribuna Popullore në Gjirokastër. Rreth 80 për qind e materialeve të transmetuara nga Radio Tirana i përkasin planeve mujore dhe javore të prodhimit. Ndërsa seksioni i lajmeve nga jashtë udhëhiqet nga ato që publikon agjencia Tass. Vetëm një seksion është përgjegjës për të gjitha transmetimet në gjuhët e huaja, mes të cilave ka vetëm ndryshime të vogla. Në lajmet shqiptare ashtu si në të gjithë bllokun sovjetik, ngrihet lart fuqia e ushtrisë sovjetike dhe aleatëve të saj. Ato asnjëherë nuk përmendin fuqinë e Shteteve të Bashkuara apo vendeve të tjera Perëndimore, por sulmojnë ndërtimin e bazave të tyre jashtë vendit. Linja e këtij subjekti është e njëjtë dhe gazetarët shqiptarë nuk kanë nevojë për instruksione specifike.
Gazetarët propagandistë shqiptarë kanë hasur disa vështirësi në trajtimin e çështjes së Paktit të Ballkanit, pasi problemi ishte në të treguarit se Jugosllavia ende ruan pretendime hegjemonie ndaj Shqipërisë, por pa shkaktuar panik. Më me rëndësi në mediat shqiptare janë editorialet e Zërit të Popullit. Rreth 60 për qind e tyre shkruhen nga gazetarët por shpeshherë editoriale të veçantë për çështje të rëndësishme bujqësore, shëndetësore apo ekonomike shkruhen nga ministrat e dikastereve përkatëse. Në diskutimet për shtypin shqiptar përdoret shpesh fjala “sinjal” në lidhje me treguesin e parë të një mase, zakonisht represive të qeverisë. Për shembull, pas plenumit të 8-të të partisë në 1948, një artikull në të përditshmen Bashkimi, asokohe më e madhja në vend, nisi një kritikë ndaj intelektualëve, e cila u pranua si “sinjal” nga Koçi Xoxe për të sulmuar intelektualët e vendit, përfshi dhe Hoxhën. Ndërsa në vitin 1954 një artikull pa emër flitej për përqendrimin e pushtetit në duart e një njeriu, i cili u konsiderua nga ekspertët si “sinjali” për kalimin në udhëheqjen kolektive. Ndërsa “sinjali” për reformat ekonomike të vitit 1953, erdhi nga shtypi sovjetik. Zakonisht, numri i artikujve apo editorialëve mbi një subjekt të caktuar gjatë një periudhe, tregon për rëndësinë që po i kushton udhëheqja kësaj çështjeje. Dhe vetë pozicionimi i lajmeve në faqen e gazetës tregon për rëndësinë specifike të fushave, si për shembull vendosja e lajmit të industrisë mbi atë të bujqësisë, ose anasjelltas. Nga viti 1948 deri në 1952 ka pasur më shumë artikuj anti-jugosllavë në shtypin shqiptar sesa në atë sovjetik. Propaganda e Shqipërisë nuk censurohet nga ekspertët sovjetikë pasi është aq pranë linjës ruse saqë nuk është nevoja.
19 mars 1963
Situate aktuale në Shqipëri dhe politikat e SHBA
Gjatë pesëmbëdhjetë muajve që prej prishjes së lidhjeve diplomatike, partiake dhe tregtare me BRSS, kreu i regjimit në Shqipëri, Enver Hoxha dhe kryeministri Mehmet Shehu kanë ruajtur pozita të qëndrueshme. Ka pasur përkeqësim të gjendjes ekonomike por deri tani nuk është serioze. Ka pasur rënie të rritjes ekonomike por jo rënie të theksuara të prodhimit. Standardet e jetesës janë ruajtur disi me asistencën e Kinës komuniste. Megjithëse të dhënat janë të fragmentuara ne besojmë se asistenca kineze po vazhdon dhe lidhjet mes dy vendeve aleate duken të ndërthurura mirë. Sjellja e Shqipërisë është e rëndësishme pasi SHBA e konsideron atë një element të rëndësishëm për të trazuar lidhjet mes Kinës dhe BRSS. Prova më e mirë për stabilitetin e regjimit Hoxha-Shehu është aftësia e tyre për të qëndruar në pushtet edhe pas sfidës së hapur ndaj BRSS. Aparati i tyre shtetëror duket i padepërtueshëm ndaj tentativave sovjetike apo jugosllave të subversionit. Tentativa e fundit e sovjetikëve kundër regjimit të Shqipërisë ishte në verën e vitit 1960, shumë përpara kulmit të konfliktit shqiptaro-sovjetik. Kjo duket se ka çuar në zhdukjen e anëtares së byrosë politike Liri Belishova dhe kreut të Komisioni të Kontrollit, Koço Tashko, në shtator të atij viti.
Në të njëjtën kohë ka prova se disa shqiptarë, intelektualë, ushtarakë apo nga ata që kanë studiuar në vendet e Bllokut Sovjetik, kundërshtojnë linjat pro-kineze dhe anti-sovjetike të qeverisë. Kjo ka bërë një pjesë e tyre, si të radhëve të ulëta të partisë deh të rangut të lartë, të spastroheshin nga regjimi që në muajt e parë të prishjes me BRSS. Ne dyshojmë se këto spastrime kanë eliminuar të gjithë ata që mund të quheshin pro-sovjetikë, por besojmë se presioni dhe frika ka bërë që edhe të mbeturit të mos kenë më influencë dhe të jetë të shtypur dhe të izoluar. Populli shqiptar është i pakënaqur me gjendjen e tij ekonomike dhe politike. Por lindja e debatit me sovjetikët dhe rinisja e izolimit të vendit nuk duket se po fuqizojnë apo shtojnë aktivitetin opozitar. Thirrjet e qeverisë për nacionalizëm pas prishjes me BRSS funksionuar duke shtuar disi mbështetjen, por tashmë po humbasin efektin. Regjimi ka parandaluar përhapjen e pakënaqësive duke ruajtur një sasi mallrash konsumi,si ushqim dhe veshje, të përshtatshme sipas standardeve shqiptare. Disa aktivitete guerile të gradës së ulët janë evidentuar në zonat jugore, por është e vështirë të vlerësohet masa e tyre apo nëse janë të huaja apo të brendshme. Gjithsesi regjimi ka kontroll të fortë mbi vendin me anë të ushtrisë dhe terrorit të Sigurimit, i cili ka luajtur rolin kryesor gjatë 18 vjetëve të fundit në shtypjen e çdo opozicioni ndaj regjimit.
Roli i Kinës
Standardet e jetesës në Shqipëri kanë qenë gjithmonë të ulëta dhe nuk është kërkuar një masë e madhe mallrash konsumi nga Kina apo financime për drithëra. Por gjithsesi ndihma kineze nuk ka plotësuar pritshmëritë e udhëheqjes shqiptare. Ndërsa stafi teknik kinez në Shqipëri ka kryer lëvizje të shumta prej vjeshtës së shkuar. Informacionet janë të pakta mbi arsyet e lëvizjeve por besohet se specialistët mund të kenë qenë aty për studime paraprake, që tashmë mund të jenë kompletuar. Ndihma kineze nuk ka arritur të ruajë vrullin e ekonomisë shqiptare, siç parashikohej në planin shqiptar të zhvillimit, prandaj vendi u detyrua të ulë pritshmëritë e programit. Në fund të vitit të shkuar qeveria njoftoi për kompletimin e punës në të paktën 16 nga 25 projektet industriale të premtuara nga Kina në marrëveshjen e viteve 1961-1965. Kjo mund të sjellë një prishje të mundshme të lidhjeve edhe mes Kinës e Shqipërisë, prandaj ne nxisim të gjitha vendet perëndimore të qëndrojnë të gatshme për ndonjë hapje të mundshme të Shqipërisë apo kontakte me vendet e Perëndimit, për të reduktuar varësinë nga Kina.
Diskutime rreth kësaj post