Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në bashkëpunim të ngushtë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si edhe me organizma të tjera vendase dhe të huaja, ka zhvilluar një analizë të thellë të situatës në raport me mbledhjet e të ardhurave gjatë vitit 2015.
Sipas një njoftimi të shpërndarë për shtyp, DPD, bën të ditur se pas analizës është arritur në konkluzionin se në mbledhjen e më pak të ardhurave gjatë vitit 2015 në raport me parashikimin nuk ka pasur asnjë arsye tjetër përveç se disa dukurive dhe faktorëve të jashtëm, jashtë vullnetit të kësaj qeverie.
“Jo vetëm Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, por edhe partnerët tanë të huaj kanë arritur në konkluzionin se në mbledhjen e më pak të ardhurave gjatë vitit 2015 në raport me parashikimin nuk ka pasur asnjë arsye tjetër përveç se disa dukurive dhe faktorëve të jashtëm, jashtë vullnetit të kësaj qeverie”, thuhet në njoftim.
Konkretisht, ndër konkluzionet e bëra publike renditen ulja e çmimit të karburantit në tregun ndërkombëtar, ulja e sasisë së energjisë së importuar si pasoje e reshjeve të shumta që shtuan prodhimin në vend si dhe ulja e sasisë së produkteve bujqësore të importuara si pasojë e rritjes së prodhimit vendas.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, përmes njoftimit të shpërndarë thotë se është e vendosur të vazhdoje punën me impenjim maksimal për të shtuar të ardhurat në buxhetin e shtetit, për të luftuar kontrabandën dhe informalitetin. “Është për të ardhur keq që institucionet shtetërore baltosen pa të drejtë e në mënyrë të vazhdueshme”, citohet njoftimi i DPD-së.
Më herët deputetja e PD-së, Jorida Tabaku tha se doganat kanë mosrealizim të lartë të mbledhjes së të ardhurave. “Vetë auditi i brendshëm i doganave është shprehur i shqetësuar për nivelin e lartë të mosrealizimit. Megjithëse jemi vendi me barrën më të lartë fiskale në rajon, ku për dy vjet rresht u ngritën akcizat, si ajo e duhanit, është pikërisht Drejtoria e Doganave shkaktarja kryesore e mosrealizimit me 70% të të ardhurave”, tha Tabaku.
Në përgjigje të akuzave të PD-së, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave shprehet se raporti të cilit i referohet PD i përket një periudhe të mëparshme kohore, konkretisht vitit 2014. “Mbi Raportin të cilit iu referua sot deputetja e Partisë Demokratike, vetë Crown Agents, nëpërmjet një deklarate për shtyp, sqaroi pak ditë më parë median dhe opinionin publik për kohën të cilës ai Raport i përket dhe faktit se prej periudhës kur ky raport është dorëzuar ka pasur shumë zhvillime të mëtejshme, përfshirë largimin nga detyra dhe procedimin disiplinor të një numri punonjësish të Administratës Doganore Shqiptare. Për këtë arsye, komentet e bëra në atë moment të caktuar nuk qëndrojnë domosdoshmërisht edhe sot”, thuhet në njoftimin e DPD-së./
Diskutime rreth kësaj post