Presidenti Ilir Meta tha se tërmeti i 26 nëntorit tundi si asnjëherë më parë themelet e shumë ndërtesave në Shqipëri, por tregoi se themelet e solidaritetit mbarëshqiptar janë më të forta se kurrë.
“Shqipëria nuk ishte goditur nga një tërmet kaq shkatërrues prej një kohe të gjatë. U bënë përpjekje të mëdha dhe u zgjua një solidaritet i jashtëzakonshëm. Pasojat e rënda që la pas tërmeti treguan dobësitë tona në përballimin e këtyre situatave emergjente dhe besoj kemi nxjerrë mësimet e duhura se si t’i përmirësojmë masat dhe reagimet në të ardhmen.
Aktualisht jemi të përqëndruar në sigurimin e strehimit dhe shërbimeve të tjera të domosdoshme për të gjithë njerëzit që kanë humbur shtëpitë e tyre. Në të njëjtën kohë, jemi duke llogaritur dëmet dhe nivelin e sigurisë së mijrave shtëpive dhe ndërtesave të dëmtuara.
Besoj se shumë shpejt do të kemi një plan veprimi konkret për rindërtimin dhe rikuperimin e të gjitha pasojave që la pas ky tërmet shkatërrimtar.
Është parë një solidarizim i paparë i institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të saj me këtë tragjedi që e goditi Shqipërinë. Çka do të thotë për shqiptarët kjo?
Kosova ishte e para që reagoi menjëherë duke na ardhur në ndihmë. E kam shprehur dhe nuk kursehem ta përsëris falenderimin dhe mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe solidarizimin maksimal e të jashtëzakonshëm të institucioneve të saj dhe në veçanti të qytetarëve të Kosovës, në ato momente dramatike për Shqipërinë. Tërmeti i 26 nëntorit tundi si asnjëherë më parë themelet e shumë ndërtesave në Shqipëri, por tregoi se themelet e solidaritetit mbarëshqiptar janë më të forta se kurrë.
Zemrën bujare e Kosovës e dëshmuan veçanërisht dhe ata qytetarë të saj në pamundësi ekonomike, që shprehën solidaritet, duke ndarë edhe varfërinë e tyre me banorët e prekur nga ky tërmet.
Shqipëria dhe Kosova çdo herë kanë qenë dhe do të mbeten të parat në krah të njëra-tjetrës, dhe ne kurrë nuk do ta harrojmë këtë solidaritet dhe këtë ndihmë të jashtëzakonshme”, tha Meta për Epoka e Re.
Diskutime rreth kësaj post