Ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier u zgjodh Presidenti i ri i vendit nga Asambleja Federale.
Socialdemokrati 61-vjeçar është një nga politikanët më popullorë në Gjermani dhe pason në këtë detyrë Joachim Gauck.
Posti i Presidentit gjerman është kryesisht ceremonial, por ai përfaqëson Gjermaninë jashtë vendit dhe mban peshë të madhe morale.
Steinmeier mori 932 vota nga 1260 të mundshmet në Asamblenë Federale, duke fituar me mjaft lehtësi.
Prej vitesh Steinmeier është një personalitet i njohur politik në Gjermani, deri së fundmi ministër i Jashtëm i koalicionit mes socialdemokratëve, (SPD) dhe konservatorëve, (Unioni CDU, CSU).
Sondazhet tregojnë që Steinmeier është imazhi i diplomacisë gjermane. Kjo ishte detyra e fundit e politikanit që më parë ka qenë ministër i zyrës së kancelarit, kryetar i fraksionit, ministër i Jashtëm dhe kandidat për kancelar. Në postin e presidentit nuk ngjitet pra një i panjohur.
Politikani më i preferuar gjerman
Përkundrazi Steinmeier sjell shumë aftësi me vete që do t’i duhen gjatë mandatit si president. Ai gëzon një prestigj të lartë përtej partive, ka përvojë diplomatike, vlerësohet në botë dhe di të menaxhojë krizat. Edhe sondazhet e reflektojnë popullaritetin e tij. Prej vitesh Steinmeier zë vendin e parë të politikanëve më të preferuar. Kjo preferencë duket të jetë argumenti më i rëndësishëm, se pse pas diskutimeve disa javore, shorti ra mbi një kandidat socialdemokrat.
Që djali i një marangozi nga landi i Renanisë Veriore-Vestfalisë ka pasur interes të ngjitet në postin më të lartë të shtetit, këtë e kanë parathënë prej kohësh vëzhguesit politikë.
Në fund të fundit në udhëtimet e tij, 400.000 kilometra fluturime, ministri i jashtëm gjithmonë paraqitej me një hije presidenciale. Steinmeier gjithmonë kërkonte kompromisin. Prestigji i tij u rrit sidomos në konfliktin e Ukrainës, kur me një diplomaci të palodhshme ecejakesh mes Kievit dhe Moskës ai u përpoq të gjente zgjidhje për shtensionimin e konfliktit, gjithmonë me një përzgjedhje të kujdesshme të fjalorit politik.
Prandaj ra aq shumë në sy, kur Steinmeier lidhur me fushatëbërësin Trump, u shpreh si një “predikues i urrejtjes”. Më vonë ai bëri fjalë për “fundin e rendit të vjetër botëror”, me ardhjen e presidencës Trump. Një qëndrim që dukej se nuk donte të përshtatej me diplomatin, madje për disa vëzhgues edhe me burokratin babaxhan.
Karriera e Steinmeierit filloi krah ish-kancelarit gjerman, Gerhard Schröder (SPD), si drejtues i kancelarisë shtetërore të Gerhard Schröderit, kur ky i fundit ishte kryeministër i landit të Saksonisë së Poshtme. Më pas, kur SPD u zgjodh në vitin 1998, Steinmeier kaloi si sekretar shteti, e më vonë ministër kabineti në zemër të pushtetit në Berlin. Në vitin 2005, Steinmeier u zgjodh ministër i Jashtëm në koalicionin e parë me bazë të gjerë, me Merkelin kancelare, e Steinmeierin zëvendëskancelar.
Në vitin 2009, Steinmeier ishte kandidati për kancelar i socialdemokratëve, por SPD i humbi zgjedhjet përballë Merkelit. Në vitin 2013, Steinmeier u rikthye në postin e ministrit të Jashtëm. Krahas Hans-Dietrich Genscher (FDP) edhe ai bën pjesë në figurat më të njohura të politikës së jashtme gjermane.
I lindur në vitin 1956 në Detmold, Steinmeier është i martuar me gjykatësen administrative, Elke Büdenbender dhe ka një vajzë që studion. Në vitin 2010, Steinmeier ndërpreu përkohësisht aktivitetin politik, për të ndihmuar gruan e tij të sëmurë, të cilës ai i dhuroi edhe një veshkë. Kjo i solli atij mjaft respekt në popullsinë gjermane.
Madje për presidentin e ri, vijnë fjalë të mira edhe nga politikanët e partive kundërshtare. Zëvendëskryeministrja bavareze, Ilse Aigner e cilësoi Steinmeierin “një kandidat të mirë”, ndërsa kristiansociali, Manfred Weber pret vazhdimësi. “Gjermania ka nevojë për udhëheqje të fortë, sidomos në situatën e tanishme.” Një mesazh i dërguar edhe nga kancelarja Merkel.
Ajo e cilësoi vendimin për kandidaturën e Steinmeierit një “vendim nga arsyeja”. Edhe shumica e gjermanëve e mbështet një vendim të tillë./DW
Diskutime rreth kësaj post