Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri në kuadër të hetimeve për dosjen ‘Habilaj’, pasi akuzohet për “Trafik të narkotikëve” në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Korrupsionit Pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
Sot është dita e parë e ‘burgosjes’ në shtëpi për ish-ministrin.
Report Tv paraditen e sotme solli pamje nga banesa e tij në katin e tretë të një apartamenti te ‘Kodra e Diellit’, ku Tahiri duket në ballkon, e vetmja hapësirë që mund të lëvizë.
Ai është shfaqur duke pirë cigare dhe me një stilolaps në dorë duke shqyrtuar disa dokumente, ndoshta vendimin e gjykatës, duke përgatitur mbrojtjen në Gjykatën e Apelit.
Deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga ish-ministri, por vetëm nga avokati i tij Maks Haxhia, që ka deklaruar se vendimi i gjykatës do të apelohet.
Në banesën e Tahirit mbrëmjen e djeshme ka pasur disa hyrje dalje nga familjarët dhe të afërmit pas vendimit të gjykatës, ndërsa ditën e sotme situata është e qetë, teksa një furgon patrullon herë pas herë në zonë.
Diskutime rreth kësaj post