Nga Artan Lame
Termi “ibreti alem” vjen nga turqishtja ibret=turp dhe alem=majë, kulm, pra kulmi i turpit. Kaq si fillim.
Maja e flamurit në turqisht quhet “bajrak alem”, nga bajrak=flamur dhe alem=majë. Në anglisht majës së flamurit i thonë “flag pole” ndërsa në italisht “puntale da bandiera”.
Maja e flamurit është pjesë përbërëse e tij dhe, në shumë vende ka të njëjtën vlerë sa edhe vetë flamuri. Psh në simbologjinë ushtarake të Evropës latine, një flamur kthehet në flamur ushtarak vetëm pasi i vendoset maja e bronxtë dhe ky proces quhet “armare la bandiera”.
Në këtë ditë të kujtimit të flamurit tonë, dua të ndaj me ju ca maja flamujsh që kohë pas kohe u kanë ndenjur përsipër bajrakëve të këtyre anëve.
– Fillimi i shek. XIX. Alem bayrak, majë flamuri osmane e periudhës së sulltan Mahmudit II. Bronx.
– Fundi i shek. XIX. Nishani bayrak, majë flamuri osmane e periudhës së sulltan Abdyl Hamidit II. Gjetur në Elbasan. Bronx i larë në ar.
– Fillimi shek. XX. Bajrak alem standart për flamujt ushtarakë turq. Bronx.
– Rreth 1920. Majë flamuri shqiptare për flamujt luftarakë. Derdhje artizanale në bronx.
– Vitet ’30. Majë flamuri prodhim italian i viteve ‘10-‘20, e përdorur për flamujt shqiptarë. Llamarinë bronxi e stampuar.
– Rreth 1940. Maja e flamurit luftarak të Regjimentit 72 të Ushtrisë Mbretërore Italiane. Humbur prej tyre në vitin 1943 dhe gjetur në Shkodër në vitin 2002. Bronx i larë në ar.
– Rreth 1941. Maja e flamurit luftarak të Gardës Mbretnore Shqiptare. Bronx i larë në ar.
– 1942. Maja e flamurit shtetëror të Mbretnisë Shqiptare. Bronx i larë në argjend.
– 1943. Maja e flamurit luftarak të Ushtrisë Shqiptare.
– Rreth 1970. Majë flamuri për flamujt luftarakë të Ushtrisë Popullore të R.P.SH.-së.
– Rreth 2000. Majë flamuri jozyrtare, prodhim artizanal.
– 2010. Majë flamuri për flamujt luftarakë shqiptarë, e bërë me bishta dhe koka perdesh. Dru i tornuar.
Dhe këtë të fundit, që të mos më akuzoni se po tallem a shakatosem, po e shoqëroj me një fotografi nga një ceremoni zyrtare e kohës, ku duken mirë e bukur kokat e perdeve majë flamujve. Me ç’duket, tenderin për të bërë flamurët e ushtrisë atë vit do e ketë fituar Megateku. Tamam “ibreti alem”, ashtu siç i hapa këto rradhë.
Sidoqoftë, flamuri i kuq me zhgabë të zezë, nuk ka faj për paaftësinë tonë që ta nderojmë e ta lartojmë siç ja do vëndi e zakoni, ndaj ishallah na zëntë turpi një sahat e më parë, që të bëjmë zahmet e tja ngremë kryet, në mos më shumë, të paktën aq sa na e lanë gjyshërit.
Gëzuar Ditën e Flamurit të gjithëve!
Diskutime rreth kësaj post