Pavarësisht të gjitha sloganeve të cilat mund t’i hasni në rrjetet sociale apo edhe në bisedat tuaja me miqtë se ushtrimet duhet të bëhen me rregull dhe se është me rëndësi që seancat të ndjekin me përpikëri, e vërteta është që ekzistojnë arsye të forta se pse ndonjëherë mund ta marrim ndonjë ditë pushim.
Pavarësisht nëse mendja apo truri juaj ju thotë që diçka nuk është në rregull, besoni në instikt dhe dëgjojeni trupin tuaj.
Më poshtë janë të listuara disa arsye pse ndonjëherë është e nevojshme t’i shmangim seancat stërvitore:
Ndiheni të paqejf (të sëmurë lehtë)
Nëse mendoni se mund ta përballoni pak aktivitet, atëherë bëjeni atë. Një seancë e lehtë ndoshta edhe mund ta shtoj energjinë në trupin tuaj, por nëse keni simptoma të temperaturës dhe ndiheni të lodhur nuk ka asnjë arsye që të shtoni edhe më shumë stres në trupin tuaj. Është më mirë të qëndroni të shtrirë dhe të rikuperoni.
Jeni të lënduar
Pavarësisht sa të kujdesshëm jeni dhe bëni gjithçka në rregull gjatë ushtrimeve, gjasat që të lëndoheni ndonjëherë janë gjithmonë prezente. Pa marrë parasysh seriozitetin e lëndimit, ju gjithmonë duhet t’i jepni prioritet fazës së shërimit më shumë sesa ushtrimeve të rregullta. Kjo nuk do të thotë që ju duhet patjetër t’i ndërprisni ushtrimet, vetëm sigurohuni që gjendja juaj të mos përkeqësohet si pasojë e tyre. Për shembull, nëse keni probleme me shpatullat tuaja, fokusohuni tek këmbët ose ndonjë pjesë tjetër e trupit e cila nuk i involvon pjesët e dëmtuara. Nëse edhe pas kësaj problemet me ato pjesë nuk zhduken, atëherë gjëja e duhur që duhet bërë është… pushimi!
Jeni të rraskapitur
Keni qenë jashtë gjatë tërë natës dhe ende pa e vendosur kokën mirë në shtrat, bie alarmi. Për të gjithë juve të cilët ushtrimet i bëni në mëngjes, kjo do të thotë të ngriheni dhe të vraponi në palestër. Në fakt, është më mirë të qëndroni të shtrirë dhe ta vazhdoni gjumin pasi që ushtrimet në një gjendje ku nuk keni rikuperuar tërësisht mund të sjellin më shumë dëme sesa dobi. Lë të jetë gjumi prioriteti juaj në këtë rast. Për t’i parandaluar problemet e tilla, nëse parapëlqeni që stërvitjet t’i bëni në mëngjes, atëherë fleni pak më herët natën përpara.
Keni dhimbje të tepruar të muskujve
Nëse keni dhimbje nga koka deri tek shputat, më gjasë ju duhet një ditë pushim. Kur ushtroni, sidomos ushtrime me pesha, muskujt tuaj janë të dëmtuar – kjo nënkupton se duhet lejuar koha e mjaftueshme fijeve muskulore që të shërohen nga dëmtimet. Nëse kjo nuk bëhet, atëherë me gjasë jeni duke e promovuar humbjen e masës muskulore, kur në fakt qëllimi është të shtohet ajo. Kur keni dhimbje të tepruar, në vend që të shkoni dhe të ushtroni me pesha, dilni dhe bëni një ecje të lehtë.
Diskutime rreth kësaj post