Nga: Robin Emmott, Gabriela Baczynska
Maqedonia e Veriut ka shumë gjasa të fitojë mbështetjen evropiane për hapjen e negociatave të anëtarësisë gjatë këtij viti, thonë diplomatët, ndërsa fqinja e saj ballkanike Shqipëria përballet me kundërshtimin e Francës, Gjermanisë e Holandës.
Pavarësisht retorikës së BE se blloku ka nevojë të pranojë anëtarë të rinj nga Ballkani Perëndimor për të çimentuar rrugën e tyre drejt Evropës dhe larg influencës ruse e kineze, ndjenjat anti-emigracion kanë ngritur dyshime në disa shtete veriore të BE.
Të përkrahura nga një numër qeverish të vendeve të BE dhe nga Komisioni Evropian, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shpresonin që ministrat e bllokut të ndiznin dritën e gjelbër për negociatat në takimin e së martës së ardhshme në Luksemburg.
Kjo do të kishte hapur rrugën për aprovimin nga liderët e BE në samitin e Brukselit më 20-21 qershor. Por asnjërit prej dy vendeve nuk do t’i ndizet kjo dritë kanë bërë të ditur zyrtarë të BE për Reuters, ndonëse 13 vende anëtare, përfshirë Italinë e Poloninë, Presidentin e Këshillit të Evropës Donald Tusk dhe Komisionin, kanë bërë thirrje publikisht për nisjen e bisedimeve formale.
Tani, marrëveshja më e fundit është arritja e një pakti midis qeverive të BE në shtator, por vetëm për Maqedoninë e Veriut, e cila do të hyjë edhe në NATO më 2020.
“Maqedonia e Veriut ka një shans të mirë, duke parë rezolutën historike për çështjen e emrit”, tha një zyrtar i lartë i BE, duke iu referuar konfliktit shumëvjeçar me Greqinë që bllokoi rrugën drejt BE dhe NATO-s.
Ndryshimi i emrit nga Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë Veriore i dha shtysë Shkupit dhe ka shanse të bindë Parisin, Berlinin dhe Hagën për të mbështetur hapjen e negociatave.
“Por Shqipëria është ende probleme i madh për disa qeveri. Nuk duket shumë premtuese”, tha zyrtari. I perceptuar si një nga vendet më të korruptuara të Evropës sipas Transparency International, Shqipëria – që ndërkohë është anëtare e NATO-s – ka bërë vetëm progres të limituar në luftën kundër pastrimit të parave thonë zyrtarë amerikanë dhe evropianë, pavarësisht shkarkimit të gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar.
Edhe katër vende të tjera të Ballkanit Perëndimor kërkojnë anëtarësinë në BE: Bosnja, Kosova dhe Serbia e Mali i Zi, që janë më të avancuara.
Në qershor 2018, Franca dhe Holanda bllokuan befasisht nisjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë, duke kërkuar më tepër reforma.
Diplomatët thanë se kjo lëvizje pasqyronte shqetësimin për ndikimin që do të kishte në zgjedhjet evropiane të majit 2019.
Me zgjedhjet për Parlamentin Evropian tashmë të mbyllura, pritej që Franca e Holanda të hynin në rresht, teksa selia e BE ftoi kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe presidentin maqedonas Stevo Pendarovski në Bruksel.
Gjatë një vizite në Bruksel në fillim të këtij muaji, Sokol Dedja, zëvendësministër i jashtëm i Shqipërisë, tha se ishte koha që blloku të mos e përdorte më nevojën për reforma paraprake “si mënyrë për të mbajtur vendet jashtë Bashkimit Evropian”.
Bisedimet e anëtarësisë në BE, të cilat normalisht zgjasin deri në një dekadë, janë de facto një proces reformash për të sjellë kandidatët në nivelin e BE.
Pavarësisht fitoreve në zgjedhjet evropiane të së djathtës së largët në Itali, Poloni e Hungari, bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë e Maqedonisë nuk duket se luajtën në favor të atyre që kërkojnë ndalimin e emigracionit.
Partitë e së djathtës së largët në Francë e Holandë humbën vende krahasur me zgjedhjet më 2014.
Megjithatë, më 11 qershor, parlamenti holandez miratoi një mocion kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, ndonëse një mocion i ngjashëm për Maqedoninë e Veriut nuk u miratua.
Qeveria gjermane dëshiron dritën e gjelbër për Maqedoninë, por nuk ka marrëveshje për Shqipërinë, të cilën e djathta e qendrës në koalicion e sheh si shtet problematik. Dhoma e Ulët e Bundestagut ra dakord të shtynte çdo vendim deri në shtator.
Diskutime rreth kësaj post