Nga Bernard Guetta
E dëshiruar nga shumëkush dhe jo vetëm nga Gjermania, ekziston një zgjidhje për krizën politike gjermane. Aritmetikisht solide, kjo zgjidhje do të përfshinte përsëritjen e koalicionit në largim, midis kristian demokratëve dhe socialdemokratëve.
Në këtë mënyrë, e djathta dhe e majta do të gjenin një shumicë të fortë parlamentare, duke nxjerrë Gjermaninë nga bllokimi i tanishëm. Franca në krye, bashkë me partnerët evropianë do të gjenin një qeveri dhe një kancelare të gatshme për të marrë vendimet e nevojshme për rimëkëmbjen e Unionit.
Ky koalicion i madh i ri po kërkohet me zë të lartë nga shumica e mediave dhe Angela Merkel nuk e ka fshehur që dëshiron ta rikrijojë. Kreu i shtetit, socialdemokrati Frank-Valter Steinmeier, do të donte të punonte për këtë projekt në emër të interesave të vendit, ndërkohë që socialdemokratët po ndjejnë një një presioni të madh, që ndan udhëheqësit e tyre dhe radhët e tyre.
Nga njëra anë, gjithçka i shtyn ata që të konfirmojnë refuzimin për t’u bërë aleatë të pakicës në të djathtë. Të detyruar që të respektojnë marrëveshjen e koalicionit me kancelaren, ata u eklipsuan nga Merkel, të cilës i shkuan meritat e masave sociale të miratuara nga koalicioni, me kërkesë të së majtës. Kancelarja i injektoi një anestezi të përgjithshme, një të majte, e cila kishte humbur shumë votues dhe mbështetjen e sindikatave, pas pranimit të reformave liberale të tregut të punës dhjetë vjet më parë.
Për udhëheqësin e Socialdemokratëve, Martin Schultz, duhej një JO e thatë ndaj Merkelit. Ish presidenti i Parlamentit Evropian është në fakt i bindur, se partia e tij ka nevojë për kurën e të qënit në opozitë.
Eshtë një pikëvështrim që ndahet gjerësisht në të majtë, por pas dështimit të negociatave mes të djathtës, të gjelbërve dhe liberalëve, dhe me një Gjermani pa shumicë, situata mund të ndryshojë shpejt, sepse nuk ekziston mundësi tjetër, përveç asaj të koalicionit CDU dhe SPD.
Edhe pse për të majtën do të ishte e rrezishme të kthehej si një partnere pakice për të djathtën, një prej partive më të mëdha të Gjermanisë nuk mund të injorojë interesin kombëtar, në emër të mbrojtjes së interesave të veta.
Do të ishte një shfaqje dobësie dhe papërgjegjshmërie, dhe kështu do të ishte një risk edhe më i madh. Për këtë arsye udhëheqja socialdemokrate është e ndarë dhe tani Martin Schultz duket se po heziton. Ende nuk është vendosur asgjë, por nëse socialdemokratët do të vendosin të hapin një negociatë me një MErkel në vështirësi, do të ishin qartësisht në pozicion të fortë.
http://www.bota.al/2017/11/dilema-e-madhe-e-socialdemokrateve-gjermane/
Diskutime rreth kësaj post