Nuk ka çati dhe muret gati po rrëzohen .
S’ka as dyer e as dritare. TEC-i dhe ish-Uzina e Përpunimit të Naftës në Cërrik ndodhen në agoni të plotë. Është një vend i shkretë që të fut frikën. Një kufomë e diktaturës.
Në dy ish-kantieret më të mëdha në Cërrik rreth tre dekada më parë ishin punësuar rreth 1000 vetë. Punimet për ndërtimin e Uzinës filluan në vitin 1951. Ndihmë në atë kohë dhanë specialistët sovjetikë.
Në vitin 1961 arriti të përpunonte deri në 500.000 tonë nafte në vit. Më 1962 u prodhua për herë të parë në vend vajguri i markës TSI, për avionet reaktivë. U prodhua dhe vajgur për ndriçim dhe djegie. Disa vajra lubrifikante si: vaj Aftol 18, vaj DP 14, vajra për makinat.
Ishte në funksion deri në vitin 1992. Që nga ajo kohë nuk prodhon më asgjë. Ka kaluar në konservim dhe vetëm harxhon para. Më 22 korrik të vitit 2013 qeveria e jep me konçension me kontratën e tipit “Rehabilitim, Operim dhe Transferim”, e firmosur mes Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së kohës dhekompanisë Kurum International sh.a.
Sipas kontratës, konçensionari do të investonte në këtë rafineri gati 6.8 miliardë lekë (48 milionë euro) dhe të fillonte punën e përpunimit të naftës brenda 18 muajve. Por pesë vjet nga kontrata asgjë nuk është bërë.
Për banorët uzina kufomë është kthyer në burim aksidentesh. Jo të pakët janë ata që janë plagosur apo kanë humbur jetën gjatë 25 viteve të fundit aty. Rivënien në punë siç ishte apo në forma të tjera ata e shohin si një mundësi punësimi.
Kjo pra është panorama e dy prej ish objekteve të diktaturës në Cërrik shuarja e të cilave bëri që qindra familje të mbeten pa punë.
Diskutime rreth kësaj post