Dikur ka qenë “i nderuari Edi Rama”, sot është “Edi” – kështu janë zhvilluar ndër vite marrëdhëniet ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Prej përplasjeve që patën gjatë takimit të parë zyrtar në Beograd, në vitin 2014, për shkak të statusit të Kosovës, është arritur deri aty që Vuçiç, në vitin 2021, të “mbrojë” Ramën nga kritikat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për shkak të nismës rajonale “Ballkani i Hapur”.
Sot, Vuçiç dhe Rama janë krah për krah në promovimin e “Ballkanit të Hapur”, ku anëtare janë: Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Kjo nismë parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, ndërmjet këtyre tri vendeve.
“Besoj se kjo është një marrëdhënie personale miqësore që është ndërtuar me kalimin e kohës, por edhe një interes, në radhë të parë rajonal”, tha për Radion Evropa e Lirë, Stefan Surliç nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd.
Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet dy liderëve rajonalë, Surliç shtoi se Serbia dhe Shqipëria shohin se pa atë bashkëpunim, pavarësisht problemit të Kosovës, nuk ka të ardhme të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Politologu nga Tirana, Ben Andoni, tha për Radion Evropa e Lirë se të dy e kanë ndihmuar njëri-tjetrin për t’u afirmuar.
“Vuçiqi i dha mundësi Ramës dhe ky anasjelltas, njëri-tjetrit, për t’u shprehur për Kosovën sipas interesave të tyre, respektivisht në Beograd dhe Tiranë, duke bërë të fitojnë shumë pikë: Rama në Kosovë, kurse Vuçiqi në mjedisin nacionalist, por edhe te serbët e Kosovës”, tha Andoni.
Për shkak të Kosovës, pavarësinë e së cilës Beogradi nuk e njeh, ka pasur tensione ndërmjet Vuçiqit dhe Ramës në vitet e kaluara. Shqipëria ishte ndër vendet e para që e pranoi pavarësinë e Kosovës.
Sot, të dy thonë se nuk pajtohen rreth Kosovës, por, megjithatë, mund të bisedojnë.
Në takimin e parë, Vuçiqi akuzoi Ramën për provokim
Aleksandar Vuçiç nuk e fshehu se sa e nervozoi Edi Rama gjatë vizitës së tij në Beograd, në nëntor të vitit 2014, kur në një konferencë të përbashkët për media, Rama tha se pavarësia e Kosovës është realitet.
“Dhe, sa më shpejt ta pranojë Serbia këtë, aq më shpejt do të ecim përpara si rajon. Qëndrimet tona ndryshojnë, por kjo nuk duhet të na pengojë t’ia themi të vërtetën njëri-tjetrit”, tha Rama.
Aleksandar Vuçiç, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Serbisë, u përgjigj se nuk e priste provokimin.
“Nuk kam pritur provokim nga zoti Rama dhe nuk kam pritur se do të flasë për Kosovën e Metohinë. Unë nuk e di se çfarë lidhjesh ka ai me Kosovën e Metohinë. Kosova e Metohia është pjesë e Serbisë, sipas Kushtetutës së Serbisë, dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me Shqipërinë dhe as nuk do ta ketë”, u përgjigj Vuçiq.
Vizita e Ramës në Beograd ishte e para e një kryeministri shqiptar pas 68 vjetësh dhe u vlerësua si historike.
Stefan Surliq, nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd, vlerësoi se Vuçiq dhe Rama kanë bërë një hap të madh përpara me këtë takim, pavarësisht mosmarrëveshjes për Kosovën.
“Ata, që atëherë, e njohën interesin kryesor, që është lidhja rajonale në mungesë të një perspektive të qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Surliç.
Serbia mori statusin e kandidatit për anëtarësim në BE në vitin 2012, ndërkaq negociatat për anëtarësim nisën në vitin 2014. Shqipëria aplikoi për anëtarësim 13 vjet më parë, por ende nuk ka marrë datën për fillimin e negociatave.
Retorika e ngjashme mes Vuçiqit dhe Ramës nga takimi i parë, mund të ndiqet edhe në vitet e ardhshme në rrjetin social Twitter.
“Një Serbi normale mund të jetë e mundur vetëm nëse Serbia e vërtetë e kupton se ‘Shqipëria e Madhe’ është makthi i saj, dhe jo projekti ynë”, shkroi Rama në Twitter, në tetor të vitit 2014.
Shkak ka qenë një dron me mbishkrimin “Shqipëria e Madhe”, i cili është shfaqur sipër fushës në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri, që është zhvilluar në Beograd, dhe reagimet që e pasuan atë.
Vuçiq u përgjigj menjëherë, duke thënë se kanë tërësisht të drejtë ata që thonë se Shqipëria e Madhe është makthi i Serbisë.
“Por, ky nuk është vetëm makthi ynë, por makthi i Evropës, makthi i gjithë njerëzimit dhe ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë, për ta parandaluar atë”, shkroi Vuçiq në Twitter.
Dhe, kur Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës mori vendim në favor të Shqipërisë, për shkak të pezullimit të ndeshjes për kualifikimet për EURO 2016, Rama u paraqit në Twitter me mesazhin: “Shkëlqyeshëm. Kjo është drejtësia evropiane”.
Sipas Vuçiqit, drejtësia evropiane e Ramës ishte një “turp” për ligjin evropian.
“I nderuari Edi Rama, mos u shqetëso, ne do t’ju mundim në fushë në mes të Tiranës pa dron dhe pa ndihmën e askujt. Shihemi së shpejti”, shkroi Vuçiç në Twitter.
Herën tjetër, Vuçiq i dërgoi një mesazh Ramës nëpërmjet Twitter-it, për shkak të Kosovës.
“I premtoj kryeministrit Rama se Kosova dhe Shqipëria, siç thotë ai, nuk do të bashkohen kurrë në mënyrën klasike”, shkroi Vuçiq, më 7 prill 2015.
Më herët, Rama, duke folur për televizionin Klan Kosova në Prishtinë, tha se Ballkani duhet të jetë pjesë e BE-së, se bashkimi i shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës do të bëhet në funksion të BE-së ose si reagim ndaj verbërisë evropiane. Përkthimi i cilësuar si i pasaktë i një pjese të intervistës për të ardhmen e Shqipërisë dhe Kosovës, shkaktoi reagime të vrullshme në Serbi.
Vuçiqi, më pas, ishte “pa koment” ndaj pyetjes së gazetarëve për vizitën e Ramës në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës – parti që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, njëri prej liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Por, imagjinojeni sikur unë të shkoja diku në rajon, që të vizitoj përfaqësuesit e partive më ekstreme serbe, se si do të reagonin në Evropë dhe botë”, ka thënë Vuçiq në shkurt të vitit 2017.
Në atë kohë, Haradinaj, deputet i Kuvendit të Kosovës, ishte në pritje të një vendimi të gjykatës në Francë, lidhur me kërkesën e Serbisë për ekstradim, për shkak të akuzave për krime lufte gjatë viteve 1998/’99. Gjykata franceze, më vonë, e hodhi poshtë kërkesën e Beogradit.
Ndryshimi i narracionit, kryesore
Në maj të vitit 2015, gjatë vizitës së tij në Tiranë, Aleksandar Vuçiç, si kryeministër i Serbisë, u shpreh i bindur se marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë janë shumë të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor.
Kjo ishte vizita e parë zyrtare e një lideri serb në Shqipëri, gjatë së cilës, Rama dhe Vuçiq theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe të negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Edhe pse kemi kontestin e madh sa mali për çështjen e Kosovës, kjo mosmarrëveshje nuk e zbeh rëndësinë e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës”, tha Rama, duke iu referuar dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ndërmjetësohet nga BE-ja.
Rama e Vuçiq gjatë një takimi rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Shqipëri, 21 dhjetor 2019.
Rama e Vuçiq gjatë një takimi rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Shqipëri, 21 dhjetor 2019.
Vuçiq, më pas, tha se “kanë folur sinqerisht edhe kur nuk ishin dakord”.
Me ton të tillë ai u përgjigj, një vit më vonë, ndaj kërkesës së Partisë së djathtë Demokratike të Serbisë, që Rama të “përcillej” nga Serbia, për shkak të kërkesës për njohjen e Kosovës.
“Rama është një mysafir i respektuar i Serbisë dhe Rama do të respektohet dhe nderohet edhe këtu në Nish, sepse ne besojmë se duhet t’i zhvillojmë marrëdhëniet më të mira ekonomike dhe politike me Shqipërinë”, tha Vuçiç, më 13 tetor 2016, në Nish – qytet në jug të Serbisë – ku, bashkë me Ramën, morën pjesë në Forumin e Sigurisë të Beogradit.
Ai shtoi se ndaj kërkesës së Ramës që Beogradi ta njohë Kosovën, është përgjigjur me dinjitet dhe përgjegjësi.
Se të dy kanë ende pikëpamje të ndryshme, por që kuptohen më mirë, e tha edhe Rama gjatë vizitës së tij në Beograd, në tetor të vitit 2016, në promovimin e librit të tij “Kurban”.
Asokohe, ai iu referua takimit të tyre të parë në vitin 2014.
Rama ka shkruar se i kujtohet shprehja e fytyrës së Vuçiçit kur e ka përmendur Kosovën, duke shtuar se ka menduar se ai (Vuçiçi) “do të vdesë para tij”.
Rama takohet më së shpeshti me Vuçiqin në rajon
Gjatë nëntë vjetëve të qeverisjes së tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ka kushtuar një rëndësi të veçantë marrëdhënieve me Serbinë.
Beogradi është kryeqyteti që Rama e ka vizituar më shpesh dhe Aleksandar Vuçiq është lideri rajonal, me të cilin është takuar më së shumti.
Në tetë vjetët e fundit, Rama dhe Vuçiç janë takuar 17 herë, kokë më kokë dhe në kontekstin e bashkëpunimit rajonal, duke përfshirë dy vizita zyrtare që Vuçiç bëri në Tiranë dhe tri vizita të Ramës në Beograd.
Rama e ka argumentuar këtë afrim me lidershipin e Serbisë si mekanizëm për ruajtjen e paqes dhe rritjen e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, frymëzuar kjo, sipas tij, edhe nga modeli franko-gjerman pas Luftës së Dytë Botërore.
“Ne, shqiptarët, nuk mund të ndërtojmë të ardhmen pa kapërcyer dhe fshirë kufijtë historikë mes nesh dhe Evropës, mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe mes shqiptarëve dhe serbëve. Le të mos i lidhim këmbët tona me litarët e së shkuarës”, ka thënë Rama gjatë një vizite në Beograd, në dhjetor të vitit 2014.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç , ka pranuar se përmirësimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë është veçanërisht meritë e kryeministrit shqiptar.
“As unë nuk i jam shmangur kësaj, nëse asgjë tjetër… Pas shumë dekadash, në të cilat nuk kemi pasur marrëdhënie, duket se kemi krijuar marrëdhënie racionale dhe normale”, deklaroi Vuçiç në intervistën për televizionin shqiptar ABC News, në maj të vitit 2018.
Që nga viti 2014, qeveritë, e Shqipërisë dhe Serbisë, kanë nënshkruar 64 marrëveshje në fushën e lëvizjes së lirë të njerëzve, bashkëpunimit policor, njohjes së diplomave universitare etj.
‘Ballkani i Hapur’ si buton i afrimit
Miqësia ndërmjet Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiçit është forcuar viteve të fundit me idenë e tyre të përbashkët për nismën “Ballkani i Hapur”, e cila synon qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve.
Nisma “Ballkani i Hapur”, që fillimisht quhej “Mini Shengen”, filloi në nëntor të vitit 2019, në Novi Sad, nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
“Pashë që kryeministrin Rama e sulmonin se nisma ishte për Serbinë e Madhe. Mua më sulmojnë se nisma është për Shqipërinë e Madhe”, tha Vuçiç në dhjetor, në samitin e kësaj nisme në Tiranë.
Nga takimi i liderëve të nismës “Ballkani i Hapur” mbajtur në dhjetor në Tiranë.
Nga takimi i liderëve të nismës “Ballkani i Hapur” mbajtur në dhjetor në Tiranë.
Gjatë vizitës së tij në Beograd, në nëntor të vitit 2021, Rama i tha Deutsche Welle-s se mendonte se të gjithë do të vijnë në “Ballkanin e Hapur”, sepse “nuk ka rrugë tjetër”.
Mirëpo, nismëtarët e “Ballkanit të Hapur”, deri më tani, nuk kanë arritur të tërheqin vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ndonëse kanë thënë vazhdimisht se dera është e hapur për të gjithë, përfshirë edhe Kosovën.
Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është kundërshtar i “Ballkanit të Hapur”.
Kështu, në gusht të vitit 2021, në një ngjarje në Prishtinë, ai vlerësoi se nisma i ngjante më shumë Ballkanit të hapur ndaj ndikimeve nga Lindja, veçanërisht nga Rusia dhe Kina.
Dhe, pikërisht kjo ka qenë arsyeja që Vuçiç të mbrojë Ramën, duke thënë se po bën gjëra të mira për vendin dhe popullin e tij.
“Nëse Albin Kurti nuk i kupton gjërat e mira që sjell nisma e bashkëpunimit rajonal dhe mesazhet e tij pushtojnë hapësirën, duke mbyllur dhe jo duke hapur Prishtinën, ai e ka shumë gabim”, u tha Vuçiq gazetarëve në Shkup, më 29 korrik të vitit të kaluar, në një takim të nismës “Ballkani i Hapur”.
Kurti kritikon nismën “Ballkani i Hapur”
Synimi i nismës “Ballkani i Hapur” është zbatimi i shpejtë i tregut të vetëm dhe përgatitja e tri vendeve për tregun unik të Bashkimit Evropian.
Deri më tani është mundësuar lëvizja e lirë mes këtyre tri vendeve me letërnjoftime, është arritur marrëveshje për bashkëpunim në lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave, si dhe memorandumi i mirëkuptimit dhe bashkëpunimit për qasje të lirë në tregun e punës.
Të tria vendet kanë vendosur gjithashtu të heqin kontrollet doganore nga 1 janari i vitit 2023.
Cilat janë përfitimet për shtetet?
Politologu nga Beogradi, Stefan Surliç , tha se “Ballkanin e Hapur” e sheh si një hap drejt krijimit të një tregu të vetëm rajonal.
“Këtu, para së gjithash, është interesi ekonomik i Serbisë dhe Shqipërisë, me shpresën se lidhja ekonomike do të shënojë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kosovën tani e shoh vetëm si problemin e vetëm në marrëdhëniet e tyre reciproke”, vlerësoi Surliç .
Për politologun nga Tirana, Ben Andoni, përveç propagandës sipërfaqësore, miqësia Rama-Vuçiq ka pasur shumë pak përfitime për ekonominë shqiptare.
Ai theksoi se marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë mbeten të pandryshuara, por në kuptimin ndërkombëtar, Rama dhe Vuçiq e shfrytëzuan miqësinë e tyre për t’u pozicionuar si liderë që kontribuojnë për paqen dhe bashkëpunimin në Ballkan dhe më gjerë.
“Sa u përket përfitimeve, deri tani, ka një efekt të vogël dhe kjo lidhet me faktin se strukturat ekonomike të Serbisë dhe Shqipërisë nuk janë njësoj. Nga ana tjetër, duhet thënë se nuk ka ende një studim akademik për përfitimet e palëve. Por, kanë nisur të njihen lejet e qëndrimit dhe lëvizjet e kapitalit dhe janë lehtësuar procedurat. I vetmi problem është se Serbia dhe Shqipëria nuk janë vende kufitare”, tha Andoni.
Çfarë i lidh Vuçiçin dhe Ramën?
Nga Presidenca e Serbisë nuk ka arritur ndonjë përgjigje në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se si ka ndikuar nisma “Ballkani i Hapur” në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë, si dhe në marrëdhëniet personale ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
As kabineti i Edi Ramës nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë.
Politologu dhe gazetari nga Tirana, Ben Andoni, tha se marrëdhënia e ngushtë mes dy liderëve, Rama dhe Vuçiç , është ndikuar nga ngjashmëria e situatave politike në të dyja vendet, por “edhe autokracia e tyre”.
“Edi Rama pothuajse ka çdo pushtet në Shqipëri, madje ka dhe një opozitë inaktive. Pothuaj e njëjta situatë është në Serbi, ku Vuçiq gjithashtu ka një opozitë të dobët. Me pak fjalë, pushteti i madh dhe shkuarja drejt autokracisë i ka bërë të dy që të gjejnë si modele njëri-tjetrin”, vlerësoi Andoni.
Mendim të ngjashëm ka edhe Stefan Surliç , politolog nga Beogradi.
“Në duart e tyre është koncentruar fuqi e madhe, edhe më tutje vazhdon të mungojë sundimi i ligjit, është korrupsion i madh… ndërkaq, nga ana tjetër, ata e kanë paraqitur veten si reformatorë të mëdhenj dhe njerëz që sjellin sukses dhe përparim në shoqëritë e tyre”, tha Surliç .
Partia Socialiste e Edi Ramës i fitoi zgjedhjet parlamentare në Shqipëri në prill të vitit 2021, duke i siguruar Ramës mandatin e tretë si kryeministër. Një vit më vonë, Partia Përparimtare Serbe e Aleksandar Vuçiqit fitoi zgjedhjet parlamentare në Serbi dhe Vuçiç fitoi mandatin e dytë presidencial.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, flet për Aleksandar Vuçiç in si për “mikun” e tij. Kështu e ka quajtur atë në një intervistë për gazetën e Beogradit, Novi Magazin, në tetor të vitit 2016, kur ka thënë se duhen më shumë ura ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë.
“…për të kapërcyer të kaluarën shumë të dhimbshme që na ndan dhe për të ndërtuar një të ardhme të madhe, dorë për dore për popujt tanë – dy kombet më të mëdha në Ballkan, siç pëlqen të thotë miku im, Aleksandar Vuçiç ”, tha Rama në atë kohë.
Vuçiç , gjithashtu, foli me të njëjtin ton në nëntor të vitit 2021, pas takimit të nismës “Ballkani i Hapur”, kur bashkë me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, organizuan darkë për Edi Ramën, për zëvendëskryeministrin e atëhershëm të Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, dhe për kryeministrin e atëhershëm malazez, Zdravko Krivokapiç .
“Mbrëmje e mrekullueshme në restorantin ‘Salon 1905’ me miqtë nga rajoni, Edi Rama, Zdravko Krivokapiç dhe Nikola Dimitrov”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.
Gjatë promovimit të librit të tij në Beograd, në tetor të vitit 2016, Rama ka thënë se disa muaj më parë, në ditëlindjen e tij, në një samit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, i ka kërkuar ministrit të atëhershëm të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, që të këndojë për të.
Jashtë këtyre momenteve, të cilat janë bërë përmbajtje e tabloideve në të dyja vendet, Vuçiç dhe Rama u bënë avokuesit kryesorë të zgjerimit të “Ballkanit të Hapur” në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Në këtë ambicie, ata kanë mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së.
Por, në rajon ka rezerva të mëdha. Autoritetet në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë nuk po iu përgjigjen thirrjeve, ndërsa kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i zgjedhur në fund të prillit, e ka mbështetur hyrjen e Malit të Zi në këtë iniciativë.
Diskutime rreth kësaj post