Një autobus në linjën Gjermani-Kosovë, ku pjesa më e madhe ishin pasagjerë nga Kosova, është djegur gjatë lëvizjes në rreth 30 kilometra nga kufiri shtetëror mes Kroacisë dhe Serbisë, nga pala kroate. Nga ngjarja nuk ka të lënduar, njoftuan nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në bazë të informacioneve nga zyrtarët e atjeshëm policorë mësohet nuk ka qytetarë të lënduar dhe se pasagjerët janë të gjithë mirë, përfshirë edhe dokumentet e tyre, njoftojnë nga MPJ-ja e Kosovës.
Bëhet e ditur se të gjithë qytetarët janë në vend të sigurtë dhe të vendosur në Qendrën e Kryqit të Kuq afër kufirit, ndërsa autobusi tjetër pritet të mbërrijë në çdo moment për t’i marrë pasagjerët dhe transferojë në Kosovë.
Ambasada e Kosovës në Kroaci lidhur me këtë rast ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me kompaninë e transportit. Autoritetet kroate filluan hetim mbi shkaqet e zjarrit.
Edhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike i Republikës së Kosovës, Dardan Gashi, me keqardhje pranoi lajmin mbi fatkeqësinë në të cilin u dogj një autobus i kompanisë turistike me 29 pjesëtarë të diasporës kosovare në Gjermani. Gashi tha se lajm i mirë është se nga ngjarja nuk ka të pësuar.
Diskutime rreth kësaj post