Kryetari i PD Sali Berisha, shkruan për ndarjen nga jeta sot të Mbretëreshës së Anglisë Elizabeth II. Ai thotë se dielli nuk do të lind më për monarken britanike, teksa thekson se ka patur rastin të pritej prej saj në Pallatin e Buckingham, si President i Shqipërisë.
“Mbeten të paharruara për mua vlerësimi i saj për përmbysjen e diktaturës staliniste në Shqipëri dhe përpjekjet e shqiptarëve për ndërtimin e demokracisë. Në vitet e mëvonshme përsëri jam takuar në pritje ceremoniale të shtruara nga Madhëria e saj”, shkruan Berisha ndër të tjera.
Shënimi i plotë i Sali Berishës:
“Të dashur miq, Elizabeth e II, Monarkja që mbretëroi më gjatë se kushdo në historinë mbretërore të Britanisë së Madhe, plot 70 vjet, ku udhëhoqi me ndere, përkushtim e dinjitet e solli mbi të gjitha stabilitet e prosperitet për vendin e kombin e saj, mbylli sytë përgjithmonë duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme vlerash mbretërore e njerëzore, një devotshmëri e integritet të pashoq që do të mbahet mend në kohëra.
Mbretëresha Elizabeth e II ishte personaliteti më i shquar dhe më i dashur e cila me virtytet, mençurinë dhe devocion 70-vjeçar në shërbim të kombit, mbretërisë të saj dhe paqes në botë u shndërrua në një nga personalitetet më të respektuara dhe më fisnike e të dashura të kohës.
Unë kam patur rastin të pritem në Pallatin e Buckingham në audiencë të veçantë nga Madhëria e saj si president i Shqipërisë. Mbeten të paharruara për mua vlerësimi i saj për përmbysjen e diktaturës staliniste në Shqipëri dhe përpjekjet e shqiptarëve për ndërtimin e demokracisë. Në vitet e mëvonshme përsëri jam takuar në pritje ceremoniale të shtruara nga Madhëria e saj.
Duke shprehur vlerësimin tim më të lartë dhe nderimin tim më të thellë për këtë Zonjë të madhe të nderuar në mbarë botën shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera Madhërisë së tij Mbretit Charles, familjes mbretërore dhe subjekteve të Madhërisë së saj dhe lutem që shpirti i saj i madh të gjejë paqen e amshuar. Amin.” tha ai.
Diskutime rreth kësaj post