Çështjet e hapura të dialogut mes Kosovës e Serbisë kanë përbërë boshtin e takimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak në Beograd.
Vuçiç përsëriti se Serbia insiston në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. “Një bisedë serioze dhe e përgjegjshme me Mirosllav Lajçak mbi çështjet e hapura në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Ne do të vazhdojmë të luftojmë që ta ruajmë shtetin dhe popullin tonë, duke insistuar në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe në respektimin e ligjit ndërkombëtar”, ka shkruar presidenti serb në rrjetet sociale.
Lajçak ndaloi në kryeqytetin serb katër ditë pasi qëndroi në Prishtinë, ku u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e ku u tha se përshkallëzimi nuk është në interesin e askujt. Në ceremoninë e shënimit të 20-vjetorit të themelimit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Vucic sakaq deklaroi se ka presion nga vendet e perëndimit për njohjen e Kosovës.
“Është ajo ana e historisë që ju thotë të hiqni dorë nga Kosova, sepse vetëm atëherë do të merrni një dhuratë të vogël dhe nëse nuk ju themi saktësisht se cila do të jetë ajo dhuratë e vogël, ajo do të jetë ende e vogël. Dhe nëse ju shkon ndërmend të refuzoni, atëherë jeni në telashe. Unë po ju them vetëm këtë që të dini vetëm një gjë. Sot askush nuk më kërcënon si Aleksandër Vuçiç, për shkak të pozitës së presidentit të Serbisë, por kërcënojnë hapur gjithë vendin tonë dhe mbijetesën e tij”, u shpreh ai.
Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dhe ky process pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Diskutime rreth kësaj post