I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha të shtunën se u takon Kosovës dhe Serbisë të vendosin se si do të duket marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, ndërsa nënvizoi se është shumë e rëndësishme që të mos ketë tensione, derisa afrohet 31 tetori që është afati i përcaktuar nga qeveria qendrore në Prishtinë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia në ato të Kosovës.
Ai i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Prishtinë, më të cilin tha se ka diskutuar edhe për nismën franko-gjermane për marrëveshjen Kosovë- Serbi, por pa dhënë hollësi.
“Takimi me zotin Kurti ka qenë shumë konstruktivë dhe i dobishëm dhe ne po përparojmë në diskutimet tona”, tha ai.
Zoti Lajçak tha se nuk ka parë asnjë dokument për statutin e Asociacionit për komunat serbe të publikuar ditë më parë në mediat lokale në Kosovë, duke pretenduar se është hartuar nga ekspertë gjermanë dhe i referohet marrëveshjes së vitit 2013 të arritur në bisedimet Kosovë – Serbi në Bruksel.
Në vizitën e sotme që është e dyta brenda nëntë ditësh në Prishtinë, zoti Lajçak tha se po provon të jap zgjidhje për çështjen targave të makinave që do të shmangte çdo mundësi të tensionimit të situatës.
“Ne jemi në proces të diskutimeve për këtë dhe kjo është në dorën e kryeministrit dhe qeverisë së Kosovës të marrin vendim. Ne jemi duke u përpjekur që të ndihmojmë dhe siç kemi thënë shqetësimet tona janë që të mos ketë tensione dhe dhunë në terren kjo është me rëndësi sepse mendoj se nuk është në interes të Kosovës posaçërisht në këtë kohë të rëndësishme ku procese shumë të rëndësishme po zhvillohen, diskutimet për liberalizimin e vizave, diskutimet për anëtarësim në Këshillin e Evropës, kështu që gjëja e fundit që Kosova ka nevojë do të ishte dhuna këtu në terren”, tha ai.
Tensionet e verës së këtij viti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth përdorimit të dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave nxitën një reagim më të ngjeshur diplomatik për të shmangur përplasjet në një periudhë zhvillimesh të ndjeshme politike në Evropë për shkak të agresionit rus në Ukrainë.
Me 27 gusht Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve, ndërsa më 31 tetor përfundon afati për konvertimin e targave të makinave për qytetarët serbë që përdorin targa të lëshuara nga Serbia. Me vendimin e qeverisë përdoruesit e këtyre targave duhet t’i kthejnë në ato të Republikës së Kosovës RKS, por kjo kundërshtohet nga Beogradi.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se së bashku me diplomatët evropianë ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të zgjasin afatin e konvertimit të targave të makinave për dhjetë muaj dhe tashmë janë në pritje të përgjigjes.
Qeveria e Kosovës ka thënë se i kupton shqetësimet por ajo ka detyrim siç thuhet ndaj sundimit të ligjit, kushtetutshmërisë dhe vendimeve të saj.
Diplomatët perëndimorë kanë shtuar trysninë ndaj Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje për marrëveshje normalizimi dhe parandalimin e tensioneve si ato të tre muajve më parë në veriun e Kosovës./VOA
Diskutime rreth kësaj post