Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka deklaruar se dalja e “Non-Paper-ave”, nuk është e rastësishme. Zaev ka deklaruar se këto dokumente kanë dalë për shkak të dështimit të Evropës në dialogun Kosovë-Serbi, si dhe ka vazhduar duke i quajtur ato promotorë të politikave nacionaliste në rajon. Ai gjithashtu ka deklaruar se “Non-Paper-ave” të tillë, që kërkojnë ndryshimin e kufijve në Ballkan, BE-ja duhet tu japë një zgjidhje.
“Këto duhet të jenë sinjale për Bullgarinë dhe për Brukselin se duhet intensivisht ta vazhdojnë procesin e integrimit të rajonit në BE. Është kthimi i borxhit ndaj Ballkanit Perëndimor, kurse ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut ky borxh është 10 herë më i madh”, ka thënë Zaev.
Ai gjithashtu i tha liderve të Kosovës dhe Serbisë që të marrin shembull marrëveshjen që Maqedonia e Veriut bëri me Greqinë.
“Liderët e Kosovës dhe liderët e Serbisë qytetarëve të tyre ua kanë borxh ardhmërinë, perspektivën. Nuk është e lehtë për të dyja palët. Por, le të mësojnë nga shembulli ynë me Greqinë. Duhet të mbyllen dyert e së kaluarës kur hapen dritaret e së ardhmes”, tha i.
Në lidhje me politikën në vend, Zaev premtoi bashkëpunim me partitë shqiptare.
“Po, me BDI-në, me Besën dhe me PDSH-në do të bashkëpunojmë. Me një pjesë në rrethin e parë kurse me të tjerë në rrethin e dytë zgjedhor. Dikund do të bashkëpunojmë qysh në rrethin e parë dhe pres nga partnerët kandidatë të mirë e të pranueshëm siç pres të pranohen edhe nominimet tona të kandidatëve”, tha Zaev.
Diskutime rreth kësaj post