Ditën që ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT dhanë mendimin e tyre se kryeprokurori i ri mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë, Lapsi.al vuri në dukje mungesën e një elementi të rëndësishëm në materialet që dolën në media. Ishte mbajtur e fshehtë institucioni, që vuri në lëvizje ekspertët e huaj, për procedurën e zgjedhjes së kryeprokurorit të përkohshëm.
Enigma zgjati deri, kur doli në skenë Ulsi Manja. Ishte Ulsi Manja, që si Kryetar i Komisionit të Ligjeve ishte interesuar më shumë se një muaj më parë për zëvëndësimin e Llallës. Heqja e kësaj pjese të dokumentit nga materiali që iu shpërnda mediave, nuk qe rastësi.
Nëse shihet me kujdes dokumenti në anën e majtë, dallohet se përgjigjia e ekspertëve të huaj për procedurën e zëvëndësimit të Adriatik Llallës, u dha në 13 nëntor. Në këtë datë, kuvendi protokolloi përgjigjen e EURALIUS dhe OPDAT, pra interesimi i socialistëve ishte bërë më herët se kjo datë.
Në fillim të nëntorit, mazhoranca po kalonte ditë të vështira. Pas kapjes së Habilajve në Katania, mbërriti dosja e plotë e përgjimeve, ku përmendej Saimir Tahiri. Rama e bllokoi prangosjen e ish ministrit në parlament dhe kur u duk se historia po venitej, u arrestua Orest Sota, me 863 mijë euro dhe patentat e Tahirit në makinë.
Në fillim të nëntorit erdhi në Tiranë, Marko Miniti, Ministri i Brendshëm italian. Ai solli një listë të gjatë policësh të përfshirë në trafikun e drogës duke rënduar situatën në dëm të qeverisë. Ka qenë kjo periudha kur Rama nisi punën për zëvëndësimin e Adriatik Llallës.
Nën dritën e këtyre fakteve, del se ftesa që Rama i bëri Bashës një muaj më pas, ishte një farsë. Meraku fillestar i Ramës ishte ai për ta zgjedhur i vetëm kryeprokurorin e përkohshëm. Në fillim mori dritën jeshile nga ndërkombëtarët, dhe një muaj më pas i kërkoi Bashës t’i jepte konsensusin. Ofertës i bashkangjiti edhe një Pakt Kombëtar për Europën, si për ta bërë sa më bindëse fasadën në emër të interesit kombëtar dhe çeljes së negociatave për integrimin në BE.©Lapsi.al
Diskutime rreth kësaj post